Slloveni, PBB-ja mund të ulet deri në 16% për shkak të koronavirusit
Përhapja e koronavirusit do të dëmtojë ekonominë e Sllovenisë më tepër sesa kriza financiare e vitit 2008, pasi ekonomia e vendit parashikohet të tkurret nga 6.2% deri në 16.1% në vitin 2020, tha të martën Banka Qendrore.
Vlerësimet bazohen në tre skenarë të parashikuar nga banka qendrore që supozojnë një numër të ndryshëm javësh, përkatësisht 6, 10 dhe 14 javë, për mbylljen ekonomike në vazhdim, njoftoi Banka e Sllovenisë.
Sipas analizës, konsumi privat do të bjerë nga 2.4% në 9.0% në nivel vjetor, në varësi të skenarëve të ndryshëm, ku rënia më e theksuar pritet në tremujorin e dytë të vitit.
Punësimi do të bjerë nga 1.8% në 4.7%, ndërsa shkalla e papunësisë mund të dyfishohet. Në të njëjtën kohë, çmimet mund të bien me një mesatare prej 1%, tha banka qendrore. Sipas këtij parashikimi, vetëm rënia e PBB-së do të rezultojë në ngritjen e nivelit të borxhit publik të Sllovenisë në 70-80% të PBB-së, por këto vlerësime nuk përfshijnë përgjigjen fiskale të qeverisë ndaj krizës, që nga njëra anë, do të rrisë vlerën nominale të borxhit dhe nga ana tjetër, do të zbusë disi rënien e aktivitetit ekonomik.
“Fillimi i ciklit të ri të investimeve do të varet nga aftësia e kompanive dhe bankave për të mbijetuar në periudhën e lehtësimeve kufizuese”, njoftoi Banka.
Bankat vendore kanë fonde të mjaftueshme për të përballuar skenarin më të keq, i cili mund t’i privojë ato nga rreth 2,0 miliardë euro fluks parash në rast se të gjitha kompanitë kërkojnë një shtyrje të pagesave të kredisë, për shkak të krizës së koronavirusit. "Mungesa e fluksit të parave në këtë rast do të jetë e barabartë me 35% të likuiditetit parësor" njoftoi Banka e Sllovenisë.























