16:54 / 05.05.2020
Si mund ta avansojmë bujqësinë vendore
Shkruan: Prof. Dr. Imer R. RUSINOVCI Fakulteti i Bujqësisë, Prishtinë
Bujqësa dallon nga degët tjera ekonomike, sepse nxjerrë lehtë dhe shpejtë prodhimet e veta. Një reformim i duhur i bujqësisë, krahas sfidave aktuale socio-ekonomike, është rrugë e duhur për rritjen e të ardhurave të fermerëve, avansim të ekonominë kombëtare dhe krijim të vendeve të reja të punes. Mbështetja e bujqësisë konformë zinxhirit të vlerave të saj, e lidh prodhimin me tregun.
Paraja publike duhet të shkojë në investime konkrete dhe të duhura. Mirëpo, duhet të rriten dhe të monitorohen rreptësisht skemat shtetërore të pagesave për bujqësi, me fonde për investime të dedikuara “vetëm për bujqësi dhe blegtori”. Këto fonde duhet të shkojnë për ndërtimin e asaj që i mungon me së shumti bujqësisë tonë, si p.sh. në pikat grumbulluese, ku grumbullohet dhe shpërndahet prodhimi.
Në këtë mënyrë i inkurajojmë fermerët edhe për: ruajtjen e tokës bujqësore, shtimin e produktiviteti të punës, ndërtimin e serrave bashkëkohore etj. Në këto qendra nuk duhet vetëm të grumbullohen, shiten e paketohen prodhimet, porse në to njëkohësisht duhet t’u ofrojmë këshillime dhe ndihma teknike fermerëve, në të cilat mund të shpërndahen farëra e plehëra të kontrolluara dhe të çertifikuara. Në çdo komunë nëse ngriten qendra të tilla, mund të përgatiten edhe kontrata dhe të kryhen pagesa, të gjitha këto në një vend të caktuar, brenda të njëjtës qendër duke ju kursyer, fermerëve kohë, mund dhe para. Njëkohësisht duhet të inkurajohen fermerët, për zbatimin e teknologjive të avansuara, drejt realizimit të rendimenteve të larta, sepse pa e maksimalizuar prodhimin bimor dhe blegtoral, nuk mund të jemi konkurrues dhe të pranishëm në tregje. Fermerët duhet t’i arsyetojnë përpjekjet, mundin dhe sakrificat për punët që bëjnë, duke kontribuar kështu në zhvillimin e bujqësisë.
Përdorimi i fondeve për bujqësi, kërkon te jemi pragmatistë, duke u orientuar gjithnjë drejt rezultatit dhe jo përpjekjeve. Kjo sepse fondet tona janë të kufizuara, ngase ne nuk i kemi mundësitë financiare të Gjermanisë, Francës, Holandës etj. Për këtë arësye, bujqësinë duhet t’a mbështesim në shërbime që u ofrojmë fermerëve, duke i ftuar dhe inkurajuar ata që të prodhojnë dhe t’i dorëzojnë prodhimet e tyre në pika grumbulluese. Kjo për faktin se, një prodhim i grumbulluar, peshuar dhe klasifikuar, do t’u siguronte fermerëve, përveç shitjes së garantuar, pjesëmarrje në pagesat direkte, sipas mundit dhe djersës së tyre për çdo kg apo litër prodhim të dorëzuar dhe të shitur.























