​Ministri Bislimi reagon ndaj akuzave të Thaçit e Hotit drejtuar Kurtit
Sharr Travel

​Ministri Bislimi reagon ndaj akuzave të Thaçit e Hotit drejtuar Kurtit

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj deklarimeve të presidentit Hashim Thaçi dhe mandatarit për qeverinë e re, Avdullah Hoti, pasi këta të fundit adresuan kritika ndaj kryeministrit në largim Albin Kurti.

Thaçi dhe Hoti kritikuan sot vendimin e Qeverisë në largim për vendosjen e masave të reja të reciprocitetit ndaj Serbisë, madje e akuzuan Kurtin se me veprimet e tij po e qet në kurth Kosovën.

“Ne, duke mos e dëgjuar Hotin e paskemi detyruar Serbinë që të zvarrisë dialogun, “ me siguri e frikësuar shumë” që pala kosovare do del fituese nga ky dialog, ashtu si ka dalë në të gjitha raundet e mëparshme të bisedimeve, në të cilat pala Thaçi-Hoti, në vazhdimësi e ka gërryer sovranitetin e Serbisë në territorin e saj”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Margaritarët e Hotit

Krema e dijes politike Hoti paska deklaruar:
1. “Veprimet e fundit nga Qeveria në detyrë nuk e ndihmojnë vendin , por e kurthojnë atë” – të kërkosh që Serbia të sjellë mallëra me të njejtat kritere me të cilat i lejon mallrat e vendit tonë të hyjnë në Serbi qenka kurthe për Kosovën?
2. ” Është e ditur se reciprociteti është pjesë organike e strukturës tonë ligjore.” – Cilës strukturë? Cilit ligj? A do ta aplikojë Hoti këtë strukturë dhe këtë ligj?
3. “Por, ne sot kemi nevojë ta mbështesim dialogun” – Ashtu siq e kemi mbështetur për Zajednicën? Për një demarkacion të ri? Paska vuajtur dialogu nga mos-mbështetja jonë, dhe nuk paska mjaftuar mbështetja që i ka dhënë Hoti?
4. “Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog” – A është pranim public I Hotit që Serbia qenka pala konstruktive këtu e ne ata që e paskëshim penguar atë deri më tani? A është kjo arsyeja që Vuqiqi po i gëzohet ardhjes së Hotit?
5. “Vetëm përmes këtij koordinimi ne e avancojmë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ia heqim Serbisë alibinë për ta zvarritur marrëveshjen për njohjen reciproke” – A nuk është kjo kundërthënëse me fjalinë e mësipërme? Një fjali më lartë Hoti e pranon që ne e paskemi penguar dialogun, rrjedhimisht Serbia paska patur të drejtë të zvarrisë dhe nuk qenka fjala për alibi. NE, duke mos e dëgjuar Hotin e paskemi detyruar Serbinë që të zvarrisë dialogun, “ me siguri e frikësuar shumë” që pala kosovare do del fituese nga ky dialog, ashtu si ka dalë në të gjitha raundet e mëparme të bisedimeve, në të cilat pala Thaqi-Hoti, në vazhdimësi e ka gërryer sovranitetin e Serbisë në territorin e saj.