Kryengritjet shqiptare për ta marrë Prishtinën, Leskocin, Vrajën, Shkupin
Sharr Travel

Kryengritjet shqiptare për ta marrë Prishtinën, Leskocin, Vrajën, Shkupin

Cila është e vërteta për prejardhjen kombëtare të hulumtuesit ATANASIJE Urosheviqit (3)

Shkruan Dr. Qazim Namani

Për fshatrat e malësisë së Galabit të kësaj ane, janë të njohura takimet dhe lojërat tradicionale shqiptare për ditën e Shën Gjergjit, që mbahej çdo vit te vendi i quajtur “Lerthat” në Gregjenik.

Gregjeniku ishte fshat i njohur që e kishte edhe kishën e vet ortodokse. Në këto takime dhe gara, që u mbajtën deri në vitet shtatëdhjeta të shekullit XX, merrnin pjesë banorët e të gjitha fshatrat myslimane dhe ortodokse të kësaj ane.

Po ashtu për fshatin Vaganesh, edhe sot ruhen rrëfimet e familjeve shqiptare, se në atë fshat gjatë shekullit XIX u vendos një familje shqiptare nga fshati Marec. Këtë e pohon edhe vet Urosheviçi në librin e tij, kur thotë se para 170 viteve një familje nga Tirinca dhe një tjetër nga Mareci, u vendosën në këtë fshat.

Me qenë se këto familje shqiptare, ende se kishin pranuar islamizimin, me kalimin e kohës, pas pushtimit të Kosovës nga serbët u serbizuan. Dy familje shqiptare të serbizuar nga ky fshat, në vitin 1929, u vendosën në tokat e dy familjeve shqiptare nga fshati Krilevë, që u shpërngulën për në Turqi. Këto familje serbe, me familjet shqiptare në fshatin Krilevë dhe Marec, ishin në lidhje gjaku, dhe deri në vitin 2000, jetuan pranë njëri tjetrit, pa pasur ndonjë konflikt që vlen të përmendet.

Po ashtu për këto fshatra, shkruan edhe vet Uroshevici, i cili ndër tjera për Rahavicen thotë, se aty nuk ka banorë të moçëm, por para ardhjes së banorëve të rijë në këtë fshat, banorët më të vjetër ishin shqiptarët. Me siguri që banorët shqiptar, më parë mund të ishin vendosur në toka më pjellore, në Dardanë, Gjilan apo edhe vende tjera. Pra nga vet Urosheviçi, dëshmohet se fshati më parë kishte qenë i banuar me shqiptar, dhe kjo ka mjaftë shumë rëndësi për të ndriçuar të vërtetën e këtij fshati. Pas shqiptarëve që kishin qene në atë fshat, aty janë vendos familjet serbe Stojkovic, por pas vitit 1878, në këtë fshat u vendosën edhe shqiptar muhaxhir shkruan Urosheviç. Po ashtu Urosheviçi shkruan se anëtarët e familjes Stojkovic që tani në Rahavicë numëronin 11 shtëpi, para 140 viteve, kishin ardhur prej fshatit Tullarë, kinse prej presioneve të shqiptarëve në atë fshat.

Kjo e dhënë përputhet tërësisht me rrëfimet e shqiptarëve, se pikërisht në fillim të shekullit XIX, një familje shqiptare pas një konflikti në fshatin Tullarë, u detyrua ta braktisë fshatin, dhe u vendos në Rahavicë. Meqenëse popullata e kësaj ane ende se kishte pranuar islamizimin, kjo familje që jetoi në Rahavicë me kohë është serbizuar.

Nga puna hulumtuese në terren kemi mësuar se, popullata e fshatrave të Dardanës, Gjilanit dhe Artanës, që kishte jetuar para luftërave ballkanike në këto anë, që sot njihet si popullatë serbe, ishte me origjinë shqiptare, por që u serbizuan pas pushtimit të Kosovës nga serbët.

