Sektori i veshjeve në Rumani po përballet me një krizë rekrutimi
Industria e veshjeve dhe tekstileve në Rumani po përballet me një krizë rekrutimi dhe ekspertët i druhen faktit se sektori do të ketë vështirësi në gjetjen e një strategjie për punësim të qëndrueshëm, për të siguruar një rritje afatgjatë.
Një studim nga projekti Saratoga i PwC-së për burimet njerëzore, i publikuar në fund të vitit të kaluar, arriti në përfundimin se Rumania po përballet me një “mungesë akute të fuqisë punëtore”, dhe ka nevojë për rreth një milion punëtorë shtesë, për të arritur një rritje ekonomike prej 3.5% deri në vitin 2023. Industria e veshjeve dhe tekstileve nuk bën përjashtim; midis viteve 2014-2018, numri i njerëzve që punojnë në prodhimin e veshjeve ra me rreth 21.5% dhe në vitin 2018, rreth 8.500 ndërmarrje punësuan rreth 199.400 punëtorë, sipas Eurostat, agjencisë statistikore të Bashkimit Europian (BE).
Fushata e Veshjeve të Pastra ka përllogaritur se numri total i punëtorëve zyrtarë dhe informalë në sektor, arrin në rreth 400,000 njerëz. Ajo ka theksuar se gjatë dhjetë viteve të fundit, fabrikat e veshjeve dhe tekstileve në Rumani kanë kërkuar vazhdimisht punëtorë, pasi pagat e ulëta, kushtet e dobëta të punës dhe pagat më të mira gjetiu, kanë penguar rekrutimin e tyre.
Për më tepër, shkalla e papunësisë në Rumani është 3.2%, një nivel i ulët historik, vëren Madalina Pasca, menaxhere e organizatës PwC Rumania. “Kategoria e punëtorëve që merren me punë fizike e ka ndier më tepër krizën. Dhe ndërsa këta punëtorë mbizotërojnë industrinë e tekstilit, kompanitë po e ndiejnë ndikimin”. Vlerësohet se 46.8% e punëtorëve mund të ndërrojnë punë në Rumani gjatë këtyre viteve.
“Sfidat për industrinë e tekstilit janë të ngjashme me të gjitha industritë që punësojnë punëtorë, të cilët merren me punë fizike”, shton Corina Cimpoca, themeluese e MKOR Marketing Consulting, me seli në Bukuresht. Punëtorët manualë përbëjnë një pjesë të madhe të “migracionit të forcës punëtore në Rumani vitet e fundit” dhe sektori i veshjeve dhe tekstilit është “i ndikuar veçanërisht nga mungesa e aftësive dhe popullariteti i ulët i arsimit teknik”.
Vështirësi të tilla, shoqëruar me kosto relativisht të larta krahasuar me qendrat e tjera të jashtme, kanë ndihmuar disa ndërmarrje ndërkombëtare prodhuese të zhvendosen në vendet e afërta të prodhimit.
Një shembull i mirë është Hanes Global Supply Chain Rumania, në pronësi të SHBA-së, e cila shkurtin e kaluar (2019) mbylli një fabrikë në Zonën e Tregtisë së Lirë Arad-Curtici, në Rumaninë Perëndimore. Gjithashtu, Rieker, një këpucar zviceran, mbylli një njësi ku punësonte 663 njerëz në qytetin perëndimor të Lugoj, në të njëjtin muaj.
Varësia ndaj eksporteve
Nëse Rumania do të kishte një treg të qëndrueshëm veshjesh, ku konsumatorët do të blinin më tepër marka lokale, në vend do të mbetej më tepër vlerë e shtuar, duke lejuar rritjen e pagave.
Por Cimpoca vëren se prodhimi më i madh shkon për eksport dhe konsumi i brendshëm furnizohet me shumicë nga importet, ku vetëm 3% deri në 4% e veshjeve blihen nga marka të njohura kombëtare, si Braiconf apo Nissa.
Kjo varësi nga eksporti ka ardhur duke u rritur. Ndërsa prodhimi veshjeve në vend ka rënë nga 3.9 miliardë euro në vitin 2014 në 3,5 miliardë dollarë (3.74 miliardë dollarë) në vitin 2019, sipas statistikave nga MKOR Marketing Consulting, eksportet janë rritur me 3% midis 2017-2018, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Statistikave (Institutul National de Statistica INS).
Importet janë rritur, vëren federata e industrisë së veshjeve dhe tekstileve FEPAIUS (Federatia Patronala a Textilelor, Confectiilor si Pielariei), duke ia kaluar vlerës së eksporteve që prej vitit 2016.
Për më tepër, fakti që MKOR Consulting parashikon një rënie të mëtejshme të eksporteve me 1.5%, nuk tregon aspak shenja optimiste.
Si duhen përballur këto probleme
Pasca argumenton se rritja e pagave nuk është përgjigjja, veçanërisht nëse “nuk lidhet në mënyrë të domosdoshme me produktivitetin”. Përkundrazi, punëdhënësit rumunë mund dhe duhet “të përqendrohen në prezantimin e paketave të përfitimit dhe shpërblimit si dhe të tërheqin grupet e tjera të popullsisë, siç janë nënat beqare që kanë nevojë për fleksibilitet në orarin e punës ose njerëzit që banojnë në zona të largëta”.
Ajo sugjeron se të investosh në “përvojën e punonjësve”, duke ofruar orë më fleksibël dhe mundësi të rritjes në karrierë që tërheqin veçanërisht punëtorët e moshave të reja, janë gjithashtu mundësi të mira. Punësimi i punëtorëve të huaj mund të funksionojë, por Pasca thotë se kompanitë duhet të tregohen të kujdesshme. Në vitin 2018, qeveria hoqi një ligj që kërkonte që punëtorët e huaj të përfitonin të paktën pagën mesatare bruto që marrin rumunët, duke u kërkuar punëdhënësve që të paguajnë pagat minimale. 30,000 leje pune u dhanë gjatë vitit 2019 për punëtorët e huaj jashtë Bashkimit Europian. Vietnami, Sri Lanka, India dhe Nepali, janë burimet kryesore jashtë BE-së për punë të huaj në sektorin e veshjeve dhe tekstileve të Rumanisë, sipas burimeve të lajmeve rumune.
Vendimi për të punësuar punëtorë të huaj duhet të ndiqet nga një analizë e hollësishme e kostos dhe përfitimit, këshillon Pasca. “Në disa raste, kjo mund të jetë më e kushtueshme në të gjitha aspektet, duke filluar nga rekrutimi i stafit deri te trajnimet. Pagimi i punëtorëve të huaj më shumë se rumunët do të vlerësohej si diskriminues; dhe në disa raste, mundësitë në vendet e tjera të Europës janë më tërheqëse”, duke e bërë rekrutimin e punëtorëve të vështirë.
Përkundrazi, thotë Cimpoca, qeveria rumune duhet të mbështesë përpjekjet e sektorit privat për të bindur rumunët jashtë vendit që të kthehen në shtëpi dhe “t’i motivojnë ata që janë ende në vend”.























