Pandemia godet ekonominë, G20 lehtëson borxhet
BKT
Ekonomi

Pandemia godet ekonominë, G20 lehtëson borxhet

Grupi i vendeve më të fuqishme ekonomike G20 njoftoi se mbështesin vendosjen e një ndalese të përkohshme për pagesat e borxheve nga shtetet më të varfra në botë, përderisa janë duke luftuar me pandeminë koronavirus.

“Ne mbështesim një pezullim të kufizuar në kohë të pagesave të borxhit për vendet më të varfra që kërkojnë shtyerje. Të gjithë kreditorët zyrtarë dypalësh do të marrin pjesë në këtë iniciativë” thanë ministrat e financave dhe bankierët qendrorë të G20-ës në një komunikatë pas takimit të tyre virtual.

Burime të Al Jazeera thonë se pezullimi i shërbimit të pagesave të borxhit do të zgjasë nga 1 maji deri më 31 dhjetor, me një mundësi për rinovim në vitin 2021.

Grupi gjithashtu u bëri thirrje kreditorëve privatë, që punojnë përmes Institutit të Financave Ndërkombëtare, të marrin pjesë në këtë iniciativë.


 

Drejtuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore lavdërojnë nismën për lehtësimin e borxhit nga G20

Drejtorja menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva dhe drejtori i Bankës Botërore David Malpass, vlerësuan lart një marrëveshje të re për lehtësimin e borxhit nga G20, që pezullon pagesa bilaterale të shërbimit të borxhit nga vendet e varfëra.

Georgieva, në një prononcim për takimin e drejtuesve të G20-ës gjithashtu tha se FMN-ja ishte duke kërkuar urgjentisht rreth 18 miliardë dollarë në burime të reja për Trustin për Reduktimin e Varfërisë dhe Rritjes për vendet e varfëra dhe po eksploronte se si mund të ndihmonte përdorimi i të drejtave të veçanta në këtë përpjekje.


 

Qeveritë do të përballen me rritje masive të borxhit publik

Rritja e huazimit nga qeveritë në mbarë botën pas pandemisë së koronavirusit do të jetë “masive”, tha Fondi Monetar Ndërkombëtar të mërkurën.

FMN parashikoi që mbyllja e popullsisë dhe tkurrjet ekonomike do të shtyjnë deficitet e buxhetit shumë më lart se nivelet në kulmin e krizës financiare.

Në nivel global, borxhi publik neto do të bjerë nga 69.4% e të ardhurave kombëtare sa ishin vitin e kaluar në 85.3% në vitin 2020.

Në përpjekjen e parë për të matur masën e dëmtimit të financave publike të shkaktuar nga koronavirusi, fondi parashikon që deficitet globale publike të rriten me 6.2 pikë këtë vit duke arritur në 9,9% të të ardhurave kombëtare, kështu duke tejkaluar nivelet e vërejtura në 2008-2009.

Përkundër këtyre shqetësimeve, FMN mbështeti rritjen e huamarrjes afatshkurtër të qeverive, duke thënë se ishte e nevojshme për të luftuar përhapjen e virusit.


 

Bordi i FMN-së miraton mbështetjen urgjente për Burkina Faso dhe Nigeri

Bordi Ekzekutiv i FMN-së ka aprovuar mbështetjen për Burkina Faso dhe Nigeri nën Lehtësirën e Shpejtë të Kredisë për të ndihmuar vendet e Afrikës Perëndimore të përballen me efektet e pandemisë COVID-19.

Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se bordi kishte aprovuar një pagim prej 115 milionë dollarësh për Burkina Faso dhe 114 milionë dollarë të tjerë për Nigerinë.


 

Aston Martin zgjat pezullimet e prodhimit

Prodhuesi i makinave luksoze Aston Martin e ka zgjatur edhe për një javë pezullimit e prodhimit në vend në dy fabrikat e tij, pasi masat e bllokimit mbeten efektive në Britani.

“Duke marrë parasysh pozicionin aktual global dhe lokal mbi furnizuesit dhe punonjësit, biznesi tani po e zgjat këtë pezullim të përkohshëm deri të hënën më 27 prill, në varësi të rishikimit të vazhdueshëm të rrethanave në ndryshim” thuhet në deklaratën e kompanisë.

Kompania shtoi se do t’i rifillojë operimet sa më shpejt të jetë e arsyeshme një gjë e tillë.


 

Shitjet me pakicë në SHBA pësojnë rënien më të madhe ndonjëherë

Shitja me pakicë në SHBA ra në muajin e kaluar pas mbylljes së detyrueshme të bizneseve dhe rritjes së papunësisë për shkak të Covid-19.

Të mërkurën, departamenti i tregtisë tha që në muajin mars u regjistrua një rënie prej 8,7% e shitjeve, që është rënia më e madhe që kur qeveria filloi t’i regjistronte këto të dhëna në vitet e 90’ta.

Shitjet me pakicë përfshijnë blerjet në internet dhe në dyqane, si dhe në restorante dhe bare.

Pjesa më e madhe e vendit aktualisht është nën urdhëra të qëndrimit në shtëpi për të frenuar përhapjen e koronavirusit, ku vetëm shërbimet thelbësore janë funksionale, si marketet dhe barnatoret.

Mbi shtatë milionë amerikanë deklaruan se ishin të papunë në mars, sipas departamentit të punës.


 

Bota do të përballet me rënien ekonomike më të rëndë që nga Depresioni i Madh

Ekonomia globale do të pësojë rënie prej 3% këtë vit pasi vendet nëpër botë po pësojnë tkurrje ekonomike me ritmin më të shpejtë në dekada, ka bërë të ditur Fondi Monetar Ndërkombëtar të martën.

FMN e përshkroi rënien globale si më të keqen që nga Depresioni i Madh i viteve 1930.

Ky institucion tha që pandemia e kishte zhytur botën në një “krizë si asnjë tjetër”.

Fondi shtoi se një shpërthim pandemik i zgjatur do të testonte aftësinë e qeverive dhe bankave qendrore për të kontrolluar krizën.

Gita Gopinath, kryekonomiste e FMN-së, tha se kriza mund të heqë nëntë trilion dollarë nga GDP-ja globale gjatë dy vjetëve të ardhshme.


MË SHUME NGA Ekonomi