KEDS dhe KESCO zotohen për fuqizimin e gruas brenda kompanive
Në vigjilje të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kompanitë KEDS dhe KESCO janë bërë të parat që në vend që kanë nënshkruar zotimin në “7 Parimet e UN Women”, të cilat janë udhëzues që ndihmojnë kompanitë në fuqizimin e gruas në vendin e punës dhe në komunitet.
Kjo u bë përmes në mbrëmje të veçantë ku u nderua edhe kontributi i të gjitha femrave që punojnë në këtë kompani. Madje, KEDS dhe KESCO kanë bërë edhe hapat e parë konkret për t’u dalë në ndihmë nënave duke hapur dhomë të posaçme për to dhe foshnjat brenda kompanisë, duke vendosur kutitë e raportimit në çdo distrikt si dhe me plane të qarta për krijimin e Zyrës së posaçme për barazi gjinore si dhe organizmin e ligjëratave për punonjësit për barazi gjinore.
Drejtori gjeneral i KEDS, Alper Erbas, duke iu uruar 280 punëtoreve festën e 8 Marsit, tha se 50% e pozitave udhëheqëse në KESCO janë gra. Ai theksoi se në KEDS janë duke punuar që të kenë nivel të njëjtë të udhëheqjes nga gratë si në KESCO.
“50 për qind e pozitave udhëheqëse në KESCO janë gra. Shpresojmë që të njëjtët pozita përfaqësimi të kemi edhe KEDS. Pa kontributin tuaj dhe zellshmërinë në punë, ne nuk do të ishim këtu, si dhe çdo sukses në kompanitë tona vjen direkt nga dedikimi juaj. Duke fuqizuar gratë fuqizojmë të ardhmen”, tha ai.
Të pranishme në këtë ceremoni ishte kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e vetmja presidente femër në historinë e shtetit të Kosovës, Atifete Jahjaga si dhe drejtoresha e UN Women për Kosovë, Vlora Nushi.
Në fjalën e saj, Osmani tha se fuqizimi grave në shoqëri është një domosdoshmëri për Kosovën. Ajo shtoi se përderisa gratë nuk janë pjesë e tregut të punës, Kosova dështon ekonomikisht.
Du ke iu drejtuar pjesëmarrësve, kryekuvendarja shtoi se të gjitha femrat duhet të angazhohen pa u ndalur e pa frikë por t’i ballafaqojnë sfidat me guxim pasi kontributi i grave për një Kosovë më të mirë është i domosdoshëm.
Osmani tha se nëse gratë punojnë bashkë ditët më të mira janë përpara . Sipas saj, emancipimi i gruas ka lidhje direkte me një shtet shumë më të zhvilluar dhe premtoi se si kryeparlamentare do të punojë shumë në fuqizimin e gruas.
“Pjesëmarrja aktive e grave në jetën publike dhe fuqizimi ekonomik i tyre është e drejtë dhe domosdoshmëri. Është e drejtë se e kemi në kushtetutë dhe ligje tona. Por nuk duhet të lejojmë që ato të mbesin në letër, prandaj duhet t’i shndërrojmë në domosdoshmëri. Ato janë domosdoshmëri për shkak se në qoftëse mohohen ose në qoftëse nuk inkurajohen atëherë gjysma e popullatë s sonë nuk do të jenë të përfshira në vendosjen aktivtisht në shërbim të shtetit tonë dhe të shoqërisë sonë. [...] Sot 81% të grave në Kosovë nuk janë pjesë e tregut të punës, prandaj kjo dëshmon që përderisa nuk i kemi gratë pjesë të tregut të punës Kosova dështon ekonomikisht”, deklaroi Osmani.
Të pranishmeve iu drejtua edhe ish-presidentja Atifete Jahajaga që tha se gruaja është shtylla e shoqërisë dhe se mban komunitetet e bashkuara dhe i ushqen ato me vlera.
Duke u kthyer në histori, ajo theksoi se gratë u kujdesën për familjet në kohët më të vështira e prandaj gruaja është heroina e secilës familje shqiptare.
Jahjaga deklaroi se shoqëria jonë ka arritur progres pasi shumë gra janë në pozita udhëheqëse, porse shtoi se duhet të punohet për barazi në tregun e punës dhe heqjen e barrierave që pengojnë një gjë të tillë.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaha tha se gruaja është shtyllë e shoqërisë.
“Nuk mund ta mohojmë që kemi bërë përparim të shkëlqyer në fushën e të drejtave të grave dhe vajzave dhe barazisë gjinore. Tanimë kemi shumë vajza që shkojnë në shkollë e që zgjedhin profesione që më parë kanë qenë të dominuara kryesisht nga burrat. Kemi më shumë gra në pozita menaxheriale e udhëheqëse, kemi më shumë zë për të shprehur mendimet dhe idetë tona. Vajzat janë më aktive dhe më të zëshme për të drejtat e barabarta. Rrota e ndryshimit veçse ka filluar të rrokulliset.”, tha Jahjaga.
Vlora Nushi, udhëheqëse e UN Woman në Kosovë, vlerësoi lartë hapin që KEDS dhe KESCO kanë marrë duke nënshkruar “7 Parimet e UN Women”.
“Më lejoni të shpreh kënaqësinë tonë si UN Woman në Kosovë por edhe në nivel rajonal dhe botëror, që ndërmarrjet e mëdha si KEDS dhe KESCO tashmë janë të gatshme të zotohen për implementimin e parimeve të fuqizimit të gruas, pra këto shtatë parimet që i pamë. Ju sot po vendosni veten si shembull të barazisë gjinore në vendin e punës“, tha ai.
Ajo tha se këto dy kompani po vendosin një shembull për barazinë gjinore në vendin e punës.























