Investimet e huaja kalojnë 1 miliard euro
Investimet e huaja arritën në 1.08 miliardë euro në vitin 2019, me një rritje prej 5.7% në krahasim me një vit më parë, duke arritur në një nivel rekord, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.
Investimet në energji ranë me 26% në krahasim me një vit më parë, duke zbritur në 330 milionë euro, si rrjedhojë e përfundimit të punimeve të projekteve të mëdha, si gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet mbi lumin Devoll. Gjithsesi, energjia është sektori që tërhoqi më shumë investime në 2019-n, me 31% të totalit, nga 44% që ishte kjo peshë vitin e mëparshëm.
Rënia e investimeve në energji u kompensua nga rritja e investimeve në katër sektorë të tjerë: industria nxjerrëse, ndërtim, Aktivitete financiare dhe të sigurimit, arte argëtim dhe çlodhje.
Investimet në industrinë nxjerrëse u rritën me 24%, në 219 milionë euro, duke sjellë 20% të investimeve gjithsej. Ndikimin kryesor rezulton ta ketë dhënë kompania holandeze Shell, që po kryen kërkime për naftë në Shpirag. Holanda ishte në 2019-n investitori më i madh në vend, me 235 milionë euro, me rritje 39%, duke ia kaluar Zvicrës që vitet e fundit kryesonte, pasi ky shtet konsiderohej si baza e gazsjellësit TAP, ndonëse pronësia e tij ishte e një konglomerati shtetesh.
Investimet e “Aktivitete financiare dhe të sigurimit” u rritën me 30%, duke arritur në 125 milionë lekë. Rritja vjen kryesisht nga shtimi i kapitalit të bankave.
“Aktivitete të pasurive të paluajtshme” janë në vend të katërt, me 115 milionë euro, por me rritje të lehtë prej më pak se 2%.
Në linjë me tendencën e sipërmarrësve vendas për tu orientuar në ndërtim, nuk kanë munguar as investimet e huaja në këtë sektor. Investimet në ndërtim janë rritur me 135%, në 71 milionë euro.
“Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike” ranë me 30% në 60 milionë euro.
“Industria përpunuese” dhe “arte argëtim dhe çlodhje” tërhoqën përkatësisht 45 dhe 31 milionë euro. Investimet në arte argëtim dhe çlodhje u dhjetëfishuan.
Sipas shteteve, krahas Holandës dhe Zvicrës që janë përkatësisht në vend të parë dhe të dytë, në vend të tretë ka kaluar Italia, me 120 milionë euro, më shumë sesa dyfishim.