Po ashtu nga hulumtimet në terren është vërtetuar, se popullata shqiptare e malësisë së Galabit, kishte qenë e krishterë, ku disa vendbanime kishin qenë  të besimit katolik dhe disa tjera të besimit ortodoks. Procesi i islamizimit të plotë të kësaj treve, kishte zgjatur deri në vitin 1912. Ruajtja e besimit të krishterë deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX, në rrethinën e Gjilanit, ishte bërë e mundur sepse Gjinollët e Gjilanit dhe të Vrajës, kryesisht ishin martuar me gra ortodokse, madje edhe vet Gjinollët, ndërtuan kisha për ortodoksët në këto anë. Po ashtu është e ditur se Gjinollët ishin të përpiktë, në zbatimin e fermanëve osmane, ku lejoheshin privilegje të shumta për ortodoksët.

Osmane i kishte nënshkruar disa fermanë, pas humbjes së luftës kundër Rusisë në vitin 1812, andaj kjo dëshmon se ortodoksët edhe në rrethinën e qyteteve ku sundonin Gjinollët, nuk kishin presione nga shqiptarët.

Nga shumë trungje familjare të hulumtuara në këto anë, dëshmia për paraardhësit e tyre katolik, ruhet prej brezit të gjashtë, e të disa familje deri në brezin e tetë. Kjo dëshmon bindshëm që deri në shekullin XIX, edhe përkundër pushtimit qindra vjeçar nga P. Osmane, malësia e Galabit të epërm, mundë të shkelej vetëm me fushata dhe ekspedita të mëdha ushtarake, sepse gjatë gjithë kohës kontrolloheshin nga shqiptarët dhe këto vise ishin të pa kalueshme edhe për zyrtarët turq.

Me shpalljen e reformave të Tanzimatit, ku identifikimi i popullit bëhej sipas religjionit, me të vetmin qëllim asimilimin dhe shkrirjen e popullatës së lashtë ilire në popuj tjerë, prandaj ky ishte projekti më antishqiptar i përgatitur nga Rusia e vendet evropiane në bashkëpunim me P. Osmane.

Tani sipas këtij projekti, të gjithë u lëshuan në gjah, kundër një popullate të pa mbrojtur, duke bërë garë mes veti, se kush po mundet të vras dhe asimiloj sa më shumë shqiptar. Natyrisht se me këto reforma, nuk u pajtua popullata shqiptare, dhe për këtë arsye me të drejtë, parashtruan kërkesa për të drejta kulturore e autonome në trojet e tyre.

Osmane nuk e plotësoi asnjë kërkesë të shqiptarëve, andaj popullata pa marrë parasysh religjionin, u bashkua në kryengritje të armatosur kundër P. Osmane.

Në vitin 1843, kurë “Porta e lartë”, e proklamojë “Hatisherifin e Gjylhanes” në Kosovë, kjo nuk u prit mirë nga popullata shqiptare, menjëherë filluan trazirat dhe popullata u ngrit në kryengritje. Zemërimi i madh i shqiptarëve ishte shtuar, kur përveç shtimit të madh të taksës, regrutimit të dhunshëm të shqiptarëve në ushtrinë osmane, “Porta e lartë” fillojë zëvendësimin e zyrtarëve shqiptar, me funksionar dhe zyrtar osman, dhe fillojë shtimin e masave represive, për islamizimin e popullatës, dhe osmanizmin e administratës në trojet shqiptare.

Ushtria e rregullt e sulltanit, e dërguar në trojet shqiptare, ndërmerrte masa çnjerëzore, dhe bënë presion shumë të madh, ndaj kriptokatolikëve shqiptar në Shqipërinë veriore, me qëllim që të shtoi zhvillimi e procesit të islamizimit të popullatës shqiptare.

Një numër i madh i popullata shqiptare në viset veriore, edhe pas shumë sakrificave deri në këtë periudhë, ju kishin përballuar të gjitha presioneve të pushtetit osman, që kishte ndërmarrë për islamizimin e dhunshëm të shqiptarëve.

Pas shpalljes së reformave të reja, ku identifikimi i kombit bëhej sipas religjionit, shqiptarët e islamizuar detyroheshin të regjistrohen si osmanlinj. Pjesa tjetër, dërmuese e shqiptarëve të kësaj ane, për ti shpëtuar këtij procesi, u detyruan të regjistrohen si bullgar, serbë dhe kroat.

