TAP-i me investime miliardëshe në Shqipëri
Sharr Travel

TAP-i me investime miliardëshe në Shqipëri

Gazsjellësi Trans Adriatik Pipeline (TAP) kaloi për herë të parë gaz natyror në seksionin prej 4 km të gazsjellësit në Shqipëri, nga kufiri greko-shqiptar deri në stacionin matës të TAP-it në Bilisht.

Kjo është faza fillestare e procesit të kolaudimit të tubacionit për të parë nëse infrastruktura është tërësisht e sigurt dhe e gatshme për funksionim pas përfundimit të procesit, në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë dhe funksionimit. Pas kolaudimit të këtij seksioni të parë, gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, injektimi i gazit do të vijojë gradualisht në seksione të tjera të gazsjellësit në Shqipëri dhe më gjerë.

Me qëllim të ruajtjes dhe integritetit dhe sigurisë së gazsjellësit, si gjatë fazës së kolaudimit ashtu edhe gjatë fazës së operimit, TAP-i do të përdorë metoda monitorimi 24 orë në ditë në 7 ditë të javës dhe do të kryejë patrullime të rregullta. Siguria është vlerë themelore e TAP-it. Për këtë arsye, TAP do të vijojë të zbatojë një gamë të gjerë nismash për të mbrojtur njerëzit, komunitetet dhe mjedisin, raporton KOHA.

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ka nisur vlerësimin e tregut duke u lejuar transportuesve të gazit natyror të shprehin interesin e tyre. Kështu, në një fazë të mëvonshme mund të kenë qasje në kapacitetet e reja dhe afatgjata të TAP-it, duke mundësuar kështu zgjerimin e kapacitetit të gazsjellësit në të ardhmen.

Vlerësimi i tregut do të kryhet në dy faza kryesore: faza jodetyruese, që ka nisur më 1 korrik 2019, e ndjekur nga faza detyruese, që pritet të nisë në tremujorin e dytë të vitit 2020, ose diçka më vonë. Duke nisur që nga viti 2020, TAP planifikon të transportojë fillimisht rreth 10 miliardë metra kub gaz natyror në vit, duke sjellë kështu një burim të ri gazi në Evropë. Megjithatë, TAP ka mundësi që ta dyfishojë kapacitetin e vet. TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në sektorin azerbajxhanas të Detit Kaspik për në Evropë.


MË SHUME NGA Ekonomi