Masat në ndërtimtari në kohën e pandemisë

Masat në ndërtimtari në kohën e pandemisë

Një kompani ndërtimi në kryeqytetin amerikan Uashington filloi të eksperimentonte se si do të ishte kthimi në punë, pasi projektet e tyre konsiderohen si thelbësore gjatë periudhës së mbylljes së vendit.

Kompania MCN Build po rifillon konstruksionin e një shkolle ndërsa punonjësit në pjesën dërmuese të sektorëve ende vazhdojnë të jenë të izoluar në bazë të urdhërave qeveritare.

Kur punonjësit mbërrijnë tek objekti që po ndërtohet, ata pyeten nëse kanë patur ndonjë simptomë ose nëse mendojnë se kanë qënë të ekspozuar ndaj virusit. Pasi u merret temperatura, ata përdorin pajisje mbrotjëse, madje më shumë se asnjëherë tjetër më parë. Javier Espinoza është drejtor për sigurinë me kompaninë MCN BUILD.

“Mbulesë të fytyrës, stacione sanitare për pastrimin dhe larjen e duarve në të gjitha projektet. Punonjësit duhet të deklerojnë gjendjen dhe përgjigjen pyetjeve si dhe të kontrollohen për temperaturë. Kjo është praktikë e re si rezultat i pandemisë.”

Pezullimi i punës dhe vetizolimi me urdhër të qeverisë për të parandaluar pandeminë ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën e punës. Kompania MCN punësoi një firmë higjene për të siguruar marrjen dhe zbatimin e të gjitha masave të nevojshme në parandalimin e përhapjes së virusit. Jose Lopez është punonjës ndërtimi në kompaninë MCN BUILD.

“Është shumë e vështirë të punosh gjithë ditën me maskë në fytyrë, sidomos kur avulli që nxjerr nga goja të bllokon shikimin. Por situata kërkon këto masa, që të sigurojmë vetveten dhe kemi filluar të mësohemi. Për momentin kjo është shumë e domosdoshme.”

Ndërsa fillojnë dhe lehtësohen kufizimet, detyrat për punonjësit e ndërtimit padyshim që do të përshtaten për të zvogëluar rreziqet e infektimit dhe parandalimit të një vale të dytë të virusit. Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë paralajmëruar mundësinë që dimrin që vjen vendi mund të goditet rëndë.

Punonjësi i ndërtimit Jose Lopez thotë se masat duhen rrespektuar.

“Kufizimet janë të nevojshme sepse ne duhet të punojmë për të ushqyer familjet tona. E kemi të nevojshme të punojmë.”

Aktiviteti i biznesit në shkallë botërore pësoi rënie gjatë prillit ndërsa parashikimet janë të zymta pasi mbyllja ka ngrirë prodhimin dhe dëmtuar kërkesat. Sipas të dhënave, deri tani në Shtetet e Bashkuara janë infektuar 1,2 milion njerëz ndërsa pandemia u ka marrë jetën 74 mijë të tjerëve. Urdhërat për izolim kanë dëmtuar rëndë ekonominë amerikane ndërsa në mbarë vendin po shtohen protestat për dhënien fund të kufizimeve./VOA