Kosova e integruar në mekanizmat evropianë të transmetimit të energjisë
Presidenti Ilir Meta përshëndeti sot miratimin e marrëveshjes së re nëpërmjet Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës dhe ENTSO.
Meta tha se “tashmë sistemi energjetik i Kosovës do të operojë si zonë rregulluese e pavarur brenda bllokut Kosovë – Shqipëri, në kuadër të zonës sinkrone të Europës Kontinentale”.
“Bashkimi me sistemin energjetik të Shqipërisë do të krijojë operimin e linjës energjetike të interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri, duke i mundësuar KOSTT të shfrytëzojë rrjetin e transmetimit në mënyrë të pavarur, me kosto më të ulët, shërbime më të sigurta dhe më fitimprurëse, si dhe të jetë i integruar në mekanizmat europianë të transmetimit të energjisë elektrike”, tha Meta.
Ai u shprehu mirënjohje partnerëve dhe aleatëve të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme në implementimin e kësaj marrëveshjeje. /ATSh























