Gërxhaliu: Pandemia COVID-19 do të lë pasoja të rënda ekonomike në Kosovë

Gërxhaliu: Pandemia COVID-19 do të lë pasoja të rënda ekonomike në Kosovë

Koronavirusi e ka futur Kosovën në situatë të emergjencës shëndetësore, por ekspertët parashohin se kjo do të bartë me vete edhe pasoja të rënda ekonomike për vendin.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu për lajmi.net ka thënë se Kosova mund të futet në pandemi ekonomike pas tejkalimit të sfidës me koronavirusin.

Ai më tutje është shprehur se sektori privat është më i godituri nga koronavirusi duke bërë thirrje kështu që Pako Emergjente prej 170 milionë euro të jetë  vetëm ndihma fillestare për këtë sektor.

Gërxhaliu tha se rimëkëmbja ekonomike do të jetë e vështirë duke pasur parasysh rënien e të dyrave në Dogana dhe ATK, duke thënë gjithashtu se buxheti i vitit 2020 të cilin e ka quajtur të natyrës sociale e jo zhvillimore duhet të rishikohet e rialokohet para qershorit.

Lexoni të plotë intervistën e lajmi.net me Safet Gërxhaliun ku ka folur rreth koronavirusit, sfidave ekonomike dhe pasojave ekonomike nga kjo pandemi, reciprocitetin dhe buxhetin për vitin 2020 e të tjera.

INTERVISTA:

Lajmi.net: Cilat janë pasojat ekonomike që mund t’i ketë Kosova nga koronavirusi?

Safet Gërxhaliu: Duhet të kemi parasysh se Kosova është futur në krizë-në krizë dhe derisa krejt vendet e botës luftojnë me pandeminë, Kosova ballafaqohet me 3 sfida shumë të mëdha, e para është koronavirusi, e dyta është problemi ekonomiko-social që nuk është në nivelin e dëshiruar dhe e 3-ta ka të bëjë me jo-stabilitetin ekonomik që po e rëndon shumë më tepër popullatën sesa vet frika nga koronavirusi. Është e vërtetë që nëse hynë në krizë-në krizë atëherë pasojat nga koronavirusi në aspektin ekonomik do të jenë shumë të mëdha, do të jenë aq të mëdha sa në Kosovë lirisht do të mund të shpallet një pandemi ekonomike në Kosovë sepse duhet një angazhim i të gjithë akterëve relevant që të minimizohen pasojat e kësaj krize dhe ajo që është më shqetësuese është fakti se nuk kemi qenë të përgatitur për ballafaqimin e kësaj krize dhe në veçanti duhet të pranohet se meritën më të madhe për këtë qëndrueshmëri sociale qoftë për shërbim me mallra qoftë shërbime shumë më tepër i takon sektorit privat sesa strukturave politike në Kosovë.

Lajmi.net: Cilat sektore janë goditur më së shumti nga koronavirusi dhe sa kohë do t’i duhet sektorit privat të këndellet nga kjo situatë?

Safet Gërxhaliu: Ju po e shihni që Kosova nuk mund të anashkalohet nga pasojat e kësaj krize. Parashikimet e ekspertëve janë që nivelin global rritja ekonomike e paraparë prej 2,6 për qind do të jetë e pamundur për t’u realizuar dhe parashikimet që Kosova dhe Ballkani Perëndimor do të ketë rritje ekonomike mbi 4 për qind përsëri do të jetë mision i paarritshëm. Në këtë drejtim, Kosova është duke u ballafaquar me sfida të shumta dhe sektori privat është më i godituri. Vet fakti që kemi mbi 300 mijë punëtor të punësuar në këtë sektor dhe nuk kanë garancë për paga është indikatori i parë i krizës dhe duhet të kemi parasysh se sektoret më të goditura janë ato si gastronomia, hotelieria, ndërtimi, transporti dhe deponimi dhe në këtë drejtim besoj që Kosovës i duhet një pako emergjente që në rend të parë përmes kësaj pako të arritet një ndihmë në aspektin social, por njëkohësisht një pako sociale që do të jetë një infuzion për sektorin privat që të rimëkëmbet, dhe kur kësaj ia shtojmë faktin që edhe diaspora e Kosovës është e goditur që ka qenë shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë atëherë mund të paramendoni cilat do të jenë sfidat dhe sa ka obligime qeveria dhe institucionet e Kosovës që të gjejnë modalitete si t’i tejkalojnë këto pasoja.

