1,4 miliardë dollarë për të ndihmuar vendet e Europës dhe Azisë
Deri tani, Banka Botërore ka angazhuar më shumë se 1,4 miliardë dollarë për të ndihmuar vendet e Europës dhe Azisë Qendrore të zbusin pasojat e COVID-19.
Prej datës 2 prill 2020, janë miratuar nëpërmjet projekteve të reja në kundërpërgjigje të situatës së jashtëzakonshme rreth 490 milionë dollarë. Gjithashtu, po rishpërndahen, po përdoren ose vihen në dispozicion nga projekte dhe huadhënie ekzistuese deri në 925 milionë dollarë, përfshirë edhe financime të tjera shtesë, për t’i ndihmuar vendet në kundërpërgjigjen që po i japin situatës së COVID-19.
Ky financim mbulon shpenzime për pajisje mjekësore, përfshirë kompletet e analizave mjekësore, aparatet e frymëmarrjes artificiale dhe ventilatorët, dhe fuqizimin e kapaciteteve të sistemeve shëndetësore, përfshirë formimin e personelit mjekësor, krahas mbështetjes për mbrojtjen sociale të personave më të cenueshëm që preken nga COVID-19. Disa vende të rajonit po zhvillojnë aktualisht diskutime me Bankën Botërore për projekte dhe mbështetje në të ardhshmen, për t’i ndihmuar në trajtimin e efekteve të pandemisë.























