MTI arrin marrëveshje me agjencinë ADA për të ndihmuar bizneset kosovare
Sharr Travel

MTI arrin marrëveshje me agjencinë ADA për të ndihmuar bizneset kosovare

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Agjencionin austriak për Zhvillim (ADA), e cila do t’i shërbejë sektorit privat me qëllim të krijimit të intervenimeve lehtësuese, të cilat do të zhvillojnë edhe më tutje sektorin privat dhe ngritin vetëdijen ndërmarrëse në Kosovë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi tha se është i kënaqur me bashkëpunimin me Austrinë dhe vlerësoi lart rolin e këtij shteti në mbështetje të bizneseve kosovare. Ndërsa shefi i zyrës së ADA në Kosovë, Gunther Zimmer, tha se projekti do t’i ketë impakt në zhvillimin rural, arsimin e lartë, stimulimin e investimeve të huaja dhe fuqizimin e sektorit privat.

Projekti do të rrisë rezultatet e të ardhurave më të larta dhe mundësive të punësimit në sisteme më të qëndrueshme të tregut. Po ashtu ky projekt do të kontribuojë në fuqizimin e konkurrueshmërisë së kompanive të sektorit privat dhe në rritjen e të ardhurave të tyre përmes qasjes së qëndrueshme në treg dhe lidhjeve më të fuqishme rajonale dhe ndërkufitare.

Vlera e projektit është 1 milion e 500 mijë euro, ndërsa MTI së bashku me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik do të participojnë me 300 mijë euro. Nga ky projekt pritet të nxirren rezultate në mjete dhe shërbimet e reja digjitale relevante që do të janë në dispozicion dhe të përdoren nga ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të Kosovës.