Pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe

Pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe

Dr.Qazim Namani: Pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe gjatë vitit 1912 dhe luftrat ballkanike (3)

Vilajeti i Kosovës i kishte 32.900 Km katrorë, para okupimit nga Serbia dhe Mali i Zi

Është me rëndësi të përmendët se dy vite para se të fillojnë luftërat ballkanike, ushtria turke kishte filluar aksionin për çarmatosjen e shqiptarëve. Aksionin e çarmatosjes së shqiptarëve e udhëhiqte ministri i luftës i Turqisë, Mahmud Shefqet Pasha. Sipas një telegrami që ai ia dërgon qeverisë turke thuhet se prej Gjakovës e deri në Mitrovicë, deri në momentin e raportimit ishin mbledhur në popullatë 20.000 armë. Ministri turk njoftoi se vetëm sasia e armëve që do të mblidhen në prefekturën e Prishtinës do ta kalojë numrin 15.000. Gjatë këtij aksioni ishte shtuar taksa dhe ishin marrë me mijëra bagëti për ushtrinë turke. Nga këto veprime të ushtrisë turke, banorët e zonës kufitare me Merdarën në vitin 2010 ishin tubuar në fshatin Dyzë dhe në Luginën e Kulinës, për të filluar luftën kundër Shefki Pashës, por anëtarët e misionit këshillues nga qeveria turke ishin dërguar atje për ti shpërndarë kryengritësit shqiptarë në grykën e Kulinës. Gjatë aksionit të çarmatimit kishte pasur dhunë në popull nga ushtarët turq. Madje deputetë shqiptar në parlamentin turk e akuzuan ushtrinë turke edhe për cenimin e nderit të femrave shqiptare.

Gjatë vitit 1912, shqiptarët e Llapit dhe Galabit të Malësisë së Prishtinës, u organizuan vullnetarisht për të hyrë në Prishtinë dhe për mbrojtje të kufirit me Serbinë.

 

 

Foto 9. Shqiptarët nga Llapi e Gallapi, që në vitin 1912, ishin organizuar për të hyrë në Prishtinë

Shqiptarët e kësaj ane për organizimin e kryengritjes kishin pasur disa takime edhe me Isa Boletinin. Sipas rrëfimeve të trashëguara nga të moshuarit e kësaj ane, Isa Boletini është akuzuar, për mos përkrahje dhe mos furnizim me armë. Isa Boletini në atë kohë për shkak të raporteve që i kishte krijuar me Beogradin ishte i urryer nga banorët e kësaj ane.

Për shkak të raporteve që Isa Boletini i kishte me serbët, në popull filloi të flitej se ai është bashkëpunëtor i serbëve dhe njeri i shitur te serbët. Burimet e kohës dëshmojnë se Isa Boletini në atë periudhë ishte në pozitë shumë të vështirë, pas tradhtisë që i kishin bërë serbët, me Vojisllav Tankoshiçin. Sipas Malkolmit, luftën që e bënë Isa Boletini kundër Armatës së Tretë serbe në Merdar, e vërteton se Isa Boletini nuk e kishte tradhtuar Lëvizjen kryengritëse shqiptare. Megjithatë në ato rrethana të vështira për popullin shqiptarë, bashkëpunimi i Isës me çetnikët serbë, ndikoi shumë në humbjen e besimit ndaj tij dhe përçarjen në mes të shqiptarëve.

Gjatë luftimeve në Merdare kishin marrë pjesë disa grupe të çetnikëve, e njëra ndër çetat udhëhiqej prej Vojadin Popoviqit.

 

 

Foto 10. Vojvoda, Vojin Popović (Vojin) me grupin e tij në Merdare.

Vojin Popoviçi, lindi në 9 dhjetor 1881 në Sjenicë, në atë kohë vendlindja e tij i përkiste Vilajet të Kosovës. Menjëherë pas lindjes së tij, familja u transferua për të jetuar në Kragujevc. Ai u shkollua në shkollën e mesme ushtarake. Më 3 nëntor 1901, e mori gradën toger i dytë. Vojini me bandën e tij të çetnikëve, ishte ndër çetat e para çetnike të organizuara që në vitin 1905, shkuan në trevat shqiptare të Maqedonisë së sotme. Edhe ky rast e dëshmon se familja e tij kishte shkuar në Serbi, nga trevat shqiptare të Sjenicës, andaj ka mundësi se edhe Vojin Popoviçi ashtu sikurse Vojisllav Tanaskoviçi, të dërgoheshin në trevat shqiptare pasi që e njihnin gjuhën shqipe.

