MSH:Faza e tretë e lehtësimit të masave varet nga situata epidemiologjike

MSH:Faza e tretë e lehtësimit të masave varet nga situata epidemiologjike

Pasi u shfaqën rastet e para të të infektuarëve me COVID-19 në muajin mars, Qeveria e Kosovës ndërmorri masa strikte për mbylljen e pothuajse të të gjithë veprimtarive që zhvilloheshin në vend.

Qeveria e Kosovës ndër to mbylli insitucionet kulturore, tregjet, palestrat si dhe u ndaluan ceremonitë fetare të cilat aktualisht janë duke u rivlerësuar nga Ministria e Shëndetësisë për hapjen graduale të tyre.

Në një përgjigje dërguar Telegrafit, zyra për informim nga kjo ministri thonë që parqet, ceremonitë fetare, tregjet, palestrat dhe qendrat e kujdesit ditor do të rivlerësohen gjatë fazës së dytë (18 maj-01 qershor) për hapjen graduale të tyre.

Sipas MSH-së, vendimi për to do të merret bazuar në situatën epidemiologjike dhe vlerësimit që do të bëhet para datës 1 qershor.

“Parqet, ceremonitë fetare, tregjet e tjera, palestrat, qendrat tregtare dhe qendrat e kujdesit ditor  sipas planit për hapjen graduale janë paraparë të rivlerësohen gjatë fazës së dytë (18 maj-01 qershor). Vendimi për to, do të merret bazuar në situatën epidemiologjike dhe vlerësimit që do të bëhet para datës 1 qershor”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ndryshe, faza e parë filloi më 4 maj me kthimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve me masa të qarta kufizuese sa i përket distancimit social dhe masave mbrojtëse të nevojshme. 


MË SHUME NGA Shëndetësi