Diskutohet për ndikimin e pandemisë COVID-19 tek bizneset
Sharr Travel

Diskutohet për ndikimin e pandemisë COVID-19 tek bizneset

Sekretariati i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE) ka mbajtur sot takim lidhur me ndikimin e pandemisë COVID-19 tek bizneset dhe perspektiven ligjore të mbrojtjes së tyre në rastet e mospërmbushjes së kontratave.

Në këtë takim, të pranishëm ishin përfaqësuesit e sektorit privat, të ministrive anëtare dhe të organizatave ndërkombëtare partnere të KKZHE-së si: Ambasada Amerikane, BERZH-i, Usaid etj. Gjatë takimit u bisedua për masat potenciale që mund të ndërmerren nga Ministria e Drejtësisë, rrjedhën e punës së gjykatave relevante dhe pati sugjerime nga ana e Sekretariatit dhe odave për Qeverinë në lidhje me temën.

Takimi filloi me prezantimin e raportit të përpiluar nga Sekretariati i KKZHE-së, të cilin e elaboroi Eksperti Ligjor i këtij Sekretariati, Gent Nushi me titullin “COVID-19: Implikimet Ligjore për Bizneset”. Gjatë prezantimit Nushi theksoi se raporti nxjerrë në pah disa çështje që bizneset në vend duhet të jenë të vetëdijshëm apo të kenë parasysh në rast të mosmarrëveshjeve që lindin si rezultat i mos përmbushjes së detyrimeve të kontraktuara, si pasojë e pandemisë. Pas një prezentimi të detajuar të rasteve specifike që lidhen me ndikimin e pandemisë tek bizneset dhe perspektiven ligjore të mbrojtjes apo shpëtimit të tyre në rastet e mospërmbushjes së kontratave, Nushi potencioi dhe një numër të konsiderueshëm të rekomandimeve për Qeverinë e vendit dhe institucionet të tjera shtetërore si p.sh  afatet e përfundimit të kontratave, mund të konsiderohet se nuk kanë filluar nëse ajo periudhë ka skaduar ndërmjet 11 mars 2020 dhe një muaj pas përfundimit të qershorit 2020. Rekomandim tjetër ishte mundësia e rishikimit të termave dhe kushteve të kontratave  të prokurimit publik nga autoritetet kontraktuese dhe operatorët ekonomik. Rrjedhimisht, Nushi theksoi rëndësinë e ndërmjetësimit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet bizneseve. Njëkohësisht duke ofruar edhe rekomandimet që duhet konsideruar nga Qeveria e Kosovës për të ndihmuar bizneset vendore të cilat janë duke kaluar nëpër proces të tillë me vështirësi financiare.

Gjatë takimit Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, Qemajl Marmullakaj, përmendi disa nga masat e marra nga kjo ministri lidhur me situatën e krijuar. Në kuadër të këtyre masave, Ministria e Drejtësisë ka udhëzuar zyrat e përmbaruesëve, noterëve dhe zyrave të tjera ligjore që të shqyrtojnë mundësitë për lehtësimin e pagesave nga llogaritë që janë aktualisht të bllokuara të debitorëve përmes zhbllokimit të përkohshëm të tyre apo zvogëlimit të kësteve mujore. Gjithashtu, z.Marmullakaj tha se Ministria e Drejtësisë ka udhëzuar që në pajtueshmëri me ligjin momentalisht të anulohen deri në një vendim të mëtutjeshëm, veprimet përmbarimore në teren dhe seancat e tjera eventuale. Po ashtu, ai tha se është kërkuar nga përmbaruesit që të mos debitohen pagat dhe pensionet e qytetarëve deri në muajin qershor 2020 apo edhe më gjatë, varësisht gjendjes së pandemisë. Marmullakaj i siguroi të pranishmit që Ministria e Drejtësisë do të marr parasysh dhe do t’i reflektoj mësimet e marra nga kjo periudhë gjatë hartimit të akteve ligjore të cilat janë në proces e sipër.

I pranishëm në panel ishte dhe Mahir Tutuli, Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit, përkatësisht Departamentit për çështje ekonomike, i cili shprehi këndvështrimet nga ana e institucionit të cilin e përfaqëson. Gjatë fjalës së tij, z. Tutuli tha se pandemia COVID-19 ka shkaktuar një situatë mjaft komplekse në rrafshin juridik. Si pasoj e kësaj, z.Tutuli tha se një ndër problemet kryesore që është paraqitur është çështja e rrjedhjes së afateve dhe e vetmja mundësi për të parandaluar dëmet që mund t’iu shkaktohen palëve kontraktuale duhet që të përpiqemi të bëjmë interpretimi adekuat të instituteve, siç janë klauzolat lidhur me ndryshimin e kushteve kontraktuese apo çështja e pandemisë si shkaktare e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale. Në rastet e kontratave të cilat afatin e kanë kusht esencial, në atë rast mospërmbushja e afatit me automatizëm propozon shkëputjen e asaj kontrate. Në kushte të tjera tek kontratat e llojeve te tjera, është detyrim ligjor i përcaktuar me ligjin mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve, ku kreditori ka për obligim ligjor që palës tjetër t’i jap një afat shtesë për përmbushjen e kontratës. Raste të tilla sipas z. Tutuli janë në një numër dominues në Kosovë. Pas qartësimit të situatave kontraktuale z.Tutuli gjithashtu  theksoi rëndësinë vitale për krijimin e një gjykate ekonomike dhe rritjen e kapacitetit të saj, sidomos në këtë periudhë të pas pandemisë, njëherit që është dhe propozim i shkruar në raportin e përgaditur nga Sekretariati i KKZHE-së.

I pranishëm ishte edhe Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), i cili foli për drejtësinë komerciale gjatë COVID-19 dhe trajtimin e çështjeve të përmbarimit. Si pikë të parë, z.Zeka përmendi vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për reduktimin e të gjitha masave gjyqësore dhe potencoi atë se OEAK ka ngritur zërin, duke kërkuar që të gjinden modalitete për vazhdimin e seancave dëgjimore në platforma virtuale apo alternativa të tjera. Për fund, z. Zeka i bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës që në vendimet dhe udhëzimet e ardhshme të  kenë shpjegime të detajuara,të jenë sa më të qarta dhe të shamngin çfarëdo konfuzioni për bizneset, në mënyrë që të evitohet cenimi i të drejtës së palëve apo shkeljes së vullnetit të tyre të lirë për marrëveshje të dyanshme, gjithashtu edhe kur bëhet fjalë për zgjidhjen e proceduarve përmbarimore.

Takimin e përmbylli Lindita Daija, Drejtore e Sekretariatit të KKZHE-së. Ky Sekretariat mbështetet nga BERZH-i dhe ka për qëllim të ofroj mbështetje profesionale dhe analitike për Këshillin dhe grupet punuese të tij. Si përfundim znj.Daija tha se të gjithë pjesëmarrësit u pajtuan që krijimi i një Gjykate Komerciale e cila është funksionale, është hap vital për mbarëvajtjen e punës në sektorin privat dhe se një hap i tillë duhet të merret me prioritet nga Qeveria.


MË SHUME NGA Ekonomi