Vendimi i shpëtimit prej 9 mld eurosh të Lufthansa pritet ‘së shpejti’

Vendimi i shpëtimit prej 9 mld eurosh të Lufthansa pritet ‘së shpejti’

Bisedimet mbi një plan prej 9 miliardë eurosh për të shpëtuar transportuesin kombëtar gjerman Lufthansa së shpejti mund të arrijnë në një përfundim, tha kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Qeveria gjermane është në bisedime intensive me kompaninë dhe Komisionin e BE-së. Një vendim pritet së shpejti, por unë nuk mund të jap detaje në lidhje me bisedimet në vazhdim”, tha Merkel.

Lufthansa gjithashtu konfirmoi se një ndërhyrje nga qeveria gjermane tani është afër.

“Projekti parashikon masa të stabilizimit deri në 9 miliardë euro, përfshirë 3 miliardë euro në formën e një kredie”, e cila do të vijë nga banka e investimeve publike KfË, sipas Lufthansa.

Nëse marrëveshja arrihet, qeveria gjermane do të merrte një pjesë të konsiderueshme të linjës ajrore – e dyta në Europë për numrin e pasagjerëve të transportuar.

Fondi i stabilitetit ekonomik të qeverisë federale (WSF), i cili u krijua për të qetësuar ndikimin e pandemisë së koronavirusit, do të fitojë 20 për qind të kapitalit, si dhe bono të konvertueshme në aksione me vlerë  “një shtesë 5% plus një aksion”, detajoi Lufthansa.

Kompania, e cila punëson rreth 140 mijë njerëz në të gjithë botën, po kalon një krizë serioze, me rreth 700 nga 760 avionët e saj në pistë, dhe mbi 60% të punonjësve të saj po bëjnë punë me kohë të pjesshme.

Në prill, ajo transportoi më pak se 3 mijë pasagjerë në ditë, krahasuar me 350 mijë para pandemisë.