Bordi i ZRRE ka mbajtur Seancën e II për këtë vit

Bordi i ZRRE ka mbajtur Seancën e II për këtë vit

Sot, me 6 prill 2020, në Zyrat e Rregullatorit për Energji (ZRRE), Bordi i ZRRE ka mbajtur Seancën e tij të II (dytë) për këtë vit.

Një nga çështjet e para që Bordi ka marrë vendim ka qenë miratimi formal i Raportit Vjetor 2019 të ZRRE, raport ky i cili tashmë është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shqyrtim.
Në këtë Seancë po ashtu, Bordi ka miratuar të Hyrat e Lejuara Maksimale (MAR) të operatorëve të Transmetimit/Tregut (KOSTT), Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizimit Universal (KESCO) me energji elektrike. Vlera e përgjithshme e miratuar e MAR-it për periudhën rregullative prill 2020 - mars 2021 është vendosur të jetë 268.9 milion euro. Me këtë rast Bordi ka kërkuar nga operatorët që, bazuar në të hyrat e lejuara, të dorëzojnë sa më shpejt që është e mundur, kërkesat për tarifat e reja të cilat do të miratohen në Seancën e ardhshme të Bordit, e që do të duhej të mbahej para përfundimit të kësaj periudhe të faturimit të energjisë elektrike.

Pjesë e shqyrtimit në këtë Seancë ka qenë edhe Amendamentimi i Rregullës së Taksave. Qëllimi i kësaj Rregulle është që t’i specifikojë llojet dhe shumën e taksës të përcaktuar në Nenet 23 dhe 24 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me qëllim të mbledhjes së të hyrave për Rregullatorin. Pjesë e amendamentit që është aprovuar nga Bordi në këtë Seancë ka qenë vlera e Taksës Fillestare të Licencës për Furnizim me energji elektrike, e cila nga 8000 euro sa ka qenë është vendosur të ulet në 2000 euro.

Po ashtu, Bordi ka shqyrtuar edhe disa kërkesa të kompanive, për shtyrje të afateve të vlefshmërisë së Autorizimeve Finale për ndërtimin e kapaciteteve të reja të gjenerimit nga Burimet e Ripërtritëshme të Energjisë (BRE). Këto kërkesa Bordi i ka aprovuar si të arsyeshme dhe që kanë mbështetje në legjislacionin në fuqi, me përjashtim të njërës e cila është shtyrë për një Seancë të ardhshme kur pritet të sjellën dëshmitë e nevojshme të parapara me legjislacion.

Bordi ka aprovuar edhe një kërkesë për ndërtim të kapaciteteve gjeneruese për vet konsum nga panelet solare, në kapacitet prej 4.8 kW, në Komunën e Rahovecit, si dhe ka shqyrtuar një numër të ankesave të konsumatorëve.

Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE do të publikohen në faqen elektronike zyrtare të ZRRE www.ero-ks.org .