Kinë, vështirësi për biznesin e vogël

Kinë, vështirësi për biznesin e vogël

Edhe pse infeksionet ditore me koronavirus kanë rënë ndjeshëm në Kinë, raste të reja vazhdojnë të raportohen përditë. Në qytetin më të prekur, në Uhan, jeta po rigjallërohet gradualisht jeta publike dhe ekonomike, por shitësit e vegjël po vuajnë.

Qyteti kinez i Uhanit, ish-epiqendra botërore e koronavirusit, po përgatitet t'i rikthehet normalitetit por aty bizneset e vogla po hasin kohë të vështira.

Të hënën, shitësit e frutave dhe prodhimeve të mishit në një rrugë rezidenciale thonë se praktikisht nuk po bëjnë biznes sepse qytetarët ende vazhdojnë të stepen për aktivitete jashtë shtëpisë, transmeton oranews.

"Epidemia zgjati shumë kohë dhe paraja nuk lëviz kur njerëzit qëndrojnë në shtëpi, nuk ka biznes. Tani jemi hapur si normalisht por nuk po shesim gjë."

"Edhe sikur jeta në Uhan do të rigjallërohet, njerëzit nuk kanë për të qenë si më parë, do të kenë frikë të dalin jashtë sepse nuk është e sigurt të dalësh jashtë," tregojnë dy shitëse në qytet.

Në qytetin kinez më 11 milionë banorë raportohet të kenë vdekur mbi 2,500 veta nga koronavirusi, bilanc që përfaqëson 75 për qind të të gjithë jetëve të humbura deri tani në rang vendi.

Ndërsa kufijtë janë mbyllur për thuajse gjithë të huajt, janë lehtësuar masat drastike të qarkullimit dhe prej dy javësh transporti publik është rivënë gradualisht në punë, niveli i gatishmërisë kundër pandemisë globale në Kinë vazhdon të jetë i lartë.

Mbi 30 raste të reja me Covid-19 po konfirmohen përditë, kryesisht nga persona të ardhur nga jashtë.

Shqetësimi më i madh për autoritetet tani janë personat që nuk shfaqin simptoma të sëmundjes por ua transmetojnë atë të tjerëve.

Këto raste po gjurmohen nëpërmjet testimeve dhe sondazheve epidemiologjike në terren.

"Personi u kthye në vendlindje më 20 janar dhe erdhi më tren në Uhan më 30 mars. Nga ekzaminimi fizik kemi vërejtur anomali në antitrupat e tij. Tani do të gjurmojmë me kë ka kontaktuar dhe do shkojmë të verifikojmë detajet bashkë me personin prezent," tregon një epidemiolog që heton rastet e dyshuara.

Në spitalet e vendit raportohet një rënie e ndjeshme e pacientëve me sëmundjen e rëndë infektive.