Bregasi: Urgjente paketa e re e ndihmës me stimuj fiskalë
Situata është shumë e vështirë dhe përballë rritjes së papunësisë si rezultat i tkurrjes së biznesit, duhet urgjent ndihma e qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, kreu i “BiznesAlbania” sqaron gjendjen e biznesit, kategoritë që u prekën e rrezikojnë më shumë nga kriza dhe mjetet e mënyrat me të cilat qeveria duhet të ndërhyjë.
“Urgjent kërkohet hartimi i protokollit dhe implementimi i kësaj garancie dhe propozimi është që termat e kësaj kredie të jenë të thjeshtë për biznesin 6-12 muaj “grace period’ dhe 4- 5 vjet kthimi, pasi biznesi ka dhe kredi të tjera për të shlyer!”
Zoti Bregasi, po mbushen dy muaj që kur qeveria me urdhër ka mbyllur shumicën e aktiviteteve të biznesit. Ju si “BiznesAlbania”, si e shikoni situatën sot?
Situata ekonomike e vendit mbas mbylljes së ekonomisë nga Covid-19 paraqitet shumë e vështirë. Shumë pak ndërmarrje kanë punuar, kryesisht disa shërbime dilivery e marketet ushqimore, shërbimet farmaceutike, ndërsa pjesa tjetër e ndërmarrjeve kanë qenë totalisht të mbyllura. Më të goditura në këtë dymujor dhe me inerci vështirësie edhe në të ardhmen kane qenë sektori i turizmit, ndërmarrjet e prodhimit, shërbimet e bareve dhe restoranteve, si dhe sektori i fasonerisë dhe agropërpunimit. Mbyllja e aktivitetit i ka detyruar shumë ndërmarrje që të ndërpresin marrëdhëniet e punës me punonjësit… dhe deri tani numërohen mbi 60 mijë punonjës që kanë lënë punën. Eksportet shqiptare kanë pësuar një goditje të madhe, pasi edhe ekonomia europiane është e mbyllur prej Covid-19. Parashikimet vijnë të zymta nga ekonomistët dhe specialistët e ekonomisë, duke llogaritur që në shkallë botërore mund të shkojë në 5-10 % rënie të ekonomisë globale. Sektori i turizmit, që do të jetë dhe sektori më i goditur, do të sjellë rënie të të ardhurave për ekonominë shqiptare, pasi dihet që ky sektor, në zinxhirin e vet ekonomik jep 20-25% të të ardhurës kombëtare. Vështirësi të mëdha ka pasur dhe industria e prodhimit, që për shkak të mungesës së kërkesës kanë punuar me kapacitete të reduktuara, që shkojnë nga 30-60%.
Në një komunikim publik, ju i kërkuar qeverisë të ndërmarrë disa masa shtesë. Ju thoni që dy paketat e ndihmës nga qeveria nuk kanë shkuar te biznesi. Pse nuk po funksionojnë paketat e ndihmës dhe garancisë sovrane të ofruara nga shteti? Çfarë duhet të bëjë qeveria, që paratë e paketat e premtuara nga ajo të shkojnë te biznesi dhe punonjësit?
“BiznesAlbania”, duke vlerësuar seriozisht gjendjen e ekonomisë së vendit si pasojë e Covid-19, nëpërmjet një deklarate për shtyp i ka kërkuar qeverisë që ta menaxhojë me shumë kujdes e vëmendje rinisjen e aktivitetit ekonomik të ndërmarrjeve. “BiznesAlbania” e ka mbështetur dhe përshëndetur punën e qeverisë për ruajtjen e shëndetit të popullatës, por ndërkohë skenari i hapjes së ekonomisë në mënyrë graduale nuk po shoqërohet me masa mbështetëse nga ana e qeverisë, për funksionimin e dy garancive sovrane nga ana e saj. Garancia e parë sovrane, përveçse u adresua me interesa, por nga ana tjetër ishte vetëm për pagat e punonjësve. Kjo solli hezitim nga ana e biznesit. Ndërkohë na rezulton që edhe aplikimet që janë bërë nga biznesi për pagat e punonjësve, akoma nuk janë lëvruar dhe punonjësit janë pa marrë pagat e muajve mars e prill. Problemi i mosfunksionimit të garancisë së parë është se qeveria ua ka kaluar gjithë riskun bankave dhe protokolli midis bankës dhe qeverise është i tillë.
