Kur Vraja sundohej nga familja shqiptare Gjinolli

Kur Vraja sundohej nga familja shqiptare Gjinolli

Dr. Qazim Namani

Familja Gjinolli dhe sundimi i tyre në qytetin e Vrajës

Gjatë shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX, Pashallarët shqiptar qeverisnin si gjysmë të pavarur, e kishin ushtrinë e tyre, mirëpo dhe shpesh herë i harxhonin potencialet e tyre ushtarake, duke luftuar mes veti, për grabitje të pronës, dhe territoreve të njëri tjetrit.

Në vitin 1765 Raif Beg Gjinolli, pasi e kishte shtrirë sundimin e tij në Vrajë, në oborrin e tij i kishte ndërtuar dy ndërtesa luksoze për atë kohë. Ndërtesat ishin ndërtuar në dy kate, dhe në të dy ndërtesat në katin e dytë, në pjesën qendrore ishte ndërtuar salloni, nga një dhomë paksa më e madhe, dhe disa dhoma tjera më madhësi të njëjtë dhe formë simetrike që të gjitha kishin qasje në sallon.

Të gjitha dhomat ishin të punuara me tavan prej druri, të gdhendura dhe zbukuruara me motive të ndryshme. Në ndërtesën e parë, e renditur nga ana jugore, në katin e parë jetonte pasha me gardën e tij mbrojtëse. Në ndërtesën kah ana lindore jetonin gratë. Salloni në katin e parë, në shtëpinë e grave e kishte divanin, në shtrirje gjysmë rrethore. Ndërtesat lidhen mes veti me një galeri, të punuar prej druri, në formë ure, në mënyre që banoret e këtyre objekteve mund të shkojnë, prej një ndërtesë, në ndërtesën tjetër, pa zbritur në katin e parë.

Oborri i këtyre dy ndërtesave, ishte i rrethuar me një mur të lartë, dhe një portë hyrëse. Të dy këto ndërtesa ishin ndërtuar, nga mjeshtërit më të mirë shqiptar, duke u bazuar në shijen e pashës dhe arkitekturën qytetare të kohës.

Foto 1. Konaku i Pashës në Vrajë, ku qëndroi pasha dhe quhej selamllëk. Foto 2. Ndërtesa ku jetonin gratë që quhej “Haremlluk”.  Këto objekte, banesa qytetare, njihen si kompleksi më i bukur i ndërtuar në rajon gjatë shekullit XVIII.

Pas pushtimit të Vrajës, nga ushtria serbe gjatë krizës lindore, këto ndërtesa u bën  shkollë e mesme serbëve.

Në vitin 1960, ndërtesa ku kishte qëndruar pasha, u kthye në muze të qytetit, ndërsa  ndërtesa ku kishin qëndruar gratë, në vitin 1993, u bë restorant.

Pashallarët shqiptar që u fuqizuan shumë gjatë shekullit XVIII, krijuan pasuri të madhe nga taksat që i vilnin në popull. Pasi u pasuruan shumë ata zhvilluan jetë të ç’frenuar dhe të mbushur me plotë aventura dhe mizori njerëzore.

Në qytetet ku zotëronin këta pashallarë, pranë objekteve të tyre të banimit, ndërtuan edhe Hane, hamame, dhe objekte tjera publike.

Në hane zakonisht i sillnin që të punojnë vajzat dhe gratë më të bukura, që i mblidhnin te familjet e varura prej tyre. Në çifligjet e tyre po ashtu sillnin familje të varfra, që të punojnë tokat bujqësore për interesat e pashallarëve. Gjatë sundimit të tyre, rreth qyteteve dhe në tokat pjellore, edhe pashallarë e bejlerët tjerë të familjes së Gjinollëve në Kosovën, i sotme sollën shumë familje të varfra shqiptare, të besimit ortodoks në tokat e tyre. Këto familje punuan në çifligjet e tyre,  edhe pasi u shua sistemi feudal i pashallëqeve, deri në vitin 1912, kur P.Osmane përfundimisht u largua nga trojet tona. Të gjitha këto familje shqiptare ortodokse, më pas u serbizuan. Shembujt e serbizimit të familjeve ortodokse shqiptare, sot i hasin në tërë territorin e Kosovës së sotme dhe në rajon.

Gjatë përvojës time në terren, për hulumtimin e gjurmëve të trashëgimisë kulturore, kam vërejtur se popullata ortodokse, që ka jetuar gjatë sundimit osman në trevat shqiptare, ishte me origjinë shqiptare, por që me kohë u serbizuan. Si shembull kisha me përmend fshatin Gushtericë afër Janjevës, sot i banuar vetëm me popullatë serbe. Në vitin 2013 në këtë fshat pata rastin të bëjë një hulumtim lidhur me gjurmët e trashëgimisë kulturore në këtë fshat. Gjatë bisedës me banorët,  njëri nga banorët e fshatit, pohoi se kur pasha i Gjinollëve, e kishte sjellë familjen e tij në Gushtericë, nga rrethina e Nishit, kjo ishte familja e gjashtë e vendosur në këtë fshat. Një tjetër banorë tha se kur pasha i Gjinollëve na solli në Gushtericë, prej një fshati afër Gjilanit, ishim familja e 14 në fshat.

