Pandemi ekonomike
BKT
Ekonomi

Pandemi ekonomike

Visar Krasniqi, RTK

Kosova nuk është imune ndaj efekteve negative në ekonomi që po sjell Pandemia globale.

Në këtë drejtim, Ministria e Financave ka koordinuar një pako të hyrash nga institucionet financiare ndërkombëtare që kapin shumën prej 250 milionë eurosh. Shumica e të cilave janë kredi.

Lajm të mirë nga Uashingtoni, e ka quajtur Ministri në detyrë i financave, Besnik Bislimi, financimin prej 52 milionë eurove për t'i minimizuar pasojat nga virusi Covid-19.


Besnik Bislimi, Ministër në detyrë i Financave, tha se ky financim vjen në një periudhë mjaft kritike për vendin, dhe me këtë rast Ministria e Financave dhe Transfereve vlerëson lart mobilizimin e shpejtë të ekipit teknik të FMN-së dhe aprovimin e menjëhershëm të këtij financimi nga Bordi Ekzekutiv. "Në ditët dhe javët në vijim presim edhe aprovime të financimeve nga institucionet tjera financiare ndërkombëtare”, tha ai.

Ditë më parë, drejtoresha Menaxhuese, Kristalina Georgieva, ka thënë se bota përballet me krizën më të rëndë ekonomike që nga Depresioni i Madh i të ‘30-ave.

Georgieva ka thënë se nëse pandemia lehtësohet në gjysmën e dytë të 2020-s, FMN-ja pret një rikuperim të pjesshëm në vitin e ardhshëm. Por ajo ka paralajmëruar se situata edhe mund të përkeqësohet.

Ministrat e financave të BE-së kanë rënë dakord për një paketë prej 500 miliardë eurosh, të premten,  për t'i mbështetur vendet anëtarë të goditura nga Covid-19.
Paketa e ndihmës përfshin mbështetje për qeveritë, kompanitë dhe punëtorët.
Për ta lehtësuar situatën, eksperti i ekonomisë i sugjeron institucioneve të Kosovës që të bëjnë përpjekje të bëhen pjesë e një Plani Marshall për Evropën.

Safet Gërxhaliu ekspertë i ekonomisë, tha se është një qasje më serioze rreth përpilimit të një plani marshall për zhvillim ekonomik edhe të botës, në veçanti të Evropës. "Në këtë drejtim duhet shumë miliarda për të investuar. Nuk duhet Kosova të lejoj të mos jetë pjesë e një pakoje të tillë, sepse vetëm këtu mund ta gjejmë shpëtimin…Po e them, do të ketë debat, do të argumentohet në forma të ndryshme, por nuk e besoj që për momentin Qeveria e Kosovës ka komoditet që vetëm nga buxheti i vetëm që posedon t’i përmbush të gjitha këto kërkesa, të cilat jo vetëm që janë 300 milionë euro, por ato tejkalojnë në një masë shumë më të madhe. Ne e dimë kur ka filluar koronavirusi, dhe kur është shfaqë, por nuk e dimë fundin”, tha ai.

Nga ana tjetër, zv/ministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi, ka shkruar se kredimarrja është element i fundit për t'i tejkaluar vështirësitë ekonomike në kohën e Koronavirusit. Ai ka thënë se duhet parë të gjitha mundësitë për kursime duke përfshirë shtyrjen pa hezitim të projekteve të reja kapitale, shterje të implementimit të projekteve të filluara aty ku detyrimet financiare mund të shtyhen, e kursime të tjera.
 


MË SHUME NGA Ekonomi