​Qeveria emëron Bordin Drejtues të AUV-it
BKT
Ekonomi

​Qeveria emëron Bordin Drejtues të AUV-it

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e sotme ka emëruar anëtarët e Bordit Drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe anëtarët e Këshillit Shkencor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Në përbërje të bordit janë Nysrete Doda, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Delvina Hana, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Arsim Qavdarbasha, Ministria e Shëndetësisë; Dafina Gexha, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës; Selatin Kaçaniku, Shoqata për mbrojtjen e konsumatorëve; Parim Bajrami, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Valdet Gjinovci, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Anëtarët e Këshillit Shkencor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë janë Ariana Kalaveshi, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës; Betim Bresilla, Instituti Bujqësor i Kosovës; Aziz Behrami, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore; Imer Haziri, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe Arben Mehmeti, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Qeveria në detyrë ka miratuar Planin e veprimit për themelimin e Pikës së vetme të kontaktit sipas Direktivës për Shërbime 123/2006/KE.

Sipas planit, në përputhje edhe me dispozitat e CEFTA-s 2006 dhe Protokollit Shtesë 6, Kosova përkushtohet për krijimin e një kornize institucionale për një Pikë Kontakti për Shërbimet që do të performojë tri funksione kryesore: të përgjigjet në kërkesat e anëtarëve të CEFTA-s për çështjet që kanë të bëjnë me ligjet që ndikojnë tregtinë në shërbime; të informojë Nën-komitetin e Tregtisë së Shërbimeve një herë në vit për aktet juridike që ndikojnë tregtinë e shërbimeve dhe të ofrojë informacione paraprake për çdo masë relevante të aplikimit të përgjithshëm që ndikon në tregtinë e shërbimeve dhe që synon miratimin për lejimin e mundësisë së palëve të tjera për të komentuar. 

Qeveria në detyrë ka shqyrtuar dhe miratuar Programin e Borxhit Shtetëror 2021-2023, si dhe Raportin tremujor Financiar për vitin 2020. 

Gjithsej të hyrat në tremujorin e parë të vitit janë në shumë 402.42 milionë euro dhe paraqesin 17% të pranimeve të përgjithshme të planifikuara vjetore, ose 13 për qind më pak krahasuar me tremujorin e vitit paraprak.

Shpenzimet gjatë tremujorit ishin 399.04 milionë euro ose 16% të planit vjetor të shpenzimeve. Krahasuar me realizimin e tremujorit të vitit paraprak ka ulje prej 1.98 milion euro ose 0.5%.

Qeveria ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për transfer/rialokim të mjeteve financiare, të ndarjeve buxhetore për 2020, në masën më pak se 25% për nënprogramet e përfshira në formular.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për t’i rekomanduar presidentit të të Kosovës për autorizimin e ministrit të Financave dhe Transfereve për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për financimin e projektit për trajtimin e Ujërave të Zeza në Komunën e Gjilanit.


MË SHUME NGA Ekonomi