Në BE bien eksportet e makinerive dhe automjeteve
Sharr Travel

Në BE bien eksportet e makinerive dhe automjeteve

Përderisa masat kufizuese për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19) kanë prekur një numër të madh të sektorëve, në Bashkimin Evropian (BE) eksportet e makinerive dhe automjeteve janë prekur më së shumti.

Sipas Eurostat, zyrës statistikore të BE-së, në mesin e eksporteve të mallrave jashtë BE-së rënia më e madhe në terma absolute u regjistrua në makineri dhe eksporte të automjeteve, gjegjësisht krahasuar me muajin janar një rënie me 14 miliardë euro ose 20 për qind në muajin mars.

Eksportet e mallrave të tjerë të prodhuar, në të njëjtën periudhë po ashtu shënuan rënie me 7 miliardë euro ose 16 për qind.

"Në terma relative, energjia u ul më së shumti (minus 2 miliardë euro ose minus 25 për qind)", tha Eurostat.

Në muajin mars eksportet e përgjithshme të bllokut ishin 228 miliardë euro krahasuar me 252 miliardë euro ë muajin janar.

Në të njëjtën periudhë, eksportet kimike të BE-së shënuan një rritje prej 4 miliardë euro ose 4 për qind.

Sa i përket importit, importet e makinerive dhe automjeteve shënuan rënie prej 15 për qind, mallrat e tjerë të prodhuar me 16 për qind dhe energjia me 31 për qind.

Kursi i këmbimit euro/dollarë ishte 1,11 në fund të muajit mars.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur pandemi globale.

Sipas të dhënave nga Universieti "Johns Hopkins" me qendër në SHBA, numri i të infektuarve me këtë virus ka tejkaluar shifrën 5.1 milionë, me mbi 333 mijë të vdekur dhe pothuajse 2 milionë të shëruar.