Perandoria Osmane në këtë kohë ishte dobësuar ushtarakisht, sidomos nga lufta me Italinë, pastaj nga ajo në Jemen dhe nga kryengritjet e njëpasnjëshme shqiptare (1908-1912). Kështu, disa shtete ballkanike, si: Serbia, Mali i Zi, Greqia e Bullgaria, duke dashur që të përfitojnë nga kjo situatë, lidhën aleancën dhe filluan luftërat kundër saj.

Aleanca ballkanike tokat shqiptare i konsideronte si “toka të askujt” e cila do të mund të pushtohej dhe asimilohej lehtë. Qëllimi kryesor i kësaj aleance ishte copëtimi dhe zhdukja e Shqipërisë. Kjo aleancë ballkanike kryesisht është arritur me ndërmjetësimin e fuqive të mëdha e veçanërisht nën patronazhin e Rusisë dhe synim kryesor e kishte shuarjen e kombit shqiptar, në mënyrë që të krijohej hapësirë e re për jetësimin e ideve pansllaviste.

Më 8 tetor 1912, Mali i Zi i shpalli luftë Perandorisë Osmane, ndërsa Serbia dhe Bullgaria i shpallën luftë me 17 tetor, ndërsa Greqia me 18 tetor 1912. Lufta e Parë Ballkanike, i dha goditje vdekjeprurëse idesë së shqiptarëve që nga rilindësit e parë për të shpallur të pavarur Shqipërinë e vërtetë. Në prag të luftërave ballkanike Vilajeti i Kosovës i kishte 32.900 km katror, me 1.066891 banorë, prej tyre 63% ishin shqiptarë, maqedonas 20%, serbë 15% dhe 7% të tjerë.

Aleanca pansllaviste si platformë e kishte pushtimin e territoreve shqiptare me qëllim që të pamundësohet realizimi i kërkesave të shqiptarëve. Në rrethanat e krijuara aleanca sllave e gjeti Kosovën pothuaj të pambrojtur nga Perandoria Osmane.

Serbët, për të arsyetuar para fuqive evropiane luftën që bënin, e zbatuan projektin e hartuar nga Nikolla Pashiqi, në të cilin, midis tjerash, thuhet: “Serbia dëshiron të punojë në frymën e Evropës dhe në realizimin e dëshirave dhe qëllimeve të fuqive evropiane”.

Derisa Nikolla Pashiqi dhe Petri I (Parë) Karagjorgjeviqi, e lartësonin idealin e luftës kundër Perandorisë Osmane, socialdemokracia serbe, nëpërmjet organit të saj “Radniçke novine”, shkruante: “Lufta e vitit 1875 dhe 1877, u zhvillua me urdhër të Rusisë. Në vitin 1885, Serbia u hodh në luftë me shtytje të Rusisë dhe Austro-Hungarisë. Pra në luftërat ballkanike Serbia hyri në luftë nga inspirimet e shteteve të huaja. Luftën ballkanike e bekoi edhe Kisha Ortodokse Serbe, duke i dhënë përkrahje edhe gjenocidit mbi popujt jo serbë. Luftërat ballkanike 1912-1913, pa dyshim se ishin të favorshme për Rusinë.

Në këtë kohë kishte shumë shkrime dhe raporte nga gazetarët ndërkombëtarë që i vëzhgonin nga afër vrasjet dhe djegiet që i bënte ushtria serbe në trevat shqiptare. Shumë autorë serbë po ashtu raportonin me mburrje për luftën kundër osmanëve. Filluan të botohen libra mbi doket, traditën dhe çështjen shqiptare. Shumë libra të autorëve serbë, të shkruara në fund të shekullit XIX, ishin bërë motiv për vrasje dhe gjenocid ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare.

Pas luftërave ballkanike u botuan edhe disa libra në të cilët mohojnë historinë, traditën dhe kulturën shqiptare. Në këto publikime shqiptarët paraqiteshin si të pakulturuar dhe të organizuar në fise që luftojnë mes veti.

Dimitrije Tucoviqi në librin e tij, lidhur me disa shkrime të disa autorëve serbë, shkruan se: “Kur flasim për shqiptarët, për të provuar që ky popull nuk ka kuptim për jetë dhe kulturë, ata e paraqesin jo si yshtje të fazës historike, në të cilën ndodhet dhe në të cilën kanë kaluar të gjithë popujt tjerë, por si çështje race të dobët që nuk është e aftë për zhvillim kulturorë. Tucoviqi e potencon se, kur është në pyetje gjakmarrja, që për këtë veti të shqiptarëve Vlladan Gjorgjeviqi i quante “njerëz me bishta”, a thua ndonjë shqiptar nuk do të kishte të drejtë që t’ua kujtojë se deri vonë, Dalmatinja (gruaja nga Dalmacia), i ruante teshat e përgjakura të burrit, për t’ia treguar të birit, se e ka shti me u përbe në gji të saj që ta merr gjakun”.

