Masa ekonomike pas pandemisë

Masa ekonomike pas pandemisë

Kur ende nuk e kemi të qartë kohën kur do të përfundoj pandemia, partitë politike, sidomos ato që janë në opozitë, po flasin për plane të reja për ta mbrojtur rënien e ekonomisë së vendit.

Visar Krasniqi, RTK

LDK po harton një “Program të rimëkëmbjes ekonomike”, ndërsa PDK dhe AAK kanë bërë të ditur shumat milionëshe që duhet të investohen për ekonominë.

Një seancë e jashtëzakonshme pritet të mbahet deri në fund të javës për të diskutuar masat për ta mbrojtur ekonominë e vendit. Kështu të paktën pretendon kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ai tha se duhet të ruhen bizneset dhe sektori privat me masa të qarta pas pandemisë.

Kadri Veseli, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës tha se pjesa më e rëndësishme është çka do të bëjmë pas pandemisë.

"Kemi të bëjmë me 280 mijë punonjës në sektorin privat, të cilët sot po rrezikojnë të mbesin në skema sociale,  e kam inicuar edhe një seancë të jashtëzakohsme për të premtën. është një pako prej 320 milionë euro, e cila do t'i ndihmoj punonjësit e sektorit privat, por edhe ndërmarrësit, do ti ndihmojnë edhe punonjësit shëndetor edhe komunat, që duhet me pas mjete për ballafaqim dhe mjete financiare, shpresoj se të premten do te jetë dite e bashkimit të spekrit politik në Kosovë".

Ish-zv/kryeministri Avdullah Hoti i tha RTK-së se LDK-ja ka angazhuar një grup të gjerë ekspertësh për vlerësimin e pasojave ekonomike dhe sociale, të menjëhershme dhe në afat të gjatë, që rezultojnë nga pandemia COVID-19.

“Bazuar në këtë vlerësim, do të zhvillojmë masat për mbështetje të ekonomisë private, investimeve të jashtme e të brendshme, ndërmarrjeve publike, bujqësisë, si dhe masa për mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara, siç janë familjet në skema sociale e pensionale dhe ata që humbin vendet e punës si rezultat i pandemisë. Orientimi ynë është të zhvillohet një “Program i rimëkëmbjes ekonomike”, përmes mobilizimit të të gjitha burimeve financiare dhe jofinanciare, duke siguruar gjithashtu likuiditetin e bankave dhe qëndrueshmërinë e buxhetit të shtetit. Ky program do të diskutohet gjerësisht me odat ekonomike dhe do të miratohet në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Për një plan të ri ekonomik ka folur edhe deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi.

“Të sigurohet një fond shtesë prej 300 milionë euro, që do të investohej në sektorët si prodhim, tregti, gastronomi, turizëm, hoteleri, trasnport, ndërtimtari, TI, media dhe të tjerë. Në si AAK e shohim të nevojshme mbledhjen e Kuvendit, për të adresuar masat që duhet ndërmarrë për të mbrojtur rreth 320 mijë punëtorët e sektorit privat, rreth 80 të sektorit publik, 69.500 biznese aktive, që sot po ballafaqohen me vështirësi të mëdha”.

Banka Qendrore ka konfirmuar javën e kaluar se ekonomia e vendit për këtë vit mund të bjerë nga 2 deri në 4%.


MË SHUME NGA Ekonomi