Bizneset kundër vendimeve për ndalim të punës të dieleve
BKT
Ekonomi

Bizneset kundër vendimeve për ndalim të punës të dieleve

Majlinda Doda, Radio Kosova

Vendimet e disa kuvendeve komunale në nivel vendi, për ndalimin e punës së bizneseve ditën e diel, do të kufizojë aktivitetet ekonomike të tyre.

Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë dalë kundër vendimit të disa komunave që urdhërojnë bizneset të mos punojnë të dielave. E punëtorët theksojnë se e diela duhet të jetë ditë pushimi. 

Disa komuna të Kosovës po e shqyrtojnë mundësinë që të mos punohet të dielave. Vendimet për mbylljen e bizneseve ditën e diel, nuk janë mirëpritur për vetë bizneset. Njëri prej tyre i tha Radio Kosovës se kjo dëmton punën e tyre. 

“Është shumë problem. Artikujt ushqimor donë me nejt rregullisht. Ndalet rryma, duhet me i lëshua gjeneratorët. Edhe nëse sjellin vendim me na i mbyll, duhet me nejt brenda ne, e me i përcjell frigoriferat e të tjerë”.

Por ndryshe mendojnë punëtorët, të cilët hezitojnë të flasin para mikrofonit. Sipas tyre, e diela do të duhet të ishte ditë pushimi, e cila do të shfrytëzohet për nevoja të ndryshme. Në mbrojtje të punëtorëve ka dalë Bashkimi i Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës. Kreu i BSPK-së, Avni Ajdini, thotë se të drejtat e punëtorëve në Kosovë nuk respektohen. 

“Sindikalizmi ka lindur tipik nga sllavizmi. Ata kanë protestuar, kanë kërkuar punë nga 8 orë. Edhe unë jam që të dielave me qenë ditë pushimi. Do të ketë përkrahjen e BSPK-së, gjithsesi.”  

Nisma për mbylljen e bizneseve ditën e diel është kundërshtuar nga Oda Ekonomike e Kosovës. Kryetari Berat Rukiqi thotë se një vendim i tillë nuk do duhej të merret pa u bërë një analizë përcjellëse.

“Në rrethinën e Prishtinës janë diku rreth 10 mijë biznese. Këto biznese me një qarkullim mesatar diku 500 euro të dielave, dëmet mund të shkojnë në dhjetëra miliona euro,  një vendim komunal i cili nuk ka asnjë analizë përcjellëse, një vendim popullist që tenton të adresojë të drejtën e çështjes së punëtorëve, por që nuk e adreson se ligjet e tjera e rregullojnë, siç është Ligji i Punës.” 

Këtë vendim e ka kundërshtuar edhe Oda Ekonomike Amerikane. Sipas tyre, sektori privat është kyç për përshpejtimin e rritjes ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe luftimin e varfërisë. 

Edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka kundërshtuar këtë vendim, duke thënë se Autoriteti i Konkurrencës duhet të shqyrtojë vendimet e disa komunave për të ndaluar punën ditën e diel, në pikëpamje të cenimit të konkurrencës së lirë dhe të ndikimit në sektorin privat.

Ndryshe, një vendim të tillë, gjatë vitit të kaluar e miratoi Komuna e Mitrovicës, ndërsa që nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi edhe në Komunën e Vushtrrisë.  

 


MË SHUME NGA Ekonomi