Rukiqi: Rezervat e miellit mund të harxhohen shpejt
Rezervat e miellit që ka Kosova, mund të harxhohen brenda një periudhe të shkurtër, ka thënë për Radio Kosovën kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi. Ndërkohë nga Departamenti i Rezervave Shtetërore, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë konfirmojnë se janë në përgatitje të raportit final rreth rezervave shtetërore.
Koronavirusi që tashmë ka marr një shtrirje gjeografike të gjerë, ka vendosur në gatishmëri edhe institucionet e Kosovës. Këshilli i Sigurisë së Kosovës, ka miratuar Planin e Veprimit për koronavirus, i cili kap vlerën deri në 10 milion euro. Ky plan, parasheh parandalimin dhe luftimin e koronavirusit, kontrollet në kufi, transportimin e të dyshuarve, trajtimin e të prekurve, karantinat e mundshme, trajnimin e personelit për vendosje të pajisjeve, menaxhimin e rasteve dhe kufomave eventuale, e të tjera.
Kjo situatë mund të qoj deri në mbylljen e kufijve. Për këtë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se Kosova është e varur nga importet. Në një postim në Facebook, Rukiqi ndër të tjera thotë se Kosova ka rezerva të miellit të cilat mund të zbrazen, brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Ndërkohë, Bajram Shala nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes telefonit i tha Radio Kosovës, se janë në përgatitje të një raporti final për rezervat shtetërore, të cilin siç thanë ai, do ta publikojnë më vonë.
E epedemiologu Jusuf Dedushaj thotë për Radio Kosovën se kjo pandemi i ka kaluar kufijtë e një shteti. Ai thotë se nëse koronavirusi është përhapur në Kinë në muajin tetor, atëherë ky virus ka mundësi të vazhdojë edhe gjatë muajve të verës.
“Akoma nuk dihen mirë vetit izolente të këtij virusi. Meqenëse sëmundja ka marr karakter masiv në disa kontinente, kjo është një pandemi. Nëse kjo pandemi ka filluar në muajt e verës dhe kinezët e kanë fshehur atë, atëherë sëmundja do të shuhet në fillim të muajve prill-maj, por nëse ka filluar në tetor ka mundësi që kjo epidemi të vazhdojë edhe gjatë muajve të verës”.
Ndryshe, deri më tash në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast me koronavirus.























