Hapet sezoni veror në Shqipëri me moton `Pusho shqip`
Sharr Travel

Hapet sezoni veror në Shqipëri me moton `Pusho shqip`

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi bashkë me ministrin e Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi, kanë hapur sezonin turistik të këtij viti nën moton "Pusho Shqip", që u mbajt në Shëngjin.

Ministri Krasniqi i ftoi qytetarët e Kosovës që pushimet e tyre verore t'i kalojnë në Shqipëri.

“I ftoj nga këtu të gjithë qytetarët e Kosovës që pushimet e tyre t'i kryejnë në plazhet dhe vendet turistike të Shqipërisë, pasi këtu veç pushimit mund të gjeni dhe ngrohtësinë shpirtërore, këtu ndihemi si në shtëpinë tonë dhe nuk kemi nevojë të hulumtojmë pushime në bregdete të tjera për faktin se ne jemi një komb dhe kemi një kulturë dhe mikpritja e cila iu bëhet kosovarëve nga vëllezërit tanë në Shqipëri nuk mund ta gjeni askund. Nga këtu ju bëj thirrje publike që pushimet publike t'i kaloni këtu në bregdetin shqiptar. Njëkohësisht siç ju bëj thirrje edhe vëllezërve tanë këtu të Shqipërisë që pushimet dimërore t'i kalojnë në Kosovë”, tha ministri Krasniqi.

Kryesuesi i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkpunojnë. "Sot pata kënaqesinë të isha në një takim të përbashkët me Ministrat e Turizmit të Shqipërisë e Kosovë dhe me prefektët e kryetarët e bashkive e zonave turistike të verës 2020, nga Prizreni e deri në Sarandë.s Ishte një takim mirëorganizuar me tour operatorë e agjenci turistikë në angazhimin e përbashkët për të bërë më të mirën e mundur për turizmin shqipfolës, në kushtet e vështira të COV-id 19. Pusho Shqip, është motoja e këtij viti, që na bashkon e që duhet ta ndajmë si mesazh për të gjithë për të shijuar, pushuar, eksploruar, vizituar", tha ai.

Edhe ministri Klosi ftoi qytetarët e Kosovës që të pushojnë në Shqipëri duke i siguruar se çmimet do të jenë të arsyeshme si dhe plazhet do të jenë të pastra.

"Në vitin 2013, në Shqipëri kanë hyrë 3 milionë pasaporta të huaja, në vitin 2019 u dyfishua dhe u tejkalua dyfishimi 6. 4 milionë pasaporta të huaja. 2020 do të ishte një vit i jashtëzakonshëm, ku padyshim do të shkonim mbi 7 milionë vizitorë të huaj. Por s'duhet të harrojmë që në këto shifra të rritura pasaporta kosovare shkon mbi 35 për qind dhe besnikëria e këtij pushuesi na ka bërë që ne të jemi kaq shumë të avancuar në këtë përpjekje të madhe të përbashkët për ta zhvilluar turizmin", tha ministri Klosi.

Ndryshe, vizita e ministrit Veseli në Shqipëri është në vazhdën e thellimit të bashkëpunimit, sidomos në fushën e turizmit.