Investimet gjeohapësinore shtytës për rimëkëmbjen ekonomike
Projekti për Patundshmëri dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore në Kosovë (€14.6 milionë), në procedurë ratifikimi në Kuvendin e Kosovës, planifikon të përkrahë zhvillimin e infrastrukturës së të dhënave hapësinore në Kosovë.
Me këtë projekt qëllimi është për të investuar në baza të të dhënave me prioritet ekonomik, duke modernizuar Gjeportalin Shtetëror për ta sjellë në vijë me standardet ndërkombëtare, dhe duke siguruar interoperabilitetin e Gjeoportalit me bazat prioritare të të dhënave.
Këto investime mund të përkrahin përpjekjet e tashme dhe në vijim për t’iu përgjigjur COVID-19 duke mundësuar parashikimin e pikave kritike, ashtu që reagimi i qeverisë në shëndetësi dhe përkujdesje sociale të jetë i fokusuar aty ku nevojitet më së shumti.
Investimet gjeohapësinore mund të shërbejnë edhe si një shtytës për rimëkëmbjen ekonomike. Për shembull, disponueshmëria e të dhënave të pronësisë së tokës mund të përshpejtojë themelimin e një fabrike, dhe qasja në të dhënat për pjerrësinë e tokës mund të sigurojë që ndërtimet e reja të ndërtohen në lokacione të sigurta larg zonave që kanë tendencë për rrëshqitje dheu apo vërshime të ujit. Sektori privat mund të përfitojë edhe nga qasja në të dhëna të hapura që mund të ulin koston e shërbimeve ekzistuese apo të fillojnë shërbime të reja falë qasjes në të dhëna për konsumatorë, tregje, apo zinxhirë furnizues.
Projekti paraprak i përkrahur nga Banka Botërore në sektorin e tokës në Kosovë, Projekti për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme dhe Kadastrin (RECAP) ka përkrahur rindërtimin kadastral të 30% të zonave kadastrale prioritare, themelimin e një sistemit të integruar informacioni për tokën, dhe ka përkrahur fushata vetëdijësuese për avancimin e të drejtave pronësore të grave.