Kjo ndjekje e shqiptarëve nga malet e Galabit, kishte ndodhur për shkak të pjesëmarrjeve të tyre në kryengritje, andaj kundër tyre dhe u morën masa të ashpra nga ushtrisë osmane. Po ashtu një numër i madh, i familjeve shqiptare ortodokse, nga fshatrat e Artanës, Dardanës, Gjilani, Preshevës, Vrajës, Leskocit dhe viseve tjera shqiptare, gjatë kryengritjeve të viteve dyzeta të shekullit XIX, u detyruan të shkruhen si jo shqiptar.

Është me rëndësi të ceket se, gjatë gjithë kryengritjeve shqiptare, që u zhvilluan gjatë shekullit XIX, popullata shqiptare, kriptokatolike e zonave më të thella veriore shqiptare, u bashkuan me kryengritësit shqiptar, pa marrë parasysh se kush i udhëhiqte kryengritjet, pashallarët apo klerikët mysliman shqiptar. Kjo u dëshmua, edhe gjatë kryengritjes së Mustafa Pash Bushatliut, dhe më vonë edhe nën udhëheqjen e Dervish Carës.

Popullata shqiptare ortodokse që u serbizua, në gjysmën ë dytë të shekullit XIX, dhe gjatë shekullit XX, me ndikimin e politikës dhe kishës ortodokse serbe, i përvesuan të gjitha objektet e kultit, dhe përmes procesit të konservimit e restaurimit, më qëllim të falsifikimit të historisë së tyre, gjurmët e kulturës shqiptare u dëmtuan dhe u falsifikuan.

Popullata shqiptare katolike e zonës së Moravës, Vardarit, Velesit, Prilepit, Kosovës së sotme dhe malësia në mes të Prishtinës, Nishit e viseve tjera shqiptare, u treguan shumë aktiv në kryengritjet shqiptare, që i zhvilluan Mustafa Pashë Bushatliu e më vonë edhe Dervish Cara. Kjo dëshmohet edhe në kryengritjet shqiptare për ta marrë Prishtinën, Leskocin, Vrajën, Shkupin e qytetet tjera shqiptare.

Me këtë shembull unë po e veçojë, rolin e popullatës së krishterë shqiptare, që morën pjesë për ta marrë ne dorë qytetin e Vrajës.

Popullata shqiptare katolike e Moravës, sipas reformave të shpallura, ishte regjistruar si popullatë bullgare, kjo shkaktoi revoltë te popullata shqiptare e krishterë, e cila u bashkua në kryengritje, krahas vëllezërve të tyre mysliman, kundër portës së lartë.

Nën udhëheqjen e një shqiptari katolik, të quajtur me emrin Festol (banor i krishterë nga fshati Tërnoc), kryengritësit nga Tërnoci, Selam Rogoqica nga Dardana (Kamenica), Ymeri nga Presheva, dhe bejlerët e ajanët tjerë nga Presheva, Bujanoci e Vraja,  në vitin 1843, e përmbysen sundimin e Hysen Pashës në Vrajë. Shqiptarët ortodoks të Tërnocit, në ato vite me që ishin të krishterë, sipas reformave osmane, ishin detyruar të regjistrohen si bullgar.

Banorët shqiptar ortodoksë në Tërnoc dhe disa fshatra tjera, për ta mohuar kombësinë bullgare, dhe për ta ruajtur dhe identitetin, u detyruan që ta pranojnë islamizimin. Banorët shqiptarë të këtyre anëve nuk hoqën dorë nga gjuha, veshja dhe tradita kombëtare, por këto vlera i ruajtën me mjaftë xhelozi. Burimet e dëshmuara nga terreni, vërtetojnë se shumë familje u ndanë në dy grupe, ku disa e pranuan kombësinë bullgare, ndërsa të tjerët e refuzuan.

Është e ditur se qysh në fund të shekullit XVIII, sipas platformës pansllaviste ishte paraparë që nga lugina e Lumit Moravë të shpërngulën shqiptarët, dhe sipas kësaj platforme filluan që lumin ta quajnë Morava Bullgare.

