FMN ua lehtëson borxhet disa vendeve, për të luftuar pandeminë
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tha se do t’ua lehtësojë borxhet 25 vendeve më të varfra anëtare, në mënyrë që t’i përqendrojnë burimet financiare në luftimin e pandemisë së koronavirusit.
Drejtorja e FMN-së, Kristalina Georgieva, tha se bordi ekzekutiv i Fondit e ka miratuar grupin e parë të vendeve që do të marrin grante, për të mbuluar borxhet e tyre.
Në mesin e tyre bëjnë pjesë: Afganistani, Jemeni dhe Taxhikistani.
Georgieva tha se FMN-ja ka rreth 500 milionë dollarë në dispozicion, përfshirë edhe premtimet e Britanisë për 185 milionë dollarë, të Japonisë për 100 milionë dhe të disa vendeve të tjera.
FMN-ja po përpiqet të sigurojë një shumë prej 1.4 miliard dollarësh.
“Me këto para do t’iu siguroheshin grante anëtarëve tanë më të varfër dhe më të cenueshëm, për t’i mbuluar borxhet e tyre ndaj FMN-së, gjatë gjashtë muajve të ardhshëm”, tha Georgieva, transmeton REL.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, mbi 1.9 milion njerëz në botë janë prekur nga koronavirusi dhe mbi 119,000 kanë vdekur.























