Sektori bankar është i qëndrueshëm dhe funksionon me kapacitet të plotë

Sektori bankar është i qëndrueshëm dhe funksionon me kapacitet të plotë

Stabiliteti bankar është me interes të veçantë për ekonominë e cilitdo vend, dhe megjithë situatën që po mbizotëron në Kosovë dhe më gjerë pas përhapjes së pandemisë COVID-19, bankat në vendin tonë konsiderohet se janë të qëndrueshme, kanë likuiditet të mjaftueshëm dhe janë të kapitalizuara mirë. Kjo u konkludua gjatë një forumi virtual me transmetim direkt të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ku u diskutua mbi bankimin në kohë krize.

Arton Celina, Kryeshef Ekzekutiv i Bankës për Biznes potencoi se investimi në teknologji digjitale që mundësojnë pagesa e shërbime elektronike ka bërë që bankat të jenë më lehtazi të adaptueshme ndaj kësaj situate.

Ai tërhoqi paralele ndërmjet mënyrës se si pandemia sulmon shëndetin dhe ekonominë, duke thënë se nëse COVID-19 ndikon rëndë në imunitetet më të dobëta njerëzore, edhe në kontekst ekonomik do të afektojë sistemet më të brishta financiare.

Celina theksoi se bankat po funksionojnë me kapacitete të plota shërbyese dhe me funksionalitet të plotë të kanaleve digjitale, duke mundësuar kështu shërbim sa më efikas ndaj qytetarëve. Sipas tij, Kosova është shumë me fat që në këtë situatë ka një borxh shumë të ulët publik dhe një sistem të qëndrueshëm financiar, si avantazhe të cilat e bëjnë më imune ndaj përballimit me krizë.

Ai foli edhe për problemet me të cilat bankat janë ballafaquar fillimisht për shkak të  kufizimit të lëvizjes, ndërsa sqaroi në detaje edhe vendimin e bankave komerciale për t’u ndalë në ndihmë bizneseve me vështirësi në kryerjen e obligimeve të tyre kreditore, duke shtuar mes tjerash se kreditimi i bizneseve funksionon në mënyrë të zakonshme.

Gem Maloku, zëvendës drejtor në NLB Bank, theksoi se situata aktuale është e paprecedentë dhe si e tillë nuk mundëson matje në aspektin e ndikimit në ekonominë globale apo vendore. Ai u shpreh se bankat në përgjithësi kanë reaguar në mënyrë shumë të matur,  duke u përshtatur shpejtë me këtë gjendje përmes masave të ndryshme që kanë lejuar vijimin e rregullt të punës brenda sistemit bankar.

Maloku tha se ky sektor aktualisht ka likuiditet të mjaftueshëm, gjë që është e një rëndësie të veçantë për ekonominë e vendit, mirëpo sa më shumë që prolongon ndikimi i pandemisë në kufizime gjithëpërfshirëse, aq më e gjatë do të jetë edhe periudha e rikuperimit. Sipas tij, vlerësimi i impaktit pas pandemisë paraqet një sfidë në vete për të gjitha vendet e botës. Maloku theksoi edhe rëndësinë e mirëmbajtjes së nevojshme të disiplinës së raportimit financiar.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thekson se sektori bankar është njëri nga elementet më vitale për përballimin e krizave ekonomike, derisa e konsideron shumë pozitiv faktin se ky sektor është i qëndrueshëm në këtë situatë të pazakontë.

--