Siç shihet pasha i Gjinollëve këto familje ortodokse shqiptare, i kishte sjellë në Gushtericë, dhe ju kishin dhënë shumë toka për të punuar. Po kështu kishin vepruar edhe në shumë fshatra tjera ku sundonin Gjinollët.

Pas rënies së pashallëqeve, me përkrahjen e politikës ruse, por edhe nga vet sulltani, dhe Patroarkana e Stambollit, ortodoksët i fituan liritë elementare në religjion dhe në arsim. Me lejen e sulltanit, dhe përkrahjen e Rusisë, në gjysmën e shekullit XIX, për ortodoksët në Kosovë, u hapën shkolla laike dhe seminare kishtare në gjuhën serbe. Pas hapjes së këtyre shkollave, të gjithë ortodoksët shqiptar un serbizuan. Në vitin 1882, në fshatin Gushtericë, është ndërtuar shkolla fillore në gjuhën serbe, ndërsa kisha e fshatit është ndërtuar mbi themelet e një objekti të vjetër arkeologjik.

Pashallarët dhe bejlerët e familjes Gjinolli, me kohë kishin krijuar lidhje të ngushta, me familjet shqiptare ortodokse shqiptare, që punonin në pronat e tyre.

Kjo lidhje ishte forcuar sidomos, kur Maliq Beg Gjinolli i Gjilanit, u martua me Marijen (Bejaze Hëmnin), e cila ishte bijë e një familje ortodokse shqiptare, që më parë ishte sjellë të punojë në pronat e tij. Maliqi me Marijen i kishin dy fëmijë, Hamdiun dhe Jasharin.

Bejaze Hëmni ishte bijë e një familje ortodokse shqiptare, që Gjinollët e Gjilanit e sollën në fshatin Pasjan. Gjinollët kanë sjellë mjaftë shumë familje ortodokse në çifligjet e tyre në shumë fshatra të Kosovës. Në ato vite ata dërgonin, për të punuar vajzat e bukura në hanet e qyteteve, por Bejaze Hëmnin për bukurinë e saj që e kishte Maliq Beu e mori për grua. Në fshatin Pasjan Maliq Beg Gjinolli e ndërtojë kishën për hir të dashurisë që kishte ndaj të bardhës Bejaze Hëmnit. Bejaze Hëmni ishte nëna e Jashar Pashë Gjinollit, që më vonë jetoi në Prishtinë. Për fat të keq pas rënies nga pushteti të familjes Gjinolli, të gjitha këto familje ortodokse shqiptare, që u vendosën në pronat e tyre u serbizuan.

Foto 1. Kisha e ndërtuar nga Maliq Beg Gjinolli, për hatër të Bejaze Hëmnit, në fshatin Pasjan, Komuna e Gjilan, Foto 2. Gurë varrezash të vjetra në kompleksin e varrezave të kësaj kishe.

Lidhjet e ngushta me familjet ortodokse shqiptare, vazhduan edhe më vonë, edhe në pashallëqet tjera shqiptare, ku sundonin pashallarët e familjes Gjinolli.

Kjo praktikë e bashkëpunimit dhe veprimit, me ortodoksët shqiptar brenda  territorit të pashallëqeve, vërehen më së miri, në politikat e brendshme dhe të jashtme që i zhvillonte Hysen Pashë Gjinolli i Vrajës.

Në fillim të shekullit XIX, sundimtar në pashallëkun e Vrajës ishte Zempre Qorr Mehmet Pashë Gjinolli. Gjatë sundimit të tij, popullata në sanxhakun e tij, jetonte në presion të madh, nga vjelja e taksës, dhe përjetonte dhunë në forma të ndryshme prej tij. Ky pasha gjatë sundimit të tij, njihej si njeri i prirë për lukse,  aventura dhe shtypje të popullatës. Në vitin 1815, ky pasha duke mos mundur të udhëheq më tutje, këtë e zëvendësojë djali i tij i madh Rashit Beu. Pas dy viteve, Rashit Beu dha dorëheqje, dhe qeverisjen ja dorëzoi vëllait të tij Hysenit.

Hysen Pashë Gjinolli, nën ndikimin e Patriarkanës së Stambollit, dhe mitropolit të saj në Shkup, ortodoksëve në sanxhakun e tij ju dha mjaftë liri. Ai i zbatonte marrëveshjet e arritura në mes të Rusisë dhe P. Osmane. Hysen Pasha duke mbajtur raporte të mira me mitropolinë e Shkupit dhe Milosh Obrenoviqin, ortodoksëve në sanxhakun e tij ju jepte privilegje, atyre nuk ju merrte armët edhe kur urdhërohej nga Sulltani. Hysen Pasha  dhe Millosh Obrenoviqi, gjatë kësaj periudhe shkëmbenin dhurata të ndërsjella mes veti.