Pra shihet qartë se vetëm shqiptarëve, nuk ju njihej e drejta elementare e identitetit kombëtar, madje sipas platformës ruse, dhe lumin që buron në Kosovë, e deri në mes të Paraqinit, Pallankës dhe Qyprisë sllavet e quanin Morava Bullgare.

Kufijtë e Serbisë autonome të vitit 1830, në atë kohë vinin deri te Bashkimi i Moravës bullgare me Moravën serbe (Dega tjetër e lumit që kalonte mbi Krushec dhe bashkohej me lumin Morava, serbët filluan ta quajnë si Morava serbe).

Kufiri lindor dhe jugor i Serbisë autonome, dhe dëshmia se deri në Paraqin, lumi quhej Morava bullgare, edhe pse dihej se në atë kohë ky lum deri në ato vende, kalonte nëpër trevat që quheshin Arnautlluk (Albani).

Ushtria osmane pasi i nënshtrojë shqiptarët në Vrajë dhe Leskoc, bëri një hakmarrje të turpshme, ndaj popullatës së krishterë shqiptare, që ishin bashkuar me shqiptarët mysliman, kundër reformave, por dhe për dëbimin e Hysen Pashës, dhe bandës së tij nga qyteti i Vrajës.

Pas këtij nënshtrimi, ushtarët osman u lanë të lirë, që të bëjnë çka të donin me popullatën shqiptare, kështu që në fshatin Tërnoc, dhe disa fshatra tjera përveç plaçkës, ushtarët osman çnderuan edhe gratë e vajzat e popullatës shqiptare.

Rol të madh në këto kryengritje kishte edhe Ismajl Pasha i Leskocit, dhe popullata shqiptare e krishterë e asaj zone.

Ismajl Pasha i Leskocit, kryengritësit i furnizonte më ushqim dhe kuaj. Kryengritësit shqiptar ndiqeshin nga ushtria osmane, që në përbërje të saj, ishin përfshirë edhe shqiptarët e jugut të Shqipërisë, që i udhëhiqte  Omer Pash Latasi.

Kur ushtria e Omer Pashës hyri në Leskoc me 20 qershor 1844, ajanët e Leskocit ju bënë pritje ushtrisë së sulltanit, ju përgatitën ushqime, dhe ju dorëzuan të gjitha parat që i kishin mbledhur në popull, për organizimin e kryengritjes. Me 5 Prill 1845 Ismajl Pasha i Leskocit u kap, dhe me tërë familjen e tij, u dërgua në Azinë e Vogël, të cilët u zhdukën pa lënë gjurmë.

Gjatë kësaj përndjekje ushtria osmane në Leskoc, nguli 50 hunj për ngulitjen e kryengritësve shqiptarë. Me ngulitjen e kryengritësve shqiptar në hunj, popullata u dorëzua dhe  në qytet u vendos administrata osmane.

Pas shuarjes së kryengritjeve shqiptare, ushtria osmane që kishte marshuar drejtë Vrajës, dhe fshatrave e qyteteve shqiptare në veri të saj, sipas disa burimeve të kohës, thuhet se në këto anë, u mblidhen me dhunë 10.000 ushtarë të rregullt, për ushtrisë perandorake osmane.

Gjatë qëndrimit të tyre në këto anë, ata bënë tortura, dogjën fshatra të tëra shqiptare, dhe u imponua me dhunë islamizimi dhe dorëzimi i kryengritësve.

Sipas platformës së reformave të Tanzimatit, u kërkua që përfundimisht të hiqet dorë, nga kriptokatolicizmi i popullatës shqiptare, në malësinë midis Nishit, Prishtinës dhe Shkupit.

Popullata shqiptare e krishterë e këtyre anëve, e sidomos ajo në viset e thella malore, ku nuk u vërejtën krimet e ushtrisë osmane. Pasi që atje nuk arritën vëzhguesit e huaj, nga dhuna e ushtruar nga ushtria e Omer pashë Latasit, popullata shqiptare u detyrua që përfundimisht të heq dorë nga feja katolike, dhe ta përqafojnë islamizimin. /Vijon