OAK: Fondi për Garanci kreditore të jetë së paku 300 millionë euro
Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) i është drejtuar me një shkresë kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrave përkatës për të kërkuar që fondi i garancisë kreditore si pjesë e pakos së rimëkëmbjes ekonomike të jetë së paku 300 milionë euro, kjo pasiqë sipas kësaj ode bizneset në këtë periudhë të vështirë në të cilën po kalojnë, kanë nevojë për mjete në mënyrë që të kenë mundësi për të operuar.
Kjo kërkese vie si rrjedhojë e analizave që OAK thekson se ka bërë dhe takimet e shumta me bizneset që i përfaqësojnë.
“Si rezultat i kësaj ne kemi arritur në konkluzion se një fond nën shumën prej 300 milionë euro nuk do të ndihmonte bizneset mjafueshëm për gjendjen e rëndë në të cilën jemi. Si pasojë e mosgjenerimit të të hyrave dhe vonesat në ekzekutimin e pakos fiskale emergjente dhe miratimit të pakos së rimëkëmbjes, kanë shkaktuar që shumë biznese të ndodhen në vështirësi të rëndë financiare, andaj, garantimi i kredive nga ana e shtetit, me një grace periudhë së paku 2 vite dhe afat 10 vjeçarë të kthimit, do të ndihmonte ato që biznesi të ruajë stabilitetin, fleksibilitetin dhe rimëkembjen nga pasojat e pandemisë”.
“Shpejtësia e zgjatjes së dorës së shtetit në këtë periudhë është e domosdoshme për rivitalizimin e ekonomisë dhe rikthimin në funksion të shumë bizneseve të cilat kanë qenë më të atakuara gjatë kësaj periudhe, thuhet në kërkesën e OAK-së”.