Gjatë kësaj periudhe, shqiptarët ishin të organizuar në fise, bajraqe, fe e klane që në masat e gjëra të popullit nuk kishte ndonjë unitet, por ishin njëfarë urrejtje mes këtyre grupeve të interesit, andaj P. Osmane arrinte që ti shuaj kryengritjet e tyre.

Për ti shuar kryengritjet shqiptare, P. Osmane i vrau qindra bejlerë shqiptarë dhe një numër i madh i tyre u internuan në Azinë e Vogël. Shqipëria që ndahej në veri, ku jetonin gegët dhe në jug të banuar me toskë shpesh herë kishin mos pajtime mes veti, për të arritur një organizim gjithë kombëtar. Këto mospajtime i përkrahte pushteti osman. Sulltani nuk lejonte unitetin e bejlerëve  dhe pashallëqeve shqiptare. Kjo ndikoj që shqiptarët e veriut nuk bashkoheshin në të njëjtën kohë, me lëvizjet shqiptare në jug dhe anasjelltas.

Gjatë kryengritjeve shqiptare 1826-1832, Hysen Pasha dukej se nuk e kundërshtonte sulltanin, por në anën tjetër bashkëpunonte edhe me kryengritësit shqiptar. Në vitin 1829, Hysen Pasha mblodhi ushtarë, për ta ndihmuar kryengritjen e Mustafa Pashë Bushatliut. Pas paqes së Edrenës 1829, Hysen Pasha ju dha liri edhe më të mëdha popullatës ortodokse, që jetonin në pashallëkun e tij. Hysen Pasha, rinovoj kishat e vjetra, dhe ndërtoj disa të reja për ortodoksët, dhe për këtë nderohej dhe merrte lëvdata. Në këtë periudhë Hysen Pasha, i kishte disa mos marrëveshje, me mitropolinë  Gavril në dioqezën e Shkupit.

Në gjysmën e parë të shekullit XIX ishte arritur kulmi i kryengritjeve shqiptare.

Kryengritjet shqiptare të udhëhequra nga Mustafa Pashë Bushatliu, gjatë viteve 1826-1832, u shuan. P. Osmane, pas ngadhënjimit ndaj kryengritësve shqiptarë, i shtoi taksat dhe fillojë të mbledhë nizam për ushtrinë e rregullt të sulltanit.

Pashallarët shqiptar që ju nënshtruan sulltanit, i ashpërsuan presionet ndaj popullit shqiptar, për të vjelë taksa dhe rekrutuar nizam, kjo ndikojë që të shtohet  urrejtja e popullit ndaj tyre.

Mitrolpoli i Shkupit, e paditë Hysen Pashën në Stamboll. Duke u bazuar në padinë e mitropolit Gavril, Hysen Pasha, në vitin 1835 thirret nga sulltani, që të shkojë në Stamboll. Pasi shkojë në Stamboll, sulltani kërkojë nga ai të ju bindej urdhrave të sulltanit, për zbatimin e reformave, dhe të mos ndërhyjë në punët e kishës dhe popullatës ortodokse.

Edhe përkundër gjithë këtyre presioneve të shtuara popullata shqiptare, nuk u dorëzua, por fillojë të ri organizohet, për të kundërshtuar reformat e tanzimatit, të vitit 1839. Kryengritjet që vazhduan në këtë kohë, nuk udhëheqshin nga pashallarët dhe feudalët e mëdhenj shqiptar, por në krye të lëvizjeve dolën klerik fetar, dhe disa nga ajanët e fshatrave dhe qyteteve shqiptare.

Me qenë se Hysen Pasha në kalanë e Vrajës, për sigurinë e tij e mbante një numër mjaftë të madh të shqiptarëve ortodoks, nga trevat jugore të Shqipërisë, në vitin 1839, kishte dhënë leje për ndërtimin e një kishe në Vrajë. Për ndërtimin e kësaj kishe, kishte pasur mjaftë reagime prej popullatës myslimane të qytetit, e të cilët filluan ti përkrahin kryengritësit shqiptar që  kishin filluat të organizohen në rrethinën e Vrajës.

Rëndësi të veçantë pas shuarjeve të kryengritjeve që i drejtonte Mustafa Pasha, kanë, kryengritjet e viteve dyzeta të shekullit XIX, që në fillim u përfshinë shqiptaret e Kosovës, Maqedonisë së sotme, Çamërisë, Labërisë dhe gjithë trevave etnike shqiptare

Po ashtu gjatë kësaj kohe u zhvillua mjaftë shumë bektashizmi, duke u bërë si fe e tretë në trojet shqiptare, e që shpesh promovonin ideologji, për autonomi të veçantë fetare e kulturore. Bektashizmi ishte zhvilluar edhe ne Leskoc, Vrajë, Bujanoc e Preshevë, forcimi i tyre, nuk i pëlqente Hysen Pashë Gjinollit.

