Luftërat ballkanike dhe pushtimi i trojeve shqiptare

Luftërat ballkanike dhe pushtimi i trojeve shqiptare

Dr.Qazim Namani: Luftërat ballkanike dhe pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe gjatë vitit 1912 (6)

Serbia kurrë nuk u padit për krime lufte nga Shqipëria në Gjykatën Ndërkombëtare, por ju ndërtoi monumente!

Pasojat e luftërave ballkanike ishin shumë të mëdha, shqiptarët humbën shumë, numër i madh i popullatës është vrarë dhe shpërngulur për në Turqi dhe shtete tjera. Të gjitha degët e ekonomisë u shkatërruan, popullata shqiptare (raja) e krishterë përfundimisht u asimilua kështu që numri i popullatës nëpër qytete dhe fshatra dukshëm u zvogëlua.

Ushtria e tretë serbe që në fund të vitit 1912 e pushtoi Shqipërinë planifikonte të dilte në detin Adriatik, për ta plotësuar platformën e saj strategjike të hartuar sipas projekteve pansllaviste. Ushtria serbe për pushtimin e Shqipërisë së sotme u komandua nga gjenerali Bozidar Jankoviç.

Ushtria serbe, por sa e kaloi kufirin e Kosovës së sotme dhe hyri në zonën e Lumës, atje hasi në rezistencë të shqiptarëve. Bazuar në burimet e kohës dhe shtypin ndërkombëtar, ushtria serbe bëri masakra të mëdha ndaj popullatës civile në atë zonë. Raportet e kohës dëshmojnë për vrasjen e shumë fëmijëve, pleqve, grave dhe për djegien e 27 fshatrave në zonën e Lumës.

 

 

Foto 26 dhe 27. Masakrat e ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike në Lumë

Ushtarët serbë qëndruan në Lumë, dhe nuk tërhiqeshin. Shqiptarët në shtator të vitit 1913 u ngritën në kryengritje, por ushtria serbe e shfrytëzoi këtë rast që edhe njëherë të hakmerret duke bërë krime mizore ndaj popullatës së Lumës.

Sipas shkrimeve të Dimitrije Tucoviqit vrau me qindra banorë dhe dogji disa fshatra.

 

 

Foto 28 e 29. Ushtarët serbë në Lumë

Për të gjitha këto krime të kryera nga ushtria serbe ndaj popullit shqiptarë, Serbia kurrë nuk është paditur në gjykatën ndërkombëtare, por përkundrazi krimet e kryera janë fshehur për qytetarët shqiptar dhe opinionin ndërkombëtar. Madje nga shqiptarët u nderuan vetëm ushtarët serbë!

 

 

Foto 30. Ushtarët serbë në Durrës dhe foto 31. Memoriali i ushtrisë serbe në Tiranë

Për çudi nga mos njohja e krimeve dhe terrorit që bëri ushtria serbe ndaj popullit shqiptar gjatë luftërave ballkanike, në varrezën e Sharrës në Tiranë, në vitin 1939 është ngritur një memorial kushtuar 522 ushtarëve serbë që vdiqën gjatë viteve 1912-1913 në Shqipëri! Vërtetë është e pa kuptimtë që në Tiranë të ngrihet memorial për 522 ushtarët serbë pa u ngritur asnjë memorial për dhjetëra mijëra shqiptarë të vrarë dhe qindra mijëra tjerë të shpërngulur prej ushtrisë serbe gjatë këtyre luftërave!

Administrata serbe, pasi i bëri gjithë këto krime dhe e kolonizoi Kosovën, përveç ndryshimit të strukturës së popullatës, ku solli kolon në tokat e shqiptarëve, bëri dhe ndryshimin e toponimeve të vendbanimeve. Administrata serbe, Hanit të Elezit, në kufirin e sotëm me Maqedoninë ja vuri emrin e gjeneralit Bozidar Jankoviçit, duke e pagëzuar Gjeneral Jankovi[, ndërsa fshatin e kolonizuar me serbë afër Ferizajt e pagëzoi me emrin e çetnikut serb Vojisllav Tankosiqit, që i bëri krimet më të rënda ndaj popullatës shqiptare. Emërtime të ngjashme u vunë në të gjitha trevat shqiptare të pushtuara nga serbët.

Kjo besoj se ka ndodhur për shkak të mungesës së një platforme kombëtare shqiptare, për të eliminuar dallimet në mendje dhe dhimbje për popullatën tonë, që ruan gjuhën, traditat dhe kulturën tradicionale arbërore përkundër dallimeve të vogla në të gjitha hapësirat e Gadishullit Ilirik.

Të gjitha këto dëshmi që u ofruan në këtë punim, janë fakte të pamohueshme që ushtarët serbë gjatë këtij rrugëtimi të përgjakshëm nëpër trevat shqiptare vranë dhe masakruan me mijëra shqiptarë të pafajshëm, dhe i bënë shkrumb e hi qindra vendbanime shqiptare në Kosovë e Shqipëri.

