Në muajin mars do të bëhet nivelizimi i çmimeve të barnave
Vaide Morina
Nga muaji mars do të fillojë zbatimi i udhëzimit administrativ për nivelizimin e çmimit të barnave dhe produkteve medicinale.
Përmes këtij udhëzimi do të ndalohen keqpërdorimet me çmime më të larta të barnave në tregun tonë, tha për Radio Kosovën Dardane Mehaj, nga Oda e Farmacistëve të Kosovës.
Çmimet e ndryshme të barnave, po ua imponojnë pacientëve të bredhin nga një barnatore në tjetrën me qëllim gjetjes së ilaçeve me ndonjë çmim sadopak të favorshëm. Naim Berisha, tha se me vështirësi po e përballon këtë situatë, sepse përpos sëmundjes dhe buxhetit, ne po obligohemi të shpenzojnë edhe kohë nga një barnatore në tjetrën me shpresës se diku do të gjejmë një çmim sado pak të përballueshëm.
Me të vërtetë është shumë laramani e çmimeve, ka shumë ndryshime shumë të mëdha prej një barnatore në tjetrën, Po të tregoj, se shumë vështirë më këto të ardhura me e përballu këtë, e sidomos me sëmundje kronike apo sëmundje të rënda.
Por, udhëzimi administrativ për rregullimin e çmimit të barnave, fillimisht do të rregullojë dhe krijojë mekanizma mbrojtës për të gjitha autoritetet kontraktuese të fushës së shëndetësisë, tha nënkryetarja e Odës së Farmacistëve të Kosovës, Dardane Mehaj.
Projekti është paraparë të përfundojë në fillim të marsit. Komisioni është dukë punuar dhe po punon edhe vikendeve, do të thotë është diku një listë prej 5 mijë barnave dhe ka shumë punë. Për sa i përket çmimeve do të jenë unike çdo kund, atëherë çdo qytetar duke filluar edhe nga unë, do të kërkojë shërbim në një barnatore më të afërm aty ku i ofrohet shërbimi, nuk do të jetë më diskutim çmimi. Duhet të theksohet se çka përfitojmë ne si qytetarë, se është shumë e rëndësishme se do të kemi çmime me të ulëta, sepse deri me tani Kosova i ka pasur çmimet më të larta.
Rezultatet e këtij udhëzimi administrativ pritet të jenë: Çmime më të ulëta, barna më shumë, furnizim i qëndrueshëm si dhe kursim i buxhetit për qytetarët e vendit.