Në vitin 1841, Hysen Pashës prej sulltanit, ju kishte dorëzuar programi i reformave për shfuqizimin e marrëdhënieve feudale, dhe ndryshimin e administratës.

Popullata shqiptare ngriti shpesh krye, kundër Hysen pashës edhe pse ky ishte më origjinë shqiptare, për shkak se ky pasha ishte i pangopur për prona dhe para. Hysen pasha, e mundonte shumë popullatën, i shtinte me dhunë të punojnë në tokën e tij, shpesh i përvetësonte  me dhunë pronat e fshatarëve dhe bejlerëve tjerë, duke i bashkuar me çifligjet e tij. Me plaçkën që e bënte në popull, ai e kishte krijuar një pasuri të madhe, por edhe kishte lejuar që të zhvillohet shkala e amoralitetit, që i kishte prekur të gjitha shtresat e popullatës, në qytetin e Vrajës.

Nga burimet serbe, kuptojmë se, në prag të kryengritjes së popullatës,  për motive të ulëta morale, në Vrajë një njëri e vranë një pop. Popin e kishte vrarë një njeri që kishte ardhur të jetoi në Vrajë nga fshati Konqul. Flitej se arsyeja e vrasjes së tij kishte qenë, provokimi i popullatës myslimane, për shkakun e shitjes së mishit të derrit në çarshinë e Vrajës. Si duket kjo ngjarje është shtrembëruar nga studiuesit serbë, duke u munduar që kësaj vrasje ti japin motive politike, fetar e nacionale, andaj ky version i vrasjes së popit, bien desh me shkrimet e studiuesve tjerë serioz.

Nga Aleksandër Matkovski, për këtë rast kuptojmë se, Hysen Pashë Gjinolli në këtë kohë, e vari një prift dhe dy turkesha imorale. Nga kjo e dhënë kuptojmë për shkallën e degjenerimit dhe amoralitetit, që zhvillohej gjatë sundimit të Hysen Pashës në qytetin e Vrajës. Për këto arsye dhe sjelljeve të Hysen Pashës, në qytetin e Vrajës dhe në fshatra, ishte krijuar një urrejtje e madhe ndaj tij.

Rexhep Selimi në shkrimet e tij, për Vrajën dhe Preshevën, jep disa të dhëna, për karakterin e ulët të Hysen Pashë Gjinollit. Mes tjerave ai shkruan se Hysen Pasha i Vrajës, në vitin 1842, kishte kaluar nëpër çifligjet e Sheh Selimit, në fshatin Tabanoc. Duke i parë tokat pjellore, me kopshte të rregulluara mirë, kroje dhe lum të bukur, nga lakmi për të ja marrë, dhe motivet e xhelozisë, i paguan dy shqiptarë që në pabesi, ta vrasin Sheh Selimin. Shqiptarët e paguar njëri ishte prej Preshevës, ndërsa tjetri nga fshati Norçë. Në muajin gushtë të vitit 1842, këta të dytë e vrasin një sheh tjetër në fshatin Tanaboc, duke menduar se e kanë vrarë sheh Selimin. Në atë kohë Sheh Selimi kishte qenë në Stamboll. Sheh Selimi kur kthehet prej Stambolli, dhe kuptohet se ai nuk është vrarë, Hysen Pashë Gjinolli i revoltuar, e ftojë Sheh Selimin, që të shkojë në sarajet e tij. Sheh Selimi duke e parë se po i përgatitej tradhtia, duke mos u pajtuar me sjelljet e pashës, vendosi që ky vet ta vrajë Hysen Pashë. Para shkuarjes te Hysen Pasha, Sheh Selimi, e njoftojë një mikun e tij në Bujanoc,  për  vendimin që e kishte marrë, për ta vrarë pashën në sarajet e tij. Sheh Selimi kur ofrohet të sarajet e pashës, pa e pyetur fare rojën e parë, dhe të dytë hynë brenda. Porsa hynë brenda roja e tretë e pengojë Sheh Selimin, që të hyjë te Hysen Pasha. Sheh Selimi nga zemërimi, hap zjarr duke i plagosur rojën dhe Hysen Pashën. Një roje tjetër, në ato momente, me shpatë i prenë kokën Sheh Selimit. Sheh Selimi me kokën e prerë varroset në tyrben e Preshevës.

Në varrimin e Sheh Selimit, kishin shkuar mjaftë shumë qytetarë, nga Vraja, Bujanoci e Presheva. Gjatë ceremonisë së varrimit, para masës u shpreh revolta, ndaj Hysen Pashës dhe pushtetit osman. Revoltën ndaj pashës u organizua nga Bajram Vaksinca, Sylejman tali, Selman Rogoçica, Selim Marku, Ymer Presheva, Sheh Hyseni, Sheh Salihu, dhe bejlerë e ajanë tjerë të kësaj ane.

