Vështirë të merret një pasqyrë e saktë e ndikimit nga pandemia
Drejtori i Përgjithshem i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, në forumin virtual të organizuar nga Oda Amerikane ‘’Roli i ATK në trajtimin e kërkesave të biznesit lidhur me Pakon Emergjente Fiskale’’ theksoi se për ATK-në pandemia ka ndikuar negativisht në kufizimin e aktiviteteve të planifikuara për këtë vit, e rrjedhimisht edhe në aspektin e të hyrave.
Sipas tij është e vështirë të merret një pasqyrë e saktë e ndikimit që pandemia ka pasur mbi ekonominë e vendit, sidomos për shkak se janë marrë tre vendime rradhazi lidhur me zgjatjen e afatit për deklarim dhe pagesë të tatimeve. Ai shtoi se vendimi i fundit është marrë me qëllim që bizneset t’u shmangen kalkulimit të interesit dhe që ndërmarrjet në vështirësi financiare të kenë mundësi që sa më parë t’i përfundojnë pagesat e detyrimeve, e megjithëse është apeluar që të njëjtit që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, nuk është hasur në ndonjë fluks të aplikimeve për marrëveshje.























