BE dhe 15 anëtarët e OBT-së drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve
BKT
Ekonomi

BE dhe 15 anëtarët e OBT-së drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve

Bashkimi Evropian dhe 15 anëtarët e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) sot bënë të ditur arritjen e një marrëveshjeje të apelit të emergjencës për mosmarrëveshjet tregtare.

Aranzhimi i Arbitrazhit të Përkohshëm Shumëpalësh të Apelimit do t'i lejojë BE-së dhe 15 anëtarëve të OBT-së të sjellin ankesa dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet tregtare midis tyre, megjithëse Organi i Apelimit i OBT-së nuk është plotësisht funksional.

Komunikata thekson se marrëveshja nënvizon rëndësinë që anëtarët pjesëmarrës të OBT-së - BE, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Guatemala, Hong Kongu, Meksika, Zelanda e Re, Norvegjia, Singapori, Zvicra dhe Uruguaji, t'i bashkangjiten një sistemi funksional të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me dy hapa në OBT.

"Me marrëveshjen e sotme është arritur angazhimi politik që doli nga takimi i nivelit ministror në Davos në janar", tha Phil Hogan, komisioneri i BE-së për Tregtinë.

"Kjo është një masë parandaluese e cila pasqyron paralizën e përkohshme të funksionit të apelimit të OBT-së për mosmarrëveshjet tregtare", tha ai.

Hogan shtoi se: "Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të rivendosur funksionin e apelit të sistemit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së, si çështje prioritare".

Ndërkohë, ai ftoi anëtarët e tjerë të OBT-së të bashkohen me marrëveshjen e hapur, e cila është "thelbësore për respektimin dhe zbatimin e rregullave të tregtisë ndërkombëtare".

Marrëveshja pasqyron rregullat e zakonshme të apelimit të OBT-së dhe mund të përdoret midis anëtarëve të organizatës të gatshëm për t'u anëtarësuar, për sa kohë që Trupi i Apelimit i OBT-së nuk është plotësisht funksional.

BE-ja tha se priste që marrëveshja të njoftohej zyrtarisht në OBT në javët e ardhshme, pasi anëtarët përkatës të OBT-së të përfundojnë procedurat e tyre të brendshme, pas së cilës ajo do të bëhet operacionale.


MË SHUME NGA Ekonomi