Për sjelljet e Hysen Pashës, dhe mllefin e shprehur për vrasjen e Sheh Selimit, nga popullata shqiptare e asaj ane, është kënduar edhe një këngë:

Hysen Pasha faqe zi

E mbyte shehun për pasuri

Sheh Selimi nuk ka vdekë

Pritna Vrajë çka ka me të gjet.

Kjo ngjarje ndikojë shumë, që në kryengritjen e Dervish Carës, të përfshihen po thuaj e gjithë popullata shqiptare e asaj treve.

Kundër sjelljes së Hysen Pashës, u rreshtuan edhe vëllai i tij Rashit Beu, gruaja më e vjetër në kompleksin e tij, Hanama plakë, Mesin Beu, Kara Agush Beu, dhe disa bejlerë tjerë shqiptar, e filluan komplotin për të ja marrë pushtetin Hysen Pashës.

Në vitin 1843, kurë porta e lartë, e proklamojë Hatisherifin e Gjylhanes në Kosovë, kjo nuk u prit mirë nga popullata shqiptare, menjëherë filluan trazirat dhe popullata u ngrit në kryengritje. Në fillim qendra e kryengritjes u bënë sanxhaku i Shkupit dhe ai i Prizrenit. Zemërimi i madh i shqiptarëve ishte shtuar, kur përveç shtimit të madh të taksës, regrutimit të dhunshëm në ushtrinë osmane, porta e lartë fillojë zëvendësimin e feudalëve shqiptar, me funksionar osman dhe, shtimin e masave represive, për islamizimin e popullatës shqiptare, dhe osmanizmin e administratës.

Për shkak të këtyre masave, rezistenca e shqiptarëve erdhi duke u zgjeruar, dhe në fund të vitit 1843, ajo fillojë të përhapet në të gjitha trevat shqiptare. Në fillim të vitit 1844, kryengritjet shpërthyen në qytetin e Prishtinës, dhe me të shpejtë u zgjeruan edhe në qytetet tjera shqiptare. Kryengritësit, pasi i bllokuan që të veprojnë forcat ushtarake osmane, arritën që ti çlirojnë disa qytete të Kosovës së sotme dhe të Maqedonisë së sotme.

Sipas burimeve arkivore serbe dhe një tregtari nga Aleksinci, të quajtur me emrin Gjorgje, i cili prej datës 12-24 prill të vitit 1844, kishte udhëtuar deri në qytetin e Manastirit, ai kishte treguar se, rruga në ato vise ishte bërë e pasigurt, prej kryengritësve shqiptar. Sipas rrëfimeve të tij midis Velesit dhe Shkupi, në atë kohë ishin mbledhur, rreth 8000 kryengritës shqiptar. Siç duket ku nuk kishte qenë ndonjë tregtar, por ishte ndonjë agjentë serbë, që e kishte pasur si detyrë të jap informata, për zonën në mes të Nishit dhe Manastirit, andaj për këtë kishte shkuar në Manastir, ku ishte koncentruar ushtria e sulltanin. Të rikujtojmë këtë se edhe princi Millosh Obrenoviqi në vitin 1830, e kishte dërguar një informator të vetin, kur Reshid Mehmed Pasha, i cili në atë kohë, i kishte thirrur në një takim, të gjithë pashallarët dhe feudalët e mëdhenj të rajonit.

Në vitin 1844, gjatë zhvillimit të kryengritjeve, ishin ngritur edhe shqiptarët e Nishit, mirëpo për ti shuar kryengritjet porta e lartë, atje menjëherë e kishte dërguar ushtrinë e rregullt të sulltanit, të cilën e udhëhiqte Sabri Mustaf Pasha.

Hysen Pasha Gjinolli, i cili zotëronte pronat në të dy anët e Moravës jugore nga Vraja e deri në Bujanoc. Banorët e Vrajës, Bujanocit dhe të Preshevës u ngritën në kryengritje shpesh herë kundër këtij pashai i cili ishte i pangopur për aventura dhe prona. Hysen Pasha për tu mbrojtur prej kryengritësve shqiptar në Vrajë kishte sjellë shqiptar ortodoks dhe mysliman të paguar nga rrethi i Janinës.

Nën udhëheqjen e Festolit (banor nga Tërrnoci), kryengritësit nga Tërnoci, Selman Rogoqica nga Dardana (Kamenica), Ymeri nga Presheva, dhe bejlerët e ajanët tjerë nga Presheva, Bujanoci e Vraja,  në vitin 1843, e përmbysen sundimin e Hysen Pashës në Vrajë.

Me datën 3-6 prill të vitit 1844 kryengritësit shqiptar për herë të parë hynë në qytetin e Vrajë , kurse Hysen Pasha me 800 shqiptarët e sjellë nga jugu u koncentrua në kalanë e Vrajës.

