Situata me koronavirusin me pasoja të rënda në ekonominë e Kosovës
BKT
Ekonomi

Situata me koronavirusin me pasoja të rënda në ekonominë e Kosovës

Besian BEHA

Kafenetë, restorantet e baret u mbyllën. Shumë biznese e fabrika kanë pak, ose fare prodhim.

Krejt kjo në kuadër të masave parandaluese për përhapjen e virusit Korona.

E gjithë kjo situatë pritet të ketë pasoja të mëdha edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Kostoja pritet të jetë e lartë, dhe për këtë, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon përkrahje nga institucionet

"Ne kërkojmë që në këtë fazë të jetë një përkrahje fiannciare, në një vlerë të caktuar sidomos për kostot fikse, pagat e punëtorëve, dhe kostove tjera fikse si qeratë dhe shërbimet e tjera komunale që i paguajnë bizneset", tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Sipas ekspertëve, sektori privat do të jetë më i godituri nga kjo situatë që është krijuar pas përhapjes së virusit.

Ekslerti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thotë se kriza ekonomike mund të ndikojë edhe në masat për luftimin e Koronavirusit.

"Një fond emergjent është mëse i nevojshëm që të jetë aktiv sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që të mos kemi krizë sociale. Ju e dini që duhet të paguhen pagat e punëtorëve, dhe si mund të paguhen ato, kur i gjithë sistemi është i paralizuar", tha Gërxhaliu.

Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se tashmë po përgatitet një plan emergjent.

Në mesin e masave të marra nga Qeveria është edhe pezullimi i pagesës së kësteve të kredive deri më 30 prill. E nëse kjo situatë vazhdon, pezullimi mund të shqyrtohet për shtyrje edhe më të gjatë.


MË SHUME NGA Ekonomi