Veprimi kolektiv i BE-së do të përqendrohet në trajtimin e krizës
BKT
Ekonomi

Veprimi kolektiv i BE-së do të përqendrohet në trajtimin e krizës

Komisioni Europian dhe Përfaqësuesi i Lartë përcaktuan planet për një reagim të fuqishëm dhe të synuar të BE-së për të mbështetur përpjekjet e vendeve partnere në trajtimin e pandemisë së koronavirusit.

“Veprimi kolektiv i BE-së do të përqendrohet në trajtimin e krizës së tanishme shëndetësore dhe nevojave humanitare që vijnë prej saj, forcimin e sistemeve të shëndetësisë, ujit dhe kanalizimeve të vendeve partnere, si dhe kapaciteteve të tyre kërkimore dhe të gatishmërisë për t’u marrë me pandeminë, si dhe për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik. Për të mbështetur këto veprime, BE-ja do t’ju sigurojë vendeve partnere mbështetje financiare që arrin në më shumë se 15.6 miliardë Euro nga burimet ekzistuese të veprimit të jashtëm” njofton zyra e BE-së.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, komentoi: “Virusi nuk njeh kufij. Kjo sfidë globale ka nevojë për bashkëpunim të fortë ndërkombëtar. Bashkimi Evropian po punon pa u lodhur për ta luftuar pandeminë. Të gjithë e dimë se vetëm së bashku mund ta ndalojmë përhapjen e koronavirusit në mbarë botën”. Përfaqësuesi i Lartë / Zëvendëspresidenti Josep Borrell, shtoi: “Pandemia e koronavirusit kërkon reagim me veprime të përbashkëta dhe globale. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e tij Anëtare po luajnë rolin e tyre për trajtimin e kësaj krize shëndetësore dhe pasojave të saj të rënda – brenda dhe jashtë kufijve”.

Reagimi i BE-së pason qasjen “Ekipi i Evropës”, që synon të shpëtojë jetë duke siguruar një mbështetje të shpejtë dhe të synuar për partnerët tanë për t’u përballur me këtë pandemi. Ai kombinon burime nga BE-ja, Shtetet e saj Anëtare dhe institucionet financiare, veçanërisht Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Paketat e para të Ekipit të Evropës tashmë po zbatohen në Ballkanin Perëndimor dhe në vendet e afërta fqinjë.


MË SHUME NGA Ekonomi