Përfundim

Shqiptarët gjatë katër shekujve të fundit i përkisnin një populli të shtypur dhe diskriminuar andaj kundër popullit tonë ishin hartuar disa projekte shfarosëse. Duke e pasur parasysh këtë fakt, duhet pranuar se shqiptarët për katër shekuj rresht kishin hyrë në një proces të vazhdueshëm të vrasjeve, migrimit dhe asimilimit me një ritëm shumë më të madh se sa në shekujt e mëparshëm. Kur dihet se kjo gjendje e rëndë e shqiptarëve mund të argumentohet me fakte historike, andaj për opinionin e brendshëm dhe të jashtëm shtrohet pyetja logjike, Po kush kishte dobi nga popujt tjerë që të asimiloheshin në shqiptar, kur dihet se shqiptarët nuk gëzonin asnjë të drejtë elementare kombëtare, dhe nuk kishin në mbrojtje të asnjë fuqie të kohës. Me forcimin e feudalëve shqiptarë prej fillimit të shekullit XVIII e deri në shuarjen e tyre në shekullin XIX, i mbijetuan kohës duke ikur prej një armiku, për të hyrë në gjirin e armikut tjetër, dhe duke qëndruar i varfër i persekutuar dhe i nënshtruar nën mëshirën e armikut të vet (Pashallarëve shqiptar). Pashallëqet shqiptare që ishin krijuar, për të mbajtur pozitat e tyre dhe duke qëndruar servil ndaj sulltanit, përfitonin varësisht prej shërbimeve që i bënin Stambollit. Pashallarët shqiptar shpërbleheshin me poste e çifligje. Në këto çifligje për të përmbushur interesat e pashës dhe të sulltanit, punonte populli i varfër shqiptar. Pashallarët shqiptar për të mbajtur pozitat e dhuruara nga sulltani, e të cilët nuk ngopeshin me vjeljen e taksës dhe torturave të ushtruara ndaj popullit të vet, dhe për këto sjellje të ulëta të tyre, ndaj qenies së vet, nuk e qante fortë kokën edhe Evropa, që në atë kohë kishte hyrë në fazën e zhvillimit kulturor e teknologjikë.

Rilindja kombëtare shqiptare filloi në një fazë shumë të rëndë për popullin tonë. Falë lëvizjeve kulturore të përgjithshme që u ringjallën pas revolucionit borgjez Francez, diaspora e jonë e shpërngulur në Itali, katër shekuj më parë nga trojet etnike, e ringjalli shpresën e arsimimit të popullit tonë, e shtoi vetëdijen kombëtare, për gjuhën identitetin dhe lashtësinë, por krejt kjo përpjekje dhe lëvizje e inteligjencës shqiptare, nuk kishte mundësi ta parandalojë realizimin e projekteve pansllaviste dhe programet asimiluese turkofile ndaj popullatës së varfër shqiptare. Gjatë shekullit XIX popullata e varfër shqiptare, mbijetoi në trojet e veta etnike, edhe përkundër projekteve, që ky popull në vazhdimësi vritej, dhe asimilohej sipas platformës sllave të hartuara në shtetet perëndimore edhe programeve të P. osmane për reformat e brendshme që i kishte filluar. Reformat e filluara në P. Osmane i cenonin rëndë të drejtat elementare kulturore dhe ekonomike të popullit tonë. Pra, siç shihet populli shqiptar gjatë gjithë shekullit XIX e deri në luftërat ballkanike i nënshtrohej një presioni të rëndë nga dy fuqitë më të mëdha ushtarake Rusisë dhe Turqisë që në atë kohë e kishin shtrirë ndikimin e vet në Gadishullin Ilirik.

P. Osmane që nga shekulli XVI i kishin shtuar presionet për islamizimin e shqiptarëve, duke përvetësuar shtesa të interesit në qytete, dhe me përhapjen e bektashizmit. Përmes këtyre masave P. Osmane synonte që të krijojë përçarje të mëdha te populli shqiptarë, në mënyrë që të pengohet uniteti kulturor dhe për kryengritje gjithë popullore.

Nga përvoja e hidhur historike, për ti mbijetuar kohës, populli shqiptar, duhet të krijojë platformën kombëtare, duke u mbështetur në vlerat e mirëfillta kulturore pro perëndimore.

Është e ditur se pushtuesit e ndryshëm kanë lënë plagë të rëndë duke na lënë prapa popujve tjerë të rajonit, por ne duhet të ecim përpara me guxim për unifikimin e vlerave tona kombëtare, duke i ruajtur vlerat tradicionale për të dëshmuar se meritojmë një trajtim të dinjitetshëm njerëzorë sikurse popujt tjerë evropian.

- FUND -

______________

 

Dr.Qazim Namani: Pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe gjatë vitit 1912 dhe luftërat ballkanike (1)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9963

***

Dr.Qazim Namani: Luftërat ballkanike dhe pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe gjatë vitit 1912 (2)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9964

***

Dr.Qazim Namani: Pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe gjatë vitit 1912 dhe luftrat ballkanike (3)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9977

***

Dr.Qazim Namani: Luftërat ballkanike dhe pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe gjatë vitit 1912 (4)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9979

***

Dr.Qazim Namani: Luftërat ballkanike dhe pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe gjatë vitit 1912 (5)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9984