Ngritja e çmimeve në farmaci, AKK-ja paralajmëron masa ligjore
Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, për portalin Front Online, ka thënë se shqetësimet më të mëdha të qytetarëve për ngritjen e çmimeve në kohën kur Kosova po përballet me pandeminë e Koronavirusit janë për produktet farmaceutike.
“Shqetësimet më të mëdha të qytetarëve janë tek produktet farmaceutike (siç është Alkooli dhe dezinfektuesit tjerë), e që janë shqetësime me vend”, deklaroi Prestreshi.
Ai për Front Online tha se kanë zhvilluar takime me ndërmarrjet qe merren me importin dhe prodhimin e Alkoolit dhe dezinfektuese për grumbullimin e dokumenteve për ta bërë krahasueshmerinë e çmimeve dhe në rast se ka ndonjë ndryshim do të ndërmarrin të gjitha masat ligjore.
“Autoriteti ka zhvilluar takime me ndërmarrjet që merren me importin dhe prodhimin e Alkoolit dhe dezinfektuese dhe ka filluar ne grumbullimin e dokumenteve përkatëse për ta bërë krahasueshmerinë e çmimeve për këtë produkt. Momentin që të konstatohet se ka diskrepancë të madhe të çmimeve në këtë produkt, atëherë Autoriteti do t’i ndërmarr të gjitha masat ligjore të përcaktuara me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës”, tha ai.
Për ta parandaluar rritjen e çmimeve, Prestreshi tha për Front Online se kanë takuar disa biznese dhe kompani të mëdha të cilat i kanë paralajmëruar për masat që do t’i ndërmarrin në rast se ka abuzime me çmime.
“Kemi zhvilluar takime intensive me prodhuesit dhe importuesit e mëdhenj të produkteve bazë ushqimore, gjithashtu edhe me ndërmarrësit që merren me produkte farmaceutike, shto aty edhe me kompanitë që merren me shitjen e biletave të aeroplanëve. Autoriteti u’a ka bërë me dije ndërmarrësve se çdo abuzim me çmime, çdo kufizim i shitjes se produkteve, apo edhe çdo praktikë tjetër që është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, do të përballën me shtetin ligjor dhe të drejtë”, tha ai për Front Online.
Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, tha se kanë pranuar ankesa lidhur me ngritjen e çmimeve dhe ato i kanë adresuar në departamentet përkatës në mënyrë që të merren masat e duhura.
“Tani në adresën tonë të AKK-së kanë ardhur ankesa të llojeve të ndryshme, i tërë aparati shtetërorë është në krye të detyrave të veta, dhe çdo ankesë e qytetarëve tanë është filtruar dhe adresuar në dikasteret përkatës. Nuk ka pardon në këtë situatë të vështirë, po veprohet dhe do të veprohet kundrejt abuzuese”, tha ai./Front Online/