Në maj të vitit 1844, rreth 15.000 kryengritës shqiptar nga zonat e Leskocit, Vranjës, Kumanovës, Gjilanit, Artanës, Shkupit, Tetovës, Gostivarit dhe Malësia e Galabit, që kishin hyrë në qytetin e Vrajës, e dëbuan Hysen Pashën prej Vrajës.

Duke e parë rrezikun nga kryengritësit shqiptar, Hysen Pasha e braktisi kalanë e Vrajës dhe kaloi në Veles. Hysen Pasha pas 10 apo 12 ditësh vdes në Veles, flitet se është helmuar, por nuk dihej saktësisht si është helmuar. Autoritetet osmane e përhapën lajmin  se e ka helmuar e shoqja me ushqimin që ja dërgoi nga Vraja, por ekzistojnë burime tjera që tregojnë se Hysen Pashën, e helmuan vet autoritetet osmane me kafe.

Me këtë fitore kryengritësit shqiptare, e krijuan të lirë një zonë mjaftë të madhe, prej Leskoci e deri në Gostivar.                                                                                Perandoria Osmane për shuarjen e kryengritjes shqiptare, e kishte autorizuar Omer Pash Latasin, ai ishte një renegat ortodoks i lindur në Ogulin të Kroacisë. Emri i vërtet i tij ishte Mihajl Latasi i cili më pas e pranoi islamin dhe e mori emrin Omer Pashë Latasi, i cili e kishte gradën e gjeneralmajorit dhe i bëri shërbime të mëdha ushtrisë osmane. Në enciklopedinë greke e osmane shkruan se ka lindur në Plashkë të Kroacisë. Babain e kishte pas nën oficer në ushtrinë austriake dhe kur ka lindë e pagëzuan Mihajl Latas. Përveç gjuhës kroate ai e mësoi shpejtë gjuhën gjermane, italiane, dhe frënge dhe pak gjuhën angleze. Mihajli shërbeu si oficer në ushtrinë austriake por në vitin 1827, ai u arratis në territoret osmane. Në fillim u strehua te Haxhi Ali Bujiqi në Banjallukë. Ai në Banjallukë e pranoi fenë islame, synetin dhe e mori emrin e ri Omer Lutfi Efendi. Pas qëndrimit dy vjeçar në Banjallukë ai u vendos në Vidin, e pastaj shkoi ne Stamboll si profesor i vizatimit në shkollën ushtarake. Ai në Stamboll shkoi në vitin 1834, ndërsa në vitin 1838 e mori gradën kolonel. Pasi u gradua Omeri dërgohet në Siri të luftoi kundër Ismajl Pashës dhe Mehmet Aliut me origjinë shqiptare nga Egjipti. Pas ngadhënjimit të tij në Siri ku i dha fund sundimit të Mehmed Aliut e mori gradën gjeneral. Në fund të vitit 1843 ai nga porta e lartë dërgohet për të shuar kryengritjet shqiptare që kishin filluar nën udhëheqjen e Dervish Carës.

Omer Pashë Latasi hynë në Vrajë, pasi e lexojë para popullatës ligjin dhe rendin, e shfuqizon pashallëkun e Vrajës, duke e krijuar kazan e Vrajës nën udhëheqjen e një kajmekami.

Gruaja më e vjetër në konakun e Hysen Pashës, Hanuma Plaka, Omer Pashës ja ofroi konakun e saj, i dha shuma të mëdha të parave, dhe ja dhuroi një palë rroba ari të burrit të saj.

Pas këtij nënshtrimi ushtarët osman u lanë të lirë që të bëjnë çka të donin me popullatën shqiptare, kështu që në fshatin Tërnoc, dhe disa fshatra tjera përveç plaçkës, ushtarët osman çnderuan edhe gratë e vajzat e popullatës shqiptare.

Omer pasha, pasi hyri në Vrajë me 18 qershor 1844, dhe me ushtrinë e tij fillojë sulmet nëpër fshatrat shqiptare midis Vrajës dhe Leskocit, duke i kapur udhëheqësit e kryengritjes. Në mesin e udhëheqësve tjerë që  u dorëzuan ishte edhe Baba Feka dhe Sejdi Menxha, të cilët të lidhur së bashku me 200 kryengritës tjerë të kësaj ane u dërguan në Stamboll.

Kryengritrja e Dervish Carës u përhap edhe në Leskoc. Ismajl Pasha nga Leskoci e ndihmonte Dervish Carën së bashku me kryengritësit e udhëhequr të kësaj ane në krye me Sejdi Menxhën dhe Babën Fekë. Pasha i Leskocit, kryengritësit i furnizonte më ushqim dhe kuaj. Kryengritësit shqiptar ndiqeshin nga ushtria osmane, dhe shqiptarët e jugut të udhëhequr nga Omer Pash Latasi. Kur ushtria e Omer Pashës hyri në Leskoc me 20 qershor 1844, ajanët e Leskocit ju bënë pritje ushtrisë së sulltanit, ju përgatitën ushqime, dhe ju dorëzuan të gjitha parat që i kishin mbledhur në popull, për organizimin e kryengritjes. Me 5 Prill 1845 Ismajl Pasha i Leskocit u kap, dhe me tërë familjen e tij, u dërgua në Azinë e Vogël, të cilët u zhdukën pa lënë gjurmë.

