Rifillojnë punën kafiteritë, kërkohet ndihma e institucioneve
Sharr Travel

Rifillojnë punën kafiteritë, kërkohet ndihma e institucioneve

Sektori i gastronomisë ka filluar punën të hënën. Ky lajm është mirëpritur nga nënkryetari i Shoqatës së Gastronomisë, Veton Zuka dhe nga pronarët e kafiterive në kryeqytet, të cilët kanë kërkuar mbështetje institucionale sa i përket pakos ekonomike, pasi humbjet për këtë sektor llogaritet të jenë të mëdha.

Kafiteritë, restorantet, qendrat tregtare dhe taksitë kanë rifilluar punën të hënën.Rifillimi i punës është mirëpritur nga bizneset dhe Shoqata e Gastronomisë, ku është kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i përkrahë në procesin e rimëkëmbjes në mënyrë që mos të bankrotojnë shumica prej tyre.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një konferencë për medie ka thënë se është shfuqizuar vendimi që kishte mbyllur këto aktivitete. “Kemi shfuqizuar edhe pikën 6 me të cilën mbylleshin kafiteritë, restorantetdhe qendrat tregtare. Pra, nga nesër [e hënë] hapen”, ka thënë Kurti.

Lajmi për rifillimin e punës të sektorit të gastronomisë është mirëpritur edhe nga Shoqata e Gastronomëve.Nënkryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Veton Zuka, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është mirëpritur vendimi për rihapjen e kafiterive. “Është lajm i mirë rifillimi i punës për kafiteritë, pasi kemi mundësi ta zhvillojmë aktivitetin. Ky lajm është i mirëpritur nga të gjitha bizneset jo vetëm për sektorin e gastronomisë. Shpresojmë se do të kemi një fillim të mirë, por tani duhet ndihma e qeverisë për të gjithë ne që kemi qenë të dëmtuar që tre muaj”, ka thënë Zuka.

I pyetur se sa llogaritet të jenë dëmet e shkaktuar nga pandemia Covid-19, ai ka thënë se ende nuk kanë shifra të sakta për këtë por, sipas tij, humbjet janë të mëdha. Zuka ka pohuar se nëse ky sektor nuk merr mbështetje nga qeveria do të rrezikohet nga bankrotimi. “Nuk kemi ende shifra zyrtare, por humbjet janë të mëdha, që i bie se jemi para bankrotimit nëse qeveria nuk ndërmerr masa. Një plan i ministrit Bislimi është i mirë dhe na konvenon që tërimëkëmbemi, por tani kemi problemin politik dhe vjennë pikëpyetje zbatimi i atij plani. Nëse nuk marrim ndihmë nga shteti, ne rrezikojmë të falimentojmë, sepse jemi në borxhe dhe bankat na kanë vendosur në listë të zezë. 90 për qind e tyre kanë obligime ndaj bankave, pra rimëkëmbja është problematike”, ka thënë ai.

Sa iu  preket vendeve të punës, Zuka ka thënë se edhe pse ende nuk mund t’i dinë shifrat e sakta, nga informatat që kanë shumica kanë rifilluar punën me stafin që kanë pasur.

Mushkolaj: Pakoja emergjente nuk është e mjaftueshme

Shpëtim Mushkolaj, i cili është pronar i kafiterisë “Limi” në Prishtinë, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se vendimi për rifillimin e punës është i mirëpritur por, sipas tij, është e nevojshme ndihma institucionale. “Rifillimi i punës është i mirëpritur dhe nuk presim të kemi fitim të mëhershëm, por keni parasysh se edhe kemi investime shtesë tashmë”, ka thënë ai.

Mushkolaj ka theksuar se pakoja e rimëkëmbjes ekonomike nga Qeveria e Kosovës lë për të dëshiruar dhe se ndihma duhet ofruar për pesë muaj pasi humbjet janë shumë të mëdha. Ndërkaq sa iu përket rrethanave politike, ai ka thënë se lidershipi i vendit duhet të tregojë përkushtim për sektorin privat, gjegjësisht sektorin e gastronomisë dhe mos të mungojë mbështetja institucionale. “Pakoja e rimëkëmbjes është shumë e mangët. Do të duhej të vazhdonte përkrahja për pesë muaj sepse humbjet janë të mëdha. Në kohën kur nuk kemi punuar kanë vazhduar shpenzimet e ujit, rrymës, qeras dhe pagave të punëtorëve. Punëtorët tanë i kanë marrë pagat vetëm për muajin e parë 170 euro, e që nuk është e mjaftueshme”, ka thënë Mushkolaj, duke apeluar që qeverisja e ardhshme ta ketë për bazë gjendjen e sektorit të gastronomisë. “Qeveria e ardhshme duhet ta ketë parasysh mbështetjen institucionale dhe mos të ndalet pakoja e rimëkëmbjes, por mundësisht të rritet ndihma. Sektori ynë në këtë kohë pandemie s’ka gjeneruar fare të hyra”, u shpreh ai.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, në një konferencë për media ka prezantuar Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike, vlera e së cilës pritet të jetë 1.26 miliard euro. Sipas Bislimit, fokusi kryesor i kësaj pakoje do të jetë mbështetja e secilit biznes me kredi, i cili gjatë kësaj periudhe pandemie ka pasur rënie të aktivitetit ekonomik. Në kuadër të kësaj pakoje janë paraparë edhe 11 masa të cilat do të zbatohen gradualisht nëse kjo pako aprovohet nga Qeveria e Kosovës. Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.