Kërkohet protokoll i ri që bankat të mos hezitojnë në dhënien e garancisë së parë sovrane për pagat. Qeveria të marrë përgjegjësi! Për garancinë e dytë sovrane, ende nuk ka një protokoll se si do të zbatohet. Ne e kemi mbështetur se ka dy të mira: është pa interesa sepse ato i ka marrë përsipër shteti dhe objekti i kredisë është dhe për kapital qarkullues, shumë i nevojshëm për ndërmarrjet që duan të rinisin aktivitetin ekonomik. Urgjent kërkohet hartimi i protokollit dhe implementimi i kësaj garancie dhe propozimi është që termat e kësaj kredie të jenë të thjeshtë për biznesin 6-12 muaj “grace period’ dhe 4-5 vjet kthimi, pasi biznesi ka dhe kredi të tjera për të shlyer.
“BiznesAlbania” kërkon që Qeveria dhe Banka e Shqipërisë të mundësojnë shtyrjen e pagesës së principalit të kredive për një vit, për të gjitha ndërmarrjet e prekura nga Covid-19. Si mund të arrihet një pakt i tillë dhe sa mund ta ndihmojë kjo masë sipërmarrjen?
“BiznesAlbania” ka falënderuar akordin e arritur midis Bankës Qendrore dhe qeverisë për shtyrjen e kredive për 3 muaj për ndërmarrjet e goditura nga Covid-19, por situata duket mjaft e vështirë për të gjitha ndërmarrjet e goditura dhe në këto kushte, ne i kemi kërkuar Bankës së Shqipërisë që të shtyhet pagesa e principalit për një vit. Sigurisht që kjo kërkon një studim të dyanshëm nga bankat dhe biznesi. Nuk duhet spekuluar me këtë kërkesë. Bëhet fjalë vetëm për ndërmarrjet që janë goditur shumë nga Covid-19. Guvernatori ka dhënë sinjale që është duke e studiuar kërkesën e bërë nga “BiznesAlbania” për shtyrjen e principalit të krdive për një vit.
Një pyetje e fundit. Shqipëria është një vend me ekonomi private, ku pjesën më të madhe të GDP-së dhe të të punësuarve e mban sipërmarrja. Në shumë vende perëndimore, qeveritë kanë ngritur grupe pune për daljen nga kriza, të cilat drejtohen nga ish-menaxherë të suksesshëm të bizneseve private. A mendoni se edhe qeveria shqiptare, para se të marrë masa apo paketa ndihmash, duhet të konsultohet, në mos të bashkëvendosë me biznesin? Këtu kam parasysh ankesat e biznesit për mosfunksionim të paketave të ndihmës që janë aplikuar deri tani, sikundër mund të mos funksionojnë edhe paketat e ardhshme.
Do ishte shumë mirë që në këtë situatë të vështirë për popullin dhe ekonominë shqiptare të kishin funksionuar më mirë shtabet dhe komitetet e bashkëpunimit me specialistë të ekonomisë akademike të universiteteve me sipërmarrës të spikatur, me drejtues të shoqatave të biznesit të dhomave të tregtisë. Në rast se për skenarin e shëndetit u ngrit një komitetet konsultativ me mjekët më të mirë..dhe kjo funksionoi shumë mirë, kjo gjë nuk ndodhi për të hartuar skenarin e shëndetit të ekonomisë. Ndaj dhe masat e propozuara nga biznesi u trajtuan si të tepruara, pa baza. Biznesi u anatemua nga qeveria dhe siç shikohet, të dyja garancitë sovrane nuk kanë funksionuar. Prandaj, do të kërkoja një paketë të tretë vetëm për biznesin e goditur nga Covid-19, që të bëhet në bashkëpunim me “BiznesAlbanian” dhe shoqatat e biznesit dhe dhomat e tregtisë, e dedikuar për sektorët e goditur më shumë. T’i ngjajë një pakete rregullatore me stimuj fiskalë dhe ndihma ekonomike e kredi të buta e pa interesa, me afate të gjata shlyerjeje.























