Fakulteti i Mjekësisë mban ligjëratë për koronavirusin
BKT
Shëndetësi

Fakulteti i Mjekësisë mban ligjëratë për koronavirusin

Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mbajtur sot një ligjëratë informuese rreth COVID-19, për t’i njoftuar studentët në lidhje me masat për mbrojtje kundër kësaj sëmundje vdekjeprurëse.

Xhevat Jakupi, asistent në Fakultetin e Mjekësisë, tha se Kosova dhe Mali i Zi janë shtetet e vetme të Evropës që nuk kanë raportuar raste me koronavirus që nga shpërthimi i sëmundjes në dhjetor të vitit të kaluar në Kinë.

Ai tha se Kosova iu është përgjigjur planit të gatishmërisë për luftimin e koronavirusit, në mënyrë që të gjithë të informohen për masat që duhet ndërmarrë dhe të mos përhapin panik.

Jakupi: Kosova dhe Mali i Zi - dy vendet e vetme pa koronavirus në Evropë

Video:

“Që nga fillimi i shfaqjes së këtyre infeksioneve, deri më dje janë regjistruar afër rreth 115 mijë raste me virus nga të cilët rreth 15 mi jë në Evropë. Deri më tani janë shënuar 4023 raste të vdekjes si pasojë e infeksionit. Tash epidemia po kalon në pjesën tjetër të botës dhe veçanërisht në Evropë. Zyrtarisht deri më sot në Evropë vetëm dy shtete nuk kanë raportuar raste të infeksionit - Kosova dhe Mali i Zi, pasi që të gjitha shtetet e tjera të Evropës kanë raportuar raste të tjera të virusit”, tha Jakupi.

Ai ka treguar se koronavirusi transmetohet përmes rrugëve respiratore dhe se koronavirusi si familje nuk është diçka e re.

Jakupi: Koronavirusi nuk është diçka e re si familje

Video:

“Përveç se me ndihmën e receptorëve ky virus ngjitet në qelizat tona, zakonisht në traktin e poshtëm respirator. Virusi hyn në qelizë me endocitozë dhe del prej qelizës me endocitozë. Caku i ardhshëm për shërimin e këtij virusi do të jetë njohuria në thelb për shërim. Koronavirusi nuk është diçka e re si familje, sepse ne jemi ballafaquar dhe po ballafaqohemi vazhdimisht me këto viruse. Është diçka që ka qenë për një kohë të gjatë, për shembull kur sëmuremi me kollë”, tha Jakupi.

Mosha mesatare e personave të prekur janë 75-vjeç, ndërsa simptomat e para deri te vdekja janë 14 ditë. Ndër masat që duhet ndërmarrë për t’iu shmangur koronavirusit janë larja e shpeshtë e duarve, shmangia e kontakteve me personat e infektuar dhe shmangia e prekjes së fytyrës.

Jakupi: Duhet të lani sa më shpesh duart dhe të shmangni kontaktet me të tjerët

Video:

“Për këtë arsye duhet të lani duart sa më shpesh me ujë të rrjedhshëm, minimumi 20 sekonda me sapun. Nëse nuk kemi mundësi për t’i larë duart me ujë të rrjedhshëm, duhet të përdorni antiseptik duke i fërkuar mirë duar për disa sekonda derisa të thahen vetë. Duhet shmangur kontaktet me persona të sëmurë, me shenja të infeksionit, në mënyrë që personat që kanë ethe e kollitje janë më infektiv dhe kushdo që është afër tyre do t’iu ekspozohet nëse nuk merren masat parandaluese”, tha Jakupi.

Ai tha se në rast të simptomave që janë të përafërta me ato të koronavirusit, personat duhet të paraqiten urgjentisht në QKUK për testim dhe gjatë asaj kohe duhet të vendosin maskë dhe të shmangin kontaktet.

Jakupi tha se këta virus janë izoluar për herë të parë në vitin 1937 nga zogjtë e pulës, ndërsa tani dyshohet se virusi ka ardhur nga lakuriqët dhe devetë, por që më pas struktura e tij ka ndryshuar për t’u paraqitur te njerëzit


MË SHUME NGA Shëndetësi