Lajmi.net: Qeveria e Kosovës vetëm ka aprovuar një pako emergjente prej rreth 170 milionë euro, si e shihni ju, sa mund të jetë e mjaftueshme?

Safet Gërxhaliu: Në rend të parë mbështetet një angazhim i tillë i institucioneve për ta mbështetur sektorin privat por duhet të kemi parasysh se Kosova ka hyrë në vitin 2020 pa buxhet të miratuar, në këtë vit kalendarik pa rezerva shtetërore, pa rezerva emergjente dhe kjo e bën të vështirë që qeveria të marrë hapa më të mëdhej. Por, 170 për të punësuarit në mënyrë legale ose me letra është më tepër ndihmë sociale sesa një pagë, por duhet të kuptohet qeveria se nëse kemi rënie të të hyrave nga dy institucionet kryesore ATK dhe Dogana e Kosovës atëherë do të jetë e vështirë të arrihet përmbushja e buxhetit por sidoqoftë dua të besoj që ky miratim dhe kjo pako është vetëm një hap i parë sepse Kosova do të ketë nevojë për ndihmë shtesë për sektorin privat. Duhet të kuptojmë se vetëm në qoftë se rritet qarkullimi i parasë në masë atëherë do të kemi një gjenerim ekonomik dhe defenitivisht Kosova nuk e meriton ngulfatjen ekonomike duhet institucion financiar që të jetë motor i lëvizjes së ekonomisë dhe sigurisht konsumi duhet të jetë i pari dhe në këtë drejtim në qoftë se nuk mund të arrihen këto kërkesa të sektorit privat të përmbushen nga buxheti duhet të forcohen marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare dhe të kërkohet ndihmë nga shtetet e BE-së dhe më gjerë, dhe ajo që e dëmton Kosovën më së shumti është që edhe kjo situatë pandemike është politizuar dhe politikanët në vend që të kërkojnë ndihma si t’i sanojnë pasojat e koronavirusit, vendet e BE-së dhe më gjerë apelojnë në Kosovë për stabilitet politik.

Lajmi.net: Si e vlerësoni buxhetin për vitin 2020 dhe a mendoni se duhet të bëhet rishikimi i tij pas tejkalimit të krizës me koronavirusin?

Safet Gërxhaliu: Buxhetin unë edhe në fillim e kam quajtur buxhet i natyrës sociale sesa i natyrës zhvillimore sepse me 2.3 miliardë buxhet me këtë ngarkesë të aspektit social është e pamundur të kemi zhvillim ekonomik dhe kur kësaj i shtohet që po hymë në fazën ku të hyrat janë në ulje nuk mund të pritet mrekulli nga ky buxhet por është mëse evidente që Kosova ka nevojë që ky buxhet të rishikohet më së paku në muajin e gjashtë dhe të bëhet një rishikim dhe një rialokim i mjeteve aty ku ka nevojë më tepër dhe duhet të mirren përvoja nga vende të zhvilluara në rajon, Evropë dhe më gjerë dhe të sillen në Kosovë që të kemi një qasje në rrafsh horizontal të barazimit të sektorit privat dhe sektorit publik. Nuk është morale që do të thotë paratë e sektorit publik të jenë të garantuara derisa ato paga i siguron dhe gjeneron sektori privat dhe sektori privat të jetë i diskriminuar, një qasje e tillë do të jetë demotivuese dhe do të kemi performancë edhe më të ulët nëse nuk gjendet modaliteti i motivimit.

