Kompania saudite "Aramco" mohon raportet për ndryshimin e kushteve të pages
BKT
Ekonomi

Kompania saudite "Aramco" mohon raportet për ndryshimin e kushteve të pages

Kompania kombëtare e naftës së Arabisë Saudite "Aramco" kundërshtoi disa raporte të mediave të cilat pretendonin për ndryshimin e kushteve të saj të pagesës për blerjen e naftës së papërpunuar.

Në një deklaratë të mërkurën, kompania mohoi pretendimet se u ka dhënë rafinerive të naftës në Azi dhe Evropë të drejtën për të vonuar pagesat për dërgesat e ngarkesave të naftës së papërpunuar deri në 90 ditë, ndërsa impiantet ballafaqohen me rënien e kërkesës.

"Përkundër raporteve të fundit të mediave, 'Aramco' nuk ka bërë ndonjë ofertë të kushteve të zgjatjes së pagesës për shitjet e naftës së papërpunuar", thuhet në deklaratë.

Konsumi i ulët i naftës, rritja e furnizimit në të gjithë botën dhe çmimet e ulta të naftës së papërpunuar për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19) kanë shkaktuar një ngritje të rezervave globale të naftës, kapaciteti i depozitimit të të cilave tani është më shumë se 80 për qind i mbushur.

Masat e karantinës së bashku me rënien e transportit dhe aktivitetet e dobëta ekonomike kanë ulur kërkesën globale të naftës me rreth 20 milionë fuçi në ditë. Për të zbutur ndikimin negativ të COVID-19, Arabia Saudite dhe Rusia u takuan më 6 mars, por nuk arritën marrveshje për frenimin më të madh të prodhimit, i cili shtyri çmimet e naftës së papërpunuar më 30 mars në nivelin e saj më të ulët që nga 2002.

Të udhëhequr nga të dy vendet, grupi 23-anëtarësh, i njohur si OPEC-plus u pajtuan më 12 prill që të frenojnë prodhimin e tyre të përgjithshëm me 9.7 milionë fuçi në ditë duke filluar nga 1 maji. Megjithatë, mungesa e shkurtimeve deri atëherë do të thotë se kompanitë e naftës dhe qeveritë duhet të gjejnë zgjidhje për depozitimin e naftës së papërpunuar të prodhuar.

 


MË SHUME NGA Ekonomi