Gashi: KEDS-i padrejtësisht po na largon nga puna
Për largimin e vazhdueshëm të punëtorëve prej punës nga KEDS-i, Federata e Sindikatave të Pavarura “ElektroKosova” organizoi sot protestë para ndërtesës së KEDS-it në Prishtinë.
Ndër të larguarit nga puna së fundi është edhe sekretari i kësaj sindikate, Rashit Gashi.
Ai tha se padrejtësisht, KEDS-i tash e katër vjet ka larguar nga puna rreth 300 punëtorë, të cilët po zëvendësohen nga familjarë të politikanëve, kryeprokurorëve dhe punëtorë të kompanisë “Devolli”.
Gashi: Padrejtësisht po largohemi nga puna, punësohen ata nga kompania “Devolli”
“Përveç që kanë shkel të gjitha ligjet e punës, marrëveshjen Kolektive, Ligjin mbi organizmin sindikal, madje edhe Kodin Penal të Kosovës. Këta (KEDS) e kanë shkel edhe një marrëveshje të cilën e kemi menaxhment-sindikatë, që në pesë vjetët e ardhshëm deri në vitin 2022 asnjë punëtor të mos largohet nga puna. Ne kemi paguar paqen me parë me këtë menaxhment. Rreth 200 mijë euro në vit, kemi heq dorë të mos rriten pagat, vetëm të mos largohet asnjë punëtor. Më e keqja është se punëtorët që po largohen prej punës, po zëvendësohen me punëtorë të tjerë të rinj, të cilat janë familjarë të ministrave, kryeprokurorëve, prokurorëve dhe atyre që kanë ndikim në pushtet. Së fundmi, çuditërisht, edhe punëtorë të kompanisë “Devolli”, pas konkurs punësohen në KEDS dhe në pozita udhëheqëse. Nuk e di çka e lidh kompaninë “Devolli” me KEDS-in”, tha Gashi.
Edhe Sindikata e Re e KEK-ut ka mbështetur protestuesit. Zëvendëskryetari i kësaj sindikate Nexhat Llumnica duke përkrahur kërkesat e ish-punëtorëve të KEDS, tha se në mënyrë sistematike KEDS po largon punëtorët nga puna.
Llumnica: Në mënyrë sistematike KEDS po largon punëtorët nga puna
“Në Kosovë ka filluar të ndodh ë forma sistematike për largime nga puna. E kemi rastin e të gjithë punëtorëve të KEDS-it, e tani i kanë ra në kokë kryesindikalistit në KEDS. E kemi rastin e punëtorëve të aeroportit, shoqërive aksionare të KEK-ut siç janë ushqimi shoqëror, autotransporti, Kosova thëngjilli, ndërtimtaria, siguria fizike e shumë e shumë të tjera që nuk janë privatizuara, por janë pasivizuar”, tha Llumnica.
Kryetari i Federatës Sindikale të Pavarur të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj tha se për padrejtësitë që po u bëhen punëtorëve të KEDS-s, ata janë të gatshëm t’i mbrojnë dhe ta paralizojnë këtë kompani.
Ai pati edhe porosi për BSPK-në që nuk po iu del në mbështetje punëtorëve.
Balaj: Jemi të gatshëm që ta paralizomë KEDS-in
“Ne jemi të vetëdijshëm të gjithë se çka është duke ndodhur me punëtorët e Kosovës. Ne duhet të jemi sa më të organizuar dhe të bashkuar që t’i dalim nà « mbrojtje secilit punëtor në Kosovë. Dhe mos të vjen keq Rashit, fort mirë kanë bërë ata kolegët tuaj që s’janë dalë me të përkrah, sepse duhet ditur se edhe punëtoria në Kosovë s’e çfarë ‘llomi’ po na mbron në BSPK. Kështu që është më mirë pa ta se me ta. Ne jemi me ty, nëse është nevoja edhe do të paralizojmë këto institucione, por s’do t’i lëmë fëmijët pa bukë”, tha Balaj.
Përkrahje kjo protestë mori edhe nga Sindikata e Sektorit Privat, Sindikata e KOSTT dhe nga Rinor Mehmeti prej shoqërisë civile.























