Sektori privat ka nevojë për përkrahje në këtë kohë

Sektori privat ka nevojë për përkrahje në këtë kohë

Qeveria i ka lëshuar pagat e prillit për sektorin publik, por shumë punëtorë të sektorit privat rrezikojnë të mbesin pa to në rast të mos-ndërhyrjes nga ana e Qeverisë.

Masat e ndërmarra për qëndrim në shtëpi, pas shpërthimit të epidemisë COVID-19, kanë bërë që mijëra punëtorë të sektorit privat mos të dalin në punë, por një pjesë e tyre mund të mbes pa paga. Ministria e financave paralajmëron masa emergjente.

Oda e Afarizmit i ka kërkuar qeverisë që të gjejë mjete për t'i paguar punëtorët e sektorit privat në mënyrë që t'i shpëtojë ndërmarrjet private nga falimentimi.

Kryetari Skënder Krasniqi thotë se është e pamundur të mbijetojnë bizneset pa ndihmë e Qeverisë.

"Një ndër masat kryesore është që të sigurojmë mjetet për pagesat e punëtorëve, janë mbi 300 mijë biznese që sektori privat i ka dhe shumica e të cilave nuk janë duke funksionuar. nëse shteti nuk i siguron, biznesi i ka të pamundur që të siguroj pagat duke qëndruar në shtëpi", tha ai.

Nga mbi 300 mijë punëtorë sa ka sektori privat, Krasniqi thotë se rreth 200 mijë nuk janë duke punuar dhe mund të jenë pa paga për muajin prill.

"Janë vetëm disa biznese të sektorët që janë fabrika prodhim edhe një pjesë që janë në shërbime, që janë duke punuar, kanë nevojë ata që shteti i ka detyruar të mbyllen në shtëpi edhe mos me punuar. këtu përfshihen pagat, përfshinë qiraja, edhe shërbimet operacionale që i ka", tha ai.

Krasniqi thotë se deri tani ka parë vetëm vullnet deklarativ të Qeverisë, por ende mungojnë hapat praktikë. Ai kërkon edhe zvogëlim të pagave në sektorin publik, në mënyrë që të paguhet sektori privat.

"Sepse po kërkohet që të mbulohet tatimet, rryma, uji, e këto nuk mund të mbulohen pa pasur punë biznesi. Po flasim për shpenzime 50 milionë euro për muaj, por kjo mund të rritet sepse askush nuk ka bërë përllogaritje, sa do të zgjas kjo situate", tha ai.

RTK ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Financave, nëse ka ndonjë plan për t'i mbuluar pagat e punëtorëve në sektorin privat në këtë fazë emergjente.

"Jemi në përfundim e sipër të përgatitjes së pakos për masa emergjente", thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të MFT, Muharrem Shahini.

Oda e Afarizmit të Kosovës vlerëson se masat emergjente që duhet t'i marrë qeveria, e rrisin  mundësinë që bizneset t'i mbajnë të gjithë punëtorët në vendet e tyre të punës.

Autor: Visar Krasniqi, RTK