Urrejtja e popujve sllavë për popullatën shqiptare e kishte zanafillën që nga formimi i grupit të lëvizjeve pansllaviste në Evropën perëndimore në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX. Kjo lëvizje edhe i hartoi projektet pansllaviste për Ballkanin. Njëri ndër të rinjtë serbë që kishte krijuar lidhje me të rinjtë polak, rusë, sllovak, austriak dhe gjermano-verior ishte Dragishe T. Mijushkeviqi, i cili në vitin 1829, për Shqipërinë dhe shqiptaret shkroi me urrejtje. Ai shqiptarët i shihte si mysliman të egër dhe të prirë për plaçkë.

 

 

Fig. Dëshmi nga shkrimet e Dragishe T. Mijushkeviqit, të shkruara në vitin 1829, dhe të botuara në libër në vitin 1889, në Beograd.

Dragisha në librin e tij “Putovanje po Serbiji”, të shkruar në vitin 1829, edhe kur e përshkruan strukturën e popullatës së Beogradit në atë kohë, prapë urrejtjen e tij e shprehë vetëm për shqiptarët.

 

 

Fig. të dhëna për strukturën e popullatës në Beograd, gjatë vitit 1829, ku shihet urrejtja për shqiptarët nga autori i shkrimit të librit Dragisha T, Mijushkoviqit.

Nga urrejtjet që i shprehte Dragisha ndaj shqiptarëve siç duket edhe në shkrimet e tij, ai gjatë asaj kohe, kishte pasur edhe konflikte me shqiptarë.

 

 

Fig. Përshkrimi i konfliktit të Dragishës me një shqiptarë në Beograd në praninë e një oficeri austriak

Publikimet e tilla të botuara në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, te grupet nacionaliste serbe, e kishin shtuar urrejtjen e madhe ndaj popullit shqiptar.

Luftërat ballkanike dëshmuan se shqiptarët ishin tërësisht të pa mbrojtur, dhe të pa trajtuar si krijesa njerëzore edhe nga faktori ndërkombëtar. Shqiptarët tani më kishin mbetur i vetmi popull në Evropë, pa arsim në gjuhën kombëtare, me ekonomi familjare shumë të varfër, popull i ndarë në fe e regjione, popull i shfrytëzuar për interesa të veta nga pushtuesi 500 vjeçar, që në fund e çarmatosi, e dhunoi dhe e braktisi duke e lënë në mëshirën e fqinjëve barbarë.

Siç shihet nga këto burime, popullata shqiptare ishte shumë e papërgatitur për të mbrojtur kufirin nga sulmet e ushtrive ballkanike. Bazuar në kujtimet e Raif Berishës, i lindur në fshatin Siçevë, komuna e Prishtinës, thuhet se Xhemajl Beg Prishtina, në vitin 1912, luftoi në Merdare kundër ushtrisë serbe. Lufta u zhvillua trup me trup, flitet se kishte edhe therje me bajoneta nga të dyja palët. Pas kësaj beteje Xhemajl Begu kalon nëpër viset shqiptare të Maqedonisë në Shqipëri. Në Luftën e Dytë Botërore, është kthyer në Prishtinë. Pas fitores së komunistëve ai strehohet në shtëpinë e Hasan Berishës në fshatin Siçevë të Prishtinës. Një kohë mjaft të gjatë e kanë mbajtur të strehuar në dhomën e një plake. Më pas dorëzohet dhe dërgohet në burgun e Nishit. Me qenë se ishte shumë i shtyrë në moshë, lirohet për të qëndruar në burg shtëpiak. Ai vdes në Prishtinë dhe pushteti i atëhershëm urdhëron që Xhemajl Begu të varroset në fillim të varrezave të Prishtinës. Ai është varrosur në fillim të rrugës që i ndan varrezat, në anën e majtë. Varrimi i tij është bërë në mbrëmje pasi, është terruar, diku rreth orës nëntë të mbrëmjes. Për varrosjen e tij janë lejuar të marrin pjesë vetëm 4 familjar. Vendin e varrimit e kam vizituar në vitin 2005, me të ndjerin Raifin, varrin e tij nuk kemi mundur ta identifikojmë.

VIJON…