Kthimi i përkohshem i “trurit” për një ndikim afatgjatë
Arbnor Mjeku
Diaspora është një nga asetet më të shtrenjtë që kanë vendet tona. Përveç angazhimit të vazhdueshëm historik dhe politik, diaspora jonë ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në aspektin ekonomik për vendet amë. Në Kosovë, diaspora dërgon çdo ditë nga 1.7 milion euro , ndërsa brenda vitit vlerësohet të arrijnë rreth 2 miliard euro nga remitencat. Sipas një studimi të UNDP-së të vitit 2012, rreth 25% e familjeve kosovare pranojnë remitencat nga jashtë , numër ky që mund të jetë rritur gjatë viteve të fundit. Kontributi i diasporës për shtetet e origjinës (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Luginë e Preshevës, Mal të Zi, etj.) nuk vihet në dyshim, por çështja është se sa bëjnë këto vende për diasporën e tyre?
Organizata Germin qëllim parësor ka bashkë-krijimin e të ardhmës bashkë me diasporën, konkretisht si një urë lidhëse mes profesionistave të diasporës dhe kërkesave të insitutcioneve të shtetëve të origjinës. Deri më tani GERMIN ka inicuar programe dhe aktivitete të ndryshme që të transferohet eksperienca dhe njohurit e fituar në shtetet e huaja me qëllim të “qarkullimit të trurit” si mënyrë e kthimit të trurit. Shumë ngjarje në vitet e fundit kanë karakterizuar politikën, ekonominë dhe jetën sociale në Kosovë dhe Shqipëri, duke filluar nga lëvizja e qytetarëve nga të dy shtetet shqiptare drejt vendeve perëndimore si një hap drejt një jete dhe perspektive më të mirë jetësore. Ky fenomen i lëvizjës apo migrimit nuk është trend vetem në vendet tona, mirëpo një sfidë për të gjitha vendet në zhvillim. Mirëpo, për shtete e vogla si Kosova e Shqiperia një migrim i këtij trendi ka shumë pasoja dhe limiton zhvillimin ekonomik.
Migrimi nga vendet e ballkanit, konkretisht nga regjionet shqiptare, nuk është fenomen që ka ndodhur vetëm gjatë vitit 2015 ku përafersisht 150,000 shqiptarë nga Kosova kanë marrë rrugën drejt shteteve perëndimore, mirëpo kjo “ikje” ka qenë e pranishme shekuj me radhë e sidomos gjatë regjimit Serb. Disa nga arsyet kryesore të cilat tregojnë se pse ka ndodhur ky migrim janë: papunësia, sistemi arsimor, sistemi shëndetësor, si dhe perspektiva jetësore dhe zhvillimi i karrierës. Me këtë “ikje” forca punëtore në Kosovë dhe Shqipëri veçse është zvogëluar, mirëpo shtetet që kanë përfituar nga kjo janë ato perëndimore, ku kanë forcuar industritë e tyre kundrejt një pagese e cila nuk është problem i madh për ato, si dhe është e knaqëshme për migrantët.
Kjo politikë e shteteve perëndimore e quajtur edhe si “Brain Gain” mund të dëmtoj shtetet në zhvillim të cilat po vuajnë për forcë punëtore të kualifikuar, apo të aftësuar mjaftushëm.
Cilat janë hapat që duhen të ndërmerren dhe a ka ndonjë projekt në zhvillim?
Ka disa ide rreth krijimit të ndonjë projekti për mbajtjen/sjelljen e ekspertëve apo profesionistëve në Kosovë dhe Shqipëri, një prej tyre është projekti Angazhimi i Profesionistëve të Diasporës (APD), që ka për qëllim “kthimin e trurit” në vendin amë përmes ekspertizave të profesionistëve nga diaspora që ata/ato sjellin në Kosovë dhe Shqipëri në fusha të caktuara, varësisht nga profesionet. Ky është një projekt vullnetar për profesionistët nga diaspora konkretisht nga shteti Gjerman, i cili po mbështetet nga GIZ. Entuziazmi dhe gatishmëria e diasporës është parë qysh në ditët e para të projektit ku një numër i konsiderushëm i mërgimtarëve kanë aplikuar që brenda këtij viti të shërbejnë në shtetet shqiptare. Programi synon të angazhojë 30 ekspertë të diasporës shqiptare në vendet amë - 15 në Kosovë dhe 15 në Shqipëri, mirëpo duke parë që kërkesa për tu bërë pjesë e programit është e madhe dhe serioze, këto numra janë në rritje.
Tashmë kemi disa ekspertë që kanë përfunduar procedurat e para dhe do fillojnë angazhimin e tyre që nga muaji mars 2020 dhe të tjerë kanë shprehur gatishmërinë të angazohen brenda 6 mujorit të këtij viti. Këtyre ekspertëve i kemi dhënë mbështetje në gjetjen e institucionit apo organizatës pritës/e dhe do vijnë me ide mjaft të qarta për çfarë do kontribuojnë.
Për momentin jemi përqendruar tek profesionistët shqiptarë në Gjermani, mirëpo jemi duke parë për mundësitë për të zgjeruar programin edhe në vende të tjera ku jeton diaspora shqiptare.
Me këtë pilot program janë hedh hapat e para për zhvillimin dhe aktivizimin e Rrjetit Global të Profesionistëve Shqiptarë,
Ideja është që të kanalizojmë ekspertizën e diaspores shqiptare që të kontribuojnë për zhvillimin e vendit amë me përvojat e përfituara në vendet perëndimore nga ku mund të merren për shembull modele të suksesshme për një shoqëri me funksionale në fusha të ndryshme.
Përvec mundësisë për të ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për zhvillimin e një vendi, profesionistët në këtë mënyrë do përforcojnë dhe lidhjet me vendin amë duke shmangur asimilimin jashtë vendit. Duke vënë në shërbim asetin që është diaspora shqiptare, shtetet shqiptare përfitojnë nga sjellja e metodave të reja të punës dhe qasje të frytshme për të arritur potencialin e këtyre vendeve.
Autori është MA i Shkencave Politike- zyrtar i projekteve në organizatën Germin që ka për qëllim bashkëpunimin dhe afrimimin e diasporës shqiptare.