Gjatë kësaj përndjekje ushtria osmane në Leskoc, nguli 50 hunj për ngulitjen e kryengritësve shqiptarë. Me ngulitjen e kryengritësve në hunj, popullata u dorëzua dhe  në qytet u vendos administrata osmane.

Edhe pse kësaj kryengritje në veri ju prinë klerik mysliman, nga ngjarjet e zhvilluar të kohës, mësojmë se kryengritjen e armatosur e përkrahën të gjithë shqiptarët katolik dhe ortodoksë të kësaj ane, duke u solidarizuar me vëllezërit e tyre mysliman.

Pas shuarjes së kryengritjeve shqiptare, ushtria osmane që kishte marshuar drejtë Vrajës dhe fshatrave e qyteteve shqiptare në veri të saj, sipas disa burimeve të kohës, thuhet se në këto anë, janë mbledhur me dhunë, 10.000 ushtarë të rregullt për ushtrisë perandorake. Gjatë qëndrimit të tyre në këto anë, ata bënë tortura, dogjën fshatra të tëra shqiptare, dhe u imponua me dhunë islamizimi dhe dorëzimi i kryengritësve. Sipas platformës së reformave, u kërkua që përfundimisht të hiqet dorë nga kriptokatolicizmi i popullatës shqiptare në malësinë midis Nishit, Prishtinës dhe Shkupit.

Duhet theksuar se popullata shqiptare e zonës së Vrajës, Leskocit, Artanës dhe qyteteve tjera veriore e kishte përballuar presionin e ashpër të  P. Osmane, për myslimanizmin të plotë deri në ato vite.

Ushtria e rregullt e sulltanit, që u dërguar në trojet shqiptare, ndërmerrte masa çnjerëzore, dhe bënë presion shumë të madh, ndaj kriptkatolikve shqiptar në Shqipërinë veriore, me qëllim që të shtoi zhvillimi e procesit të islamizimit të popullatës shqiptare.

Gjatë viteve 1843-1846, u shtuan masa të posaçme ndaj shqiptarëve që paraqiteshin si mysliman të rrejshëm (kriptokatolik të fshehtë).

Masa të ashpra u zbatuan sidomos ndaj popullatës kriptokatolike në fshatrat e Malit të Zi, në anën jugore të Gjilanit.

Për shkak të rezistencës, që ta pranojnë më dhunë procesin e myslimanizmit,   banorët e këtyre fshatrave malore, u arrestuan nga feudalët shqiptar, me ndihmën e ushtrisë së sulltanit. Feudalët shqiptar i mbushen burgjet me të burgosur, i torturuan dhe të lidhur në pranga e s’ngjire i dorëzuan të ushtria osmane. Këta shqiptar të arrestuar, u internuan si kundërshtar të islamizimit në Filadorë të Azisë së Vogël. Në internim u dërguan 207 shqiptarë, të cilët gjatë rrugës pësuan tortura më barbare, që njeh historia nga ushtria e sulltanit. Nga torturat e shumta, gjysma prej këtyre shqiptarëve të arrestuar vdiqën rrugës për në Filador dhe në burgjet osmane. Pas tri viteve të qëndrimit në burgjet e P. Osmane, me ndërhyrjen e diplomacisë franceze, arritën që të kthehen në vendlindje vetëm 102 shqiptar.

Në këto rrethana të procesit të dhunshëm për islamizimin e shqiptarëve, diplomacia evropiane dhe françeskanët nuk patën mundësi, që ta përcjellin gjendjen e popullatës shqiptare kriptokatolike në zonat e thella malore.

Gjatë fushatës së arrestimeve të kryengritësve shqiptarë në anën veriore të Prishtinës, zonën e Kushumlisë, Krushecit, Prtokuplës, Nishit, Leskocit, dhe Vranjës, françeskanët nuk mund të kishin ndonjë informatë për fatin e shqiptarëve në ato treva. Popullata shqiptare kriptokatolike në zonat në mes të këtyre qyteteve, nga masat represive të ushtrisë së rregullt osmane, përfundimisht u detyrua që ta pranojnë islamizimin në familjet e tyre.

Një pjesë e popullatës shqiptare e këtyre anëve, duke mos mundur ta pranojnë islamizimin u detyruan që të shpërngulen në zonën e Nishit, Aleksincit, Qyprisë dhe qyteteve tjera ku presioni i ushtrisë osmane ishte me i vogël.

