MFT-ja fillon javën e ardhshme pagesat për punëtorët
Rrezarta Zekaj, Radio Kosova
Javën e ardhshme fillojnë pagesat për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave e barnatoreve, për ata që kanë humbur vendin e tyre të punës, për punëtorët me kontratë njëvjeçare dhe për qytetarët të cilët janë në kushte të rënda sociale.
Zëvendës ministri i Financave dhe Transferove, Agim Krasniqi, tha se tani për tani kanë fonde për pagesë të masave që janë përfshirë në kuadër të Pakos Fiskale Emergjente. Ndërkohë sot përfundon aplikimi për pako emergjente, për qytetarët të cilët jetojnë në kushte të rënda.
Ministria e Financave është brenda planifikimeve për realizimin e pakos emergjente, e iniciuar si pasojë e pandemisë Covid -19. Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, i tha Radio Kosovës se tashmë janë implementuar disa pjesë të masave, duke filluar nga Ministria e Shëndetësisë, ku janë ndarë 10 milionë euro:
"Pas kësaj ka filluar implementimi i masës 3, e cila ka të bëjë me pagesën e 170 eurove për pagat mujore për biznese që kanë qenë të prekur prej pandemisë ...deri tash janë paguar mbi 90 mijë persona, ka mbetur edhe një pjesë që duhet të paguhet çdo ditë. Është implementuar masa 1, pagesa e dyfishtë për skemat sociale, masa 2 30 euro shtesë për pensionet, është paguar masa 6 që ka të bëjë me sektorin publik në vlerë prej 300 eurosh", tha ai.
Zëvendësministri i Financave thotë se nga java e ardhshme pritet implementimi i masës 7, pagesë shtesë prej 100 eurosh për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve, masa 8 - pagesë prej 130 eurosh për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës, masa 14, 130 euro për punëtorët me kontratë pune së paku një (1) vjeçare si dhe masa 15–pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130€) eurosh për qytetarët me kushte të rënda sociale.
"Javën e ardhshme, besoj se fillojmë me masën 7, 8, 14 dhe 15, për arsye se mjetet janë siguruar për një muaj dhe pjesa tjetër varësisht prej punës së komisionit, përgatitjet që duhet bërë në plotësim ndryshimin e ligjit të buxhetit, duhet të fillohet me aplikim pasi të përfundojë muaji i parë për të gjitha këto masat që kanë të bëjnë me individë dhe me biznese", tha ai.
Aplikimi për masën 15, mbështetje financiare për të papunët që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga Buxheti i Kosovës, përfundon me 15 maj ditën e premte. Zëvendësiministri i Financave, Krasniqi, flet edhe për vështirësitë që kanë hasur gjatë këtij procesi:
"Po shkon goxha me vështirësi, sepse në fillim nuk kemi pritur që do të kemi probleme teknike. Po duhet nganjëherë t’i kthejmë dhe të kërkojnë informata shtesë te punëmarrësit, ka gabime teknike me llogari bankare me emra. Kemi informata që nganjëherë është keqpërdorë kjo situatë nga disa firma", tha ai.
Krasniqi thotë se vetëm për masën e parë, që ka të bëjë pagesë të dyfishtë të vlerës së skemës sociale, janë mbi 140 mijë njerëz që kanë aplikuar, përderisa janë 26 mijë familje me asistencë sociale, ndërsa për masën 15 janë mbi 40 mijë. Për këtë arsye Krasniqi thotë se gjithçka do të analizohet mirë, në mënyrë që të përfitojnë ata që vërtet kanë nevojë.























