Kasumi: Bujqësia dhe prodhimi të trajtohen më seriozisht në këtë kohë
Sharr Travel

Kasumi: Bujqësia dhe prodhimi të trajtohen më seriozisht në këtë kohë

Kompania “Pestova”, e cila merret me prodhimin e farës së patates, kultivimin dhe përpunimin e saj, gjatë kohës së pandemisë ka pësuar rënie të prodhimit për rreth 20%.

Megjithatë pronari i kësaj kompanie, Bedri Kasumi, i ka thënë Radio Kosovës se tashmë kanë përgatitur planin për të dalë nga kjo situatë.

Ai u bëri thirrje institucioneve shtetërore që të mbështesin edhe më shumë sektorin e bujqësisë dhe  prodhimit.

Pronari i Kompanisë “Pestova”, Bedri Kasumi, foli për Radio Kosovën lidhur me situatën e pandemisë dhe dëmet që i ka shkaktuar atij në kompani.

Kasumi, tha se sa i përket prodhimit të patates qëndrojnë  shumë mirë, mirëpo problemi më i mdha është te shitja, ku, sipas tij, ka pasur rënie bukur të madhe.

“Kjo situatë që u krijua nga pandemia, ne na ka shkaktuar probleme direkt në shitjen e produkteve tona. Do të thotë që kemi përqindje bukur të madhe të rënies e kjo shkakton probleme në zinxhirin tjetër. Sasia e patates që është planifikuar për përpunim e që nuk do të arrijmë të përpunojmë të gjithën deri në fund të qershorit, një sasi bukur e madhe do të gjuhet", ka thënë ai.

Ai tha se kompania e tij ka pësuar rënie 20 për qind. Kasumi shtoi se nëse vazhdohet në këtë mënyrë do të bjerë fuqia konsumuese. Megjithatë  ai tha se kompania e tij nuk është përfshirë në Pakon Emergjente të qeverisë dhe as nuk ka kërkuar.

 “Nuk jemi përfshirë në Pakon Emergjente dhe as nuk kemi kërkuar, mirëpo ajo që po shoh, ne fermerët dhe bujqësia në përgjithësi ka subvencionimin për hektar të kulturave bujqësore dhe më tutje nuk ka thirrje për aplikim, është dashur kjo të ndodhë sa ma shpejt që të ndikojë në bujqësi, të fermerët por edhe te ne si kompani", ka shtuar Kasumi.

Kasumi tha se gjatë kësaj kohe një numër i punëtorëve kanë qenë në karantinë dhe nuk kanë mundur të dalin në punë, mirëpo ai tha se ka pasur punëtorë rezervë në rast të ndonjë situate të vështirë. Megjithatë, Kasumi bëri të ditur se i ka paguar të gjithë punëtorët dhe kjo, sipas tij, ka kosto të lartë.

Ai tha se për të dalë nga kjo situatë janë duke negociuar me banka komerciale për kredi, ngase, siç tha ai, nuk mund të presë qeverinë për shkak se nuk guxon t’i ndërpritet puna. 
Ne do të futemi në kredi edhe më thellë vetëm mos që të mos ndërpritet  puna dhe pasojat m’i bartë duke i shtrirë në disa vite dhe normalisht që kjo do të rifitohet direkt me neto fitim, megjithatë duhet të vazhdojmë", ka thënë ai.

Ai tha se shteti duhet që bujqësinë dhe prodhimin ta trajtojë më seriozisht në këtë kohe sesa herëve të tjera.

 

Autor: Arbenita Marmullaku