Kjo ndjekje e shqiptarëve nga zonat e kryengritjes, kishte ndodhur për shkak të pjesëmarrjeve së tyre në kryengritje, dhe represalieve të ashpra të ushtrisë osmane ndaj tyre. Po ashtu një numër i madh i familjeve shqiptare ortodokse nga fshatrat e Leskocit, Vrajës, Artanës, Dardanës, Gjilani dhe viseve tjera shqiptare, gjatë kryengritjeve të viteve dyzeta të shekullit XIX, u shpërngulën në zonën në mes të Nishit, Prokuples dhe Leskocit ku presioni i ushtrisë osmanë ishte më i vogël. Në anën tjetër serbët të shtyrë nga politika ruse stimuloheshin që të lëvizin në drejtim të Krushecit, Qyprisë, Aleksincit me qëllim që të shtojnë ndikimin e tyre në qytetin e Nishit.

Është me rëndësi të ceket se gjatë gjithë kryengritjeve shqiptare që u zhvilluan gjatë shekullit XIX, popullata shqiptare, kriptokatolike e zonave më të thella veriore shqiptare, u bashkuan me kryengritësit, pa marrë parasysh se kush i udhëhiqte kryengritjet, pashallarët apo klerikët mysliman shqiptar. Kjo u dëshmua edhe gjatë kryengritjes së Mustafa Pash Bushatliut dhe Dervish Carës.

Përfundim:

Ekspeditat ushtarake që i ndërmori P. Osmane për shuarjen e kryengritjeve shqiptare, si dhe mos uniteti i pashallëqeve shqiptare, ishin fatale për ardhmërinë e popullit tonë.

Zbatimi me dhunë i reformave në trojet shqiptare, që u përmbyllë me përmbysjen e pashallëqeve, popullin tonë e lanë në kulmin e varfërisë dhe shkallën më të lartë të analfabetizmit në Evropë. Pashallarët shqiptarë, kurrë nuk kanë bërë asgjë për zhvillimin e arsimit, kulturës e teknologjisë në hap me kohën, dhe trendin e zhvillimeve në rajon. Kryengritjet shqiptare edhe pse u zgjeruan, dhe arritën një numër të madh në njerëz, ata nuk kishin armatim dhe pajisje ushtarake, për ti bërë ballë ofensivës së armatës së rregullt të sulltanit. Armata e sulltanit, ishte e pajisur me armët më moderne të kohës. Në këto rrethana kryengritësit, pas një varg betejave të përgjakshme, u detyruan të tërhiqen me humbje të mëdha, por nga këto beteja humbje të mëdha pësoj edhe ushtria osmane.

Për fat të keq në radhët e ushtrisë osmane ishin të mobilizuar pa vullnetin e tyre edhe shume ushtare shqiptar, kështu që shqiptarët vriteshin mes veti, ndërsa P. Osmane i realizonte synimet e veta, për ta zgjeruar autoritetin e vet ne trojet shqiptare,  duke i përçarë dhe dobësuar shqiptarët.

Gjatë fuqizimit të pashallëqeve shqiptare, zhvillimi i hovshëm teknologjik, industrial, shkencor, kulturor e administrativ në shtetet evropiane, ishte në kundërshtim të plotë, me rendin feudal që zbatohej në P. Osmane, pashallarët shqiptar nuk bënë asnjë hap, për ti orientuar shqiptarët kah vendet e zhvilluara evropiane.                                      Perandoria Osmane duke i shtypur shqiptarët përfitojë shumë: ia zgjati jetën vetvetes, vjeli taksa, rekrutojë ushtarë të rregullt, dhe duke mos lejuar zhvillimin kulturor dhe arsimin në gjuhën amtare, e përfitojë për vete trurin e kësaj popullate. Gjatë tre shekujve të fundit të sundimit të P. Osmane, nga pamundësia e shkollimit të rinisë shqiptare në trojet e veta, ata detyroheshin të vijojnë mësimet në gjuhë osmane, dhe vise tjera të P. Osmane. Arsimimi i të rinjve shqiptarë në shkollat osmane, ndikojë që shumë shqiptar të zënë poste të larta kulturore, shkencore, ushtarake dhe administrative, në institucionet shtetërore osmane.

Shqiptarët e arsimuar në P. Osmane, i kanë meritat më të mëdha, për krijimin e institucioneve më të rëndësishme në kulturë, arsim, administratë dhe shkencë në P. Osmane, pa pasur mundësinë që të kontribuojnë  në vendlindjet e tyre, për të filluar me hapjen e shkollave fillore në gjuhën amtare.

Mendoj se duke i analizuar me hollësi sjelljet e pashallarëve shqiptar ndaj popullit tonë, duhet bërë një ri studim sjelljeve të tyre, duke zbatuar metodologjinë dhe kriteret shkencore, për ti bërë publike, dëmet e shkaktuara, gjatë tre shekujve të fundit të sundimit osman.