Lajmi.net: Rënia e të hyrave në ATK, Dogana, por po ashtu edhe reminitencat që përbëjnë 10 për qind të ekonomisë në Kosovë, çfarë duhet të bëjë qeveria që menjëherë pas krizës ekonomia ta marrë vetën

Safet Gërxhaliu: Dua të besoj që me një diciplinë financiare, transparencë dhe dialogim publiko-privat mund të anashkalohen efektet negative. Dua të besoj që duhet të forcohet aspekti profesional i të punësuarve në administratë, duhet të rriten kapacitetet aplikuese për grante tek investitorët dhe institucionet financare dhe mbi të gjitha duhet të mendojmë se cila do të jetë forma më e mirë për të absorbuar fonde nga IPA fondet e dedikuara për Ballkanin Perëndimor. Nuk duhet të në mungesë të projekteve konkrete dhe në mungesë të fizibilitetit të dështojmë t’i marrim paratë nga donatorët dhe institucionet financare.

Lajmi.net: Si e shihni vendosjen e reciprocitetit, cili është mendimi juaj për vendosjen e tij në këtë kohë në aspektin ekonomik, a do të jetë përparësi për Kosovën në këtë kohë?

Safet Gërxhaliu: Muaji mars i ka një varg elemente mjaft pozitive sa i përket Ballkanit Perëndimor edhe përkundër pandemisë. Ju po e shihni që Maqedonia dhe Shqipëria i kanë hapur kapitujt e diskutimit për anëtarësim në BE që është një hap mjaft i rëndësishëm, gjithashtu Maqedonia është anëtar i barabartë në NATO që është një siguri jo vetëm për Maqedoninë por edhe për Kosovën dhe në këtë drejtim vet fakti që e kemi eliminimin e taksës 100 për qind janë lajme pozitive, një taksë e tillë e kam thënë në të kaluarën ka pasur efekte enorme negative, dhe kosovarët qoftë politik, ekonomik, integrues, por edhe psikologjik janë humbës në këtë betejë të paplanifikuar, pastudiuar dhe të politizuar. Jemi në teren të ri me reciprocitetin dhe duhet të kuptohet që Kosova është produkt i partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet evropiane dhe mbështetja nga këto shtete do të jetë e nevojshme edhe në të ardhmen dhe paramendoni që edhe Kosova nuk mund të mbijetojë pa SHBA-të. Paramendoni një fuqi si Japonia që nuk e ka të siguruar lirinë e as ekonominë pa bashkëpunim me SHBA-të dhe në këtë drejtim duhet të kemi koordinim të aktiviteteve dhe nuk bëhen vendime me kokëfortësi dhe për interesa të partive politike. Nuk ndërtohet e ardhmja e Kosovës nga populizmi dhe mendoj se në këtë pikë, dialogu është faktori kyq për t’i eliminuar të gjitha barrierat në raportin mes Kosovës dhe Serbisë dhe në këtë drejtim, roli i SHBA-ve dhe BE-së është mëse i nevojshëm dhe kështu nuk duhet të cënohen këto raporte dhe çdo hap duhet të jetë në hap me ndërkombëtarët.

Lajmi.net: Ditëve të fundit janë shkarkuar e emëruar borde të reja, pamë se janë vendosur njerëz politik, sa po dëmtohen ndërmarrjet publike?

Safet Gërxhaliu: Jam duke e përcjellur shkarkimin e bordeve dhe vërtetë që bordet kanë qenë të politizuara nuk do koment, që kanë qenë bastione të të keqës nuk do argumentim, por nuk duhet të përsëriten gabimet e së kaluarës dhe këtë koalicion e kemi quajtur të shpresës e dua të besoj që kryeministri Kurti do të ketë afër vetës këshilltar të cilët do ta këshillojnë që gabime të tilla të mos përsëriten dhe me këto vendime është duke humbur atë euforinë e besimit në ardhmëri dhe dua të besoj që dukuria e tillë e politizimit të bordeve shumë më tepër e dëmtojnë Kosovën dhe e zhgënjejnë popullatën dhe humbin kredibilitetin e qeverisë aktuale.