EIA rishikon parashikimet për çmimin e naftës Brent
Administrata amerikane e Informacionit të Energjisë (EIA) ka rishikuar parashikimin e saj për çmimin e naftës së papërpunuar Brent për vitin 2020 me 10 dollarë për fuçi, sipas raportit të saj mujor afatshkurtër të Energjisë (STEO) për muajin prill.
Standardi ndërkombëtar tani pritet të arrijë mesatarisht 33 dollarë për fuçi këtë vit, që është më i ulët se vlerësimi i mëparshëm prej 43 dollarë për fuçi.
Ndërsa parashikohet që nafta e papërpunuar Brent të jetë mesatarisht 23 dollarë për fuçi gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, ndërkaq parashikohet të jetë mesatarisht 30 dollarë për fuçi gjatë gjysmës së dytë të vitit.
EIA tha se parashikon që nafta Brent të rritet në një mesatare prej 46 dollarë për fuçi në vitin 2021, pasi që "kompensimi i zvogëlimit të rezervave globale të naftës bën presion në rritje të çmimeve".
Raporti mujor afatshkurtër i Energjisë në mars, uli parashikimin e EIA-së për naftën Brent për këtë vit me 18 dollarë për fuçi.
"Pandemia COVID-19 ka shkaktuar ndryshime të rëndësishme në furnizimin me energji dhe modelet e kërkesës", tha EIA në raportin e saj mujor afatshkurtër të Energjisë në prill.
"Çmimet e naftës bruto, në veçanti, kanë rënë ndjeshëm që nga fillimi i vitit 2020, kryesisht të ndikuara nga tkurrjet ekonomike të shkaktuara nga COVID-19 dhe rritja e papritur e furnizimit të naftës së papërpunuar pas pezullimit të frenimit të prodhimit të rënë dakord më parë midis OPEC-ut dhe vendeve partnere", shtoi ai.
OPEC-u dhe aleatët e saj dështuan më 6 mars për të rritur frenimin e prodhimit. Vendet anëtare të grupit të njohur si OPEC-plus do të zhvillojnë të enjten një telekonferencë për të bërë frenime të rëndësishme të prodhimit të tyre.
Gjithashtu parashikimet e EIA-së për prodhimin e naftës së papërpunuar të SHBA-ve ishin me ulje për këtë vit me 1.2 milionë fuçi në ditë, sipas parashikimit për prillin.
Prodhimi i naftës së papërpunuar në vend tani vlerësohet të jetë mesatarisht 11.8 milionë fuçi në ditë në vitin 2020, në krahasim me pritshmërinë e mëparshme prej 13 milionë fuçi në ditë sipas raportit për marsin.
SHBA-të tejkaluan Arabinë Saudite dhe më pas Rusinë në nëntor 2018 duke u bërë prodhuesi më i madh i naftës së papërpunuar.























