Shqipëri, rritet përdorimi i internetit nga ndërmarrjet ekonomike
Sharr Travel

Shqipëri, rritet përdorimi i internetit nga ndërmarrjet ekonomike

Në Shqipëri përdorimi i kompjuterave dhe internetit është rritur gjatë vitit 2019 krahasuar me vitin paraardhës, ndërkohë që janë shtuar shitjet “on line” dhe shërbimet elektronike.

“Ndërmarrjet që përdorën kompjutera për qëllime pune gjatë vitit 2019, përfaqësojnë 97,5 % të ndërmarrjeve ekonomike, nga 97,3 % që ishte në 2018”, njoftoi të enjten Instituti i Statistikave.

Sipas raportit, rreth 97,8 % e këtyre ndërmarrjeve kanë akses në internet. Në vitin e shkuar në 87,8 % të ndërmarrjeve, faqja e internetit është përdorur për të shfaqur katalogët e produkteve ose çmimet e tyre nga 80,4 % që ishte në vitin 2018. Raporti i Instat vlerëson se rreth 5,8 % e ndërmarrjeve kanë shitur produkte apo shërbime nëpërmjet faqes së internetit apo aplikacioneve të dedikuara gjatë vitit 2019, nga 5,6 % që ishte në vitin paraardhës.

Sipas raportit, peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në fushën e informacionit dhe komunikacionit me 28,5 %, pasuar nga akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit me 12,8 %, si dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse me 9,7 %.

Edhe media sociale në vitin 2019, (Facebook, Linkedln,Twiter, Youtube) është përdorur nga 59,5 % e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter me akses në internet, nga 52,4 % që ishte në vitin 2018. Raporti i INSTAT-it vlerëson se në 82,2% të ndërmarrjeve media sociale është përdorur për të përmirësuar imazhin e ndërmarrjes ose të tregut të produkteve dhe vetëm 26,7 % e ndërmarrjeve e kanë përdorur median sociale për të shkëmbyer mendime, opinione apo njohuri brenda ndërmarrjes./VOA


MË SHUME